Policia italiane ka arrestuar bashkëshorten e shqiptarit Petrit Caka, si organizatoren e vrasjes së tij ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar.
Petrit Caka u gjet i vrarë më 13 dhjetor 2022 në banesën e tij në Rocca Priora, një qendër e vogël në Castelli Romani, Itali. Atëherë viktima u gjet me plagë në fytyrë dhe trup, të cilat dyshohet të ishin shkaktuar nga një thikë.
Agjencia italiane e lajmeve, ANSA shkruan se gruaja kishte thirrur të vëllanë dhe mikun e tij nga Shqipëria për të kryer ekzekutimin në shenjë hakmarrjeje të viteve të keqtrajtimit dhe dhunës.
Prokuroria e Velletri ka firmosur urdhër arrest në burg për 4 persona, të gjithë shqiptarë, gruaja e viktimës, i vëllai, bashkëpunëtori dhe një djalë tjetër që është kujdesur për kthimin e vrasësve në Shqipëri, pasi u krye vrasja.
Sipas hetimeve të kryera vëllai dhe bashkëpunëtori në dhjetorin e vitit të kaluar kishin mbërritur në Itali nga Shqipëria. Tre ditë më vonë, më 13 dhjetor, të dy dyshohet se kanë inskenuar grabitjen në shtëpinë e 49 vjeçarit dhe kanë vrarë me thikë Petrit Cakën. Më pas të dy kanë hyrë në Shqipëri duke u ndihmuar nga një bashkatdhetar tjetër.
Kanë qenë pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë që kanë arritur të ndihmojnë në zbardhjen e autorëve si dhe mjetet të cilat kanë përdorur ndërsa hetimet kanë vijuar deri sot ( 27 korrik 2023) kur janë kryer arrestimet.
Gruaja dhe 2 nga tre shqiptarët janë ndaluar në Itali, ndërkohë i vëllai i gruas është në kërkim me urdhër arresti europian si në Itali ashtu edhe në Shqipëri, shkruan ANSA.
Ka qenë vetë gruaja ajo që i dha alarmin karabinierëve se gjoja zbuloi trupin e bashkëshortit të vrarë pas një grabitje në shtëpi, por më pas skenari i ngjarjes ndryshoi kur u zbuluan autorët.
Komente






