Marsela Çaushaj është 38 vjeçarja nga qyteti i Vlorës e cila ra pre e dhunës barbare nga ish-bashkëshorti i saj. Marsela rrëfen për Report Tv nga spitali Vlorës ku po merrte ndihmë mjekësore për plagët e shkaktuara në trup, se sot kishte shkuar për të filluar punë, por u përball me babin e 3 fëmijëve të saj, i cili me një guxim kafshëror e dhunoi në mes të ditës dhe në sy të të gjithëve.

"Sot vajta të gjeja një punë, thjesht do mbaja një plakë dhe do shkoja të hapja një llogari bankare. Kërkoi djalin e vogël ta merrte në krah ai nuk donte të vinte me të dhe nuk e njihte fare dhe në atë kohë vjen ky djali i kësaj zonjës që do punoja unë dhe i tha kush je ti. I tha që do ta marr në unë se kam nënën. Tha nuk do ta marrësh në punë. I thash nuk të pyes ty se kam për të ushqyer 3 fëmijët se ti nuk jep asnjë lek", shprehet Marsela. 39-vjeçarja thotë se është dhunuar edhe herë të tjera në rrugë nga ish-bashkëshorti, Ilir Paja. Pavarësisht se ka 3 urdhra mbrojtje nga gjykata, ai ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike sa herë që takohej me të.

"Në dhjetor të 2014 më ka rrahur prapë në rrugë në prani të njerëzve të tjerë. Kam bërë dhe kallëzim penal, po ajo çështje para disa ditësh ishte hapur në gjykatë dhe nuk e kanë dënuar asnjëherë. Ai më keqtrajtonte, më rrihte, ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike, mbi mua dhe fëmijët", thotë ajo. Por në një kohë që përballet me dhunën e ish burrit, sot Marsela e ka të vështirë për të rritur 3 fëmijët e saj mitur, 12, 5 dhe 3 vjeç. Ajo gjendet në vështirësi ekonomike, ndërkohë që jeton vetëm me një ndihmë ekonomike prej 4500 lekë. Nëna e Marselës tregon dhomën ku jetojnë fëmijët dhe Marsela. "I dhunshëm, na ka ofenduar, me djemtë ka qenë në polici dhe më përpara pa e ndarë e ka rrahur. Të dhunohet një vajzë 39 vjeçe kaq herë dhe e fut policia brenda në darke dhe e nxjerr në mëngjes", shprehet nëna e 38 vjeçares.

Kushtet në të cilat jeton me tre fëmijët janë të mjerueshme, nëna e Marselës, Lefteri Çaushaj pranon se nuk është në gjendje t'i ofrojë vajzës së saj një jetë më të mirë. Ndërsa ka bërë thirrje për ndihmë dhe ka apeluar për ndëshkimin e ish-bashkëshortit të vajzës, të trembur janë edhe dy fëmijët më të vegjël të familjes, Ana 5 vjeç dhe Anxhelo të cilët kanë qenë bashkë me nënën në momentin që babait i tyre ka qëlluar brutalisht mbi të.

Ngjarja
Një ngjarje dramatike dhe shokuese njëkohësisht ka ndodhur në qytetin e Vlorës. Qytetarët janë bërë dëshmitarë të një skene të rëndë dhune në familje ku babai godet pa mëshirë në mes të rrugës gruan dhe fëmijët e mitur. Ilir Paja godet me grushte e shkelma ish-bashkëshorten, Marsela Çaushaj, e cila mundohet të shmanget bashkë më dy fëmijët në krahë. Situata bëhet edhe më e rëndë kur fëmija më i madh duke qarë tërheqin nënën nga rrobat për t’i shpëtuar grushteve dhe shkelmave të babait. Skena është filmuar nga dëshmitarë të zonës në qytetin e Vlorës dhe po përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale.

Ndërkohë qytetarë të ndryshëm përpiqen të shmangin këtë rast dhune, por Paja nuk ka reshtur së dhunuari bashkëshorten dhe fëmijët e mitur. Menjëherë pas publikimit të videos policia ka arrestuar 44 -vjeçarin, Ilir Paja banues në lagjen "11 Janari". Arrestimi i tij u bë në dalje të qytetit të Vlorës në vendin e quajtur "Pus-mezini", duke tentuar t'u largohej shërbimeve të policisë. Situata bëhet edhe më rëndë pasi u zbulua se e dhunuara kishte marrë urdhër mbrojtje nga Gjykata e Vlorës në qershor të vitit 2014, pasi dhunohej sistematikisht nga bashkëshorti. Por dhe pse me urdhër mbrojtjeje, shtetasja Marsela Çaushaj nuk ka mundur t'i shpëtojë dhunës dhe përndjekjes nga ana e ish-bashkëshortit.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja,com