Shtatzëna vdiq gjatë lindjes/dosja në gjykatë, mjekja: Jam e pafajshme

Shtatzëna vdiq gjatë lindjes/dosja në gjykatë, mjekja: Jam e pafajshme

Aida Çajka gruaja shtatzënë që vdiq gjatë lindjes para dy vitesh

Pasi kanë kaluar afro dy vjet nga vdekja e Aida Çajkës bashkë me foshnjën e saj në maternitetin “Koço Glizheni” në Tiranë, tre mjekë të QSUT janë vënë nën hetim nga Prokuroria. Organi i akuzës ka marrë si të pandehur mjekët e QSUT Besiana Hysi, Olvis Petre e Zamira Hysenaj për ‘mjekim të pakujdesshëm’. Prokuroria ka dorëzuar dosjen në gjykatë dhe seanca paraprake pritet të mbahet më datë 17 korrik.

Sipas ekspertizës, ndaj nënës së dy fëmijëve, që priste të sillte në jetë një të tretë nuk është treguar kujdesi i duhur mjekësor.

Mjekët e neglizhuan trajtimin e shtatzënës. Cajka u transferua në tre spitale brenda 5 orëve. Gabuan mjekët në tre spitalet që 35-vjeçarja u transferua”-thanë ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë pak kohë më parë.

Pasi prokuroria i vuri nën akuzë tre mjekët e maternitetit “Koço Glizheni” në Tiranë për vdekjen e Aida Çajkës bashkë me foshnjën e saj, vjen reagimi i një prej bluzave të bardha që po hetohet. Dr Zamira Hysenaj pohoi se ndjen keqardhje për humbjen e dy jetëve të pafajshme, ndërsa theksoi se ishte e pafajshme. Ajo tha se hetimi ishte jo profesional, ndërsa shprehu besim se gjykata do të japë vendimin e duhur.

“Keqardhje për humbjen e dy jetëve të pafajshme. Jam e pafajshme, nuk e kam shkelur kurrë betimin e mjekut. Prokuroria ka shkelur rëndë thuajse të gjithë të drejtat gjatë hetimit të kësaj çështje. Akuza është tërësisht e pabazuar në prova. Hetimi i paplotë, jo profesional, i njëanshëm dhe i paligjshëm. Fashikulli është plot me akte procedurale të pavlefshme dhe prova të papërdorshme. Shpreh indinjatën për mënyrën e hetimit të kësaj çështje. Kam besim që gjykata do të jap vendimin e duhur”, u shpreh Hysenaj, në një reagim përmes avokatit të saj.

Sipas ekspertizës, ndaj nënës së dy fëmijëve, që priste të sillte në jetë një të tretë nuk është treguar kujdesi i duhur mjekësor. Kujtojmë se ngjarja ndodhi më 16 shtator 2016, ku 35-vjeçarja nga Paskuqani ka humbur jetën gjatë lindjes bashkë me foshnjën. Familjarët e viktimës, akuzojnë mjekët për vdekjen e saj. Ata thonë se i kanë sorollatur gjithë natën sa në urgjencën e QSUT e sa në Sanatorium derisa ajo nuk ka mundur më të rezistojë dhe ka ndërruar jetë.

Deklarate për shtyp e mbrojtjes së Dr. Zamira HYSENAJ

Të nderuar përfaqësues të medias,

Dr. Zamira Hysenaj, Mjeke Anestezite- Remanimatore, pra Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë dhe mbrojtjësi i saj Av. Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI, janë njohur me njoftimet në media lidhur me paraqitjen e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë për “Dërgimin e çështjes në gjyq” me të pandehur midis të tjerash Dr. Zamira HYSENAJ. Lidhur me këtë lajm, dëshirojmë t’ju informojmë si vijon:

-          Dr. Hysenaj dhe mbrojtja bashkohen me dhimbjen e familjarëve të së ndjerës A.Ç dhe shprehin keqardhjen për humbjen e dy jetëve të pafajshme.

-          Dr. Hysenaj siguron gjithë opinionin publik dhe pacientët e saj, që në karrierën e saj si mjeke ka qenë dhe mbetet gjithmonë e përkushtuar maksimalisht në shërbim të shëndetit të pacientëve dhe se kurr nuk ka kryer veprime apo mosveprimeve që bien ndesh me betimin e mjekut dhe as me parimet dhe rregullat e profesionit të mjekut.

Lidhur me njoftimin në media, sqarojmë që Dr. Hysenaj dhe unë si mbrojtës, jemi të indinjuar që ndonëse nga ana e organit të akuzës, materialet e çështjes janë cilësuar sekret (pa diskutuar ligjshmërinë e këtij cilësimi pas përfundimit të hetimeve), përsëri këto informacione janë bërë publike në shkelje të detyrimeve ligjore. Dr. Hysenaj dhe mbrojtja në respektim të detyrimeve që ngarkon Kodi i Procedurës Penale, nuk ka ndarë me publikum informacione mbi procedimin në fjalë, ndonëse e cilësojmë hetimin si një hetim jo profesional, të njëanshëm, të paplotë dhe në shkelje të rëndë të të drejtave të Dr. Hysenajt. Kësisoj, pa cënuar detyrimet ligjore që na ngarkon ligji lidhur me këtë akuzë shprehemi si vijon:

-          Dr. Hysenaj është tërësisht e pafajshme dhe se organi hetimor ka shkelur rëndë thuajse të gjithë të drejtat e saj gjatë hetimit të kësaj cështje. Konkretisht, Dr. Hysenaj ka qenë person tërësisht i papërfshirë në hetimin e kësaj cështje nga viti 2016 dhe është pyetur vetëm si person që tregon rrethana me rëndësi për hetimin, deri në 05.06.2018, kur papritur i është njoftuar akuza për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm” të parashikuara nga neni 96 i Kodit Penal.

-          Për ne si mbrojtje kjo akuzë është tërësisht e pabazuar në prova, fakte dhe në ligj dhe ka ardhur në përfundimi të një hetimi të paplotë, jo profesional, të njëanshëm dhe të paligjshëm. Organi i akuzës i ka shkelur të drejtat më themelore duke mos i garantuar asnjë të drejtë dhe duke mohuar në mënyrë absurde dhe pa asnjë bazë e shkak ligjor, të drejtën e saj për të kërkuar prova, për të administruar provat e mbrojtjes, për të kërkuar ekspertim, për t’ju drejtuar pyetje ekspertëve, për të marrë prova në favor të të pandehurës etj. Mbrojtja e Dr. Hysenaj, i janë drejtuar organit të akuzës disa herë me kërkesa dhe memorie dhe për asnjë kërkesë nuk ka marrë përgjigje të arsyetuar dhe në përputhje me kërkesat e ligjit. Gjithashtu, fashikulli është plot e përplot me akte procedurale të pavlefshme dhe prova të papërdorshme, për të cilat mbrojtja do të kërkojë të disponohet nga gjykata sipas ligjit gjatë seancës paraprake.

-          Për aq sa jemi të informuar, janë bërë disa akte ekspertimi të cilat e nxjerrin tërësisht të pafajshme Dr. Hysenaj dhe se ekspertimi i fundit i cili nuk e dimë përse duhej të bëhej si ekspertim mbi ekspertim e ka ngarkuar me përgjegjësi në mënyrë absurde, bazuar në keqvendosjen kohore të ngjarjeve, keqinterpretimit të fakteve dhe bazuar në përfundime të gabuar shkencërisht që nuk mbështetet si nga përfundimet shkencore të gjithëpranuara ndërkombëtarisht, as nga protokollet ndërkombëtare mjekësore përfshi ato të vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe as nga një grup i madh profesoratit më të shquar në vend përsa i përkët Anestezi – Reanimacionit.

-          Duke qenë të bindur që Dr. Hysenaj është tërësisht e pafajshme, shprehim indinjatën tonë për mënyrën e hetimit të kësaj çështje dhe kemi besim që gjykata do të jap vendimin e duhur. Ndërkohë, ftojmë publikisht median për të monitoruar këtë process gjyqësor sepse ky proces nuk ka të bëjë vetëm me pafajësinë e Dr. Hysenaj, por do të jetë edhe një sprovë nëse drejtësia në këtë vend do triumfojë dhe nëse do të jepet drejtësia siç duhet edhe për dy jetët e pafajshme të humbura. 

Mbrojtësi i Dr. Zamira HYSENAJ

Av. Prof. Asoc. Dr. Jordan Dac

Deklarata e avokatit të mjekes Zamira Hysenaj

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • sapa: 07/07/2018 08:12

    Kriminelja me bluze te bardhe do gjykohet nga kriminelet me bluze te zeze!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU