Kreu i Partisë Demokratike në Izrael, Yair Golan, ka paditur Sara Netanyahun, bashkëshorten e kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke kërkuar 2.55 milionë shekelë, ose rreth 850 mijë euro, dëmshpërblim për shpifje. Padia u depozitua pasi ajo la të kuptohej se ai kishte dijeni paraprake për sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023.
Në një intervistë për televizionin proqeveritar Channel 14, Sara Netanyahu deklaroi se Golan ishte "i trajnuar dhe gati shumë, shumë herët, kur të tjerët nuk e dinin", duke lënë të kuptohej se ai kishte informacion paraprak për sulmin.
Pas këtyre deklaratave, Golan i dërgoi një paralajmërim zyrtar, duke i kërkuar të tërhiqte akuzat, të kërkonte falje publikisht dhe të bënte një donacion të konsiderueshëm për të mbijetuarit e masakrës në festivalin muzikor Nova. Sipas tij, Sara Netanyahu nuk e bëri këtë, ndaj vendosi t'i drejtohej gjykatës.
Golan ka deklaruar vazhdimisht se u nis drejt jugut të Izraelit rreth orës 08:00, afërsisht një orë e gjysmë pas nisjes së sulmit të Hamasit, dhe se shkoi në zonë me nismën e tij. Ish-zëvendësshefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit u vlerësua gjerësisht për ndërhyrjen e tij atë ditë, pasi ndihmoi në shpëtimin e personave që ndodheshin në festivalin Nova, një nga vendet më të goditura nga sulmi.
Sipas Golanit, "kjo padi nuk është vetëm çështje e reputacionit tim, por edhe një përpjekje për të përcaktuar përgjegjësinë e autoriteteve për dështimet që paraprinë sulmin e 7 tetorit."
Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 nisi me një sulm të befasishëm nga Rripi i Gazës, ku militantët depërtuan në territorin izraelit, sulmuan baza ushtarake dhe vendbanime pranë kufirit, si edhe festivalin muzikor Nova. Ngjarja shkaktoi qindra viktima dhe rrëmbime, duke çuar në nisjen e luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Që prej atëherë, mënyra se si autoritetet izraelite reaguan para dhe gjatë sulmit ka qenë objekt debatesh dhe kritikash në Izrael.







Komente
Komento