Komisioni Evropian ka dënuar dhunën gjatë protestave në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, duke përmendur zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike e private. Por në deklaratën e tij, Brukseli thekson se edhe reagimi i autoriteteve ndaj dhunës duhet të jetë brenda ligjit dhe proporcional.
Komisioni kërkon që përgjegjësit për aktet e dhunës të mbajnë përgjegjësi përmes një procesi të rregullt ligjor, ndërsa kujton se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore që duhen respektuar.
Brukseli përshëndet angazhimin e autoriteteve shqiptare për mbrojtjen e së drejtës së protestës dhe bën thirrje që pakënaqësitë të trajtohen përmes dialogut dhe në mënyrë paqësore.
Deklarata e plotë
"Dënojmë përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe reagimi ndaj saj duhet të mbetet brenda ligjit dhe të jetë proporcional.
Personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi përmes një procesi të rregullt ligjor.
Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhen respektuar dhe ushtruar në mënyrë paqësore.
Përshëndesim angazhimin e autoriteteve shqiptare se e drejta për të protestuar do të mbrohet.
Në një vend kandidat, të angazhuar fort në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe që po bën përparim të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së, pakënaqësitë duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore.”

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përshëndetur deklaratën e Komisionit Evropian për protestat në Shqipëri, duke vënë theksin te dënimi i zjarrvënieve, sulmeve ndaj institucioneve dhe shkatërrimit të pronës publike e private.
“Mesazh i qartë nga Brukseli. Dhuna nuk ka vend në demokraci!”, shkruan Balla në një postim në Facebook, ku e cilëson qëndrimin e Komisionit Evropian si një mesazh kundër dhunës gjatë protestave.
"Komisioni Europian dënon fuqimisht zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimin e pronës publike e private gjatë protestave në Shqipëri. Shqipëria po bën përparim të rëndësishëm drejt BE-së dhe kjo rrugë kërkon dialog, përgjegjësi dhe respektim të ligjit, jo dhunë e shkatërrim. Brukseli mirëpret angazhimin e autoriteteve shqiptare për garantimin e së drejtës së protestës, duke kërkuar reagim ligjor dhe proporcional ndaj dhunës. Protesta është e drejtë. Dhuna nuk është instrument politik!" thuhet në deklaratën e cituar nga Balla.
Deklarata e Komisionit Evropian dënon përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, por thekson njëkohësisht se reagimi ndaj saj duhet të mbetet brenda ligjit dhe të jetë proporcional. Brukseli kërkon që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi përmes një procesi të rregullt ligjor dhe kujton se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore që duhen respektuar.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, ka shprehur shqetësimin për situatën në Tiranë dhe ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të përshkallëzimit të protestive kryesiht ne Tiranë .
Me anë të një postimi në rrjetet sociale Andreas Schieder, ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të përshkallëzimit të situates së dhunës. Në reagimin e tij Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqiperinë, thekson se dhuna është e papranueshme, pavarësisht nëse vjen nga persona që depërtojnë në protesta me qëllime të dhunshme apo nga shteti dhe policia.
Schieder u ndal edhe te kërkesat e të rinjve për arsim më të mirë dhe mundësi të barabarta, duke theksuar se qeveritë duhet t'i marrin seriozisht dhe të rishikojnë qasjen e tyre.
“Arsimi është investimi ynë më i rëndësishëm për të ardhmen dhe nuk duhet të varet kurrë nga mundësitë financiare të prindërve”, thuhet në reagimin e tij.
Raportuesi i PE-së tha se është veçanërisht i shqetësuar për situatën në Tiranë dhe përsëriti thirrjen për t'i dhënë fund përshkallëzimit.
" Në të gjithë Europën, të rinjtë po dalin në rrugë pikërisht tani, nga Parisi, përmes Berlinit, e deri në Tiranë. Ata po luftojnë për arsim më të mirë dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Kjo është diçka e mirë dhe e drejtë dhe duhet t’i nxisë qeveritë të ndryshojnë mënyrën e të menduarit. Arsimi është kapitali ynë më i rëndësishëm për të ardhmen dhe nuk duhet të varet kurrë nga gjendja financiare e prindërve. Megjithatë, dhuna nuk është kurrë zgjidhje, as kur vjen nga individë të dhunshëm që përzihen mes protestuesve, as kur vjen nga shteti dhe policia. Si raportues për Shqipërinë, po e shoh me shqetësim të veçantë situatën në Tiranë dhe bëj thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përshkallëzimit" thuhet në postimin e tij në X.





Komente
Komento