Gjermania, organizatorët e kampionatit Evropian, që nis pas 10 ditësh, ka barazuar pa gola miqësoren kundër Ukrainës. Trajneri Nagelsman hodhi në fushë formacionin me lojtarët më në formë, por 90 minutat përballë Mudryk me shokë nuk prodhuan asnjë gol. Pjesë e stolit të Gjermanisë ishte edhe talenti shqiptar Brajan Gruda, i cili ka zgjedhur të përfaqësojë Gjermaninë, por nuk mori asnjë minutë në këtë miqësore.
Ndryshe nga Gjermania, Anglia, një tjetër pretendente për të fituar kampionatin Evropian, fitoi 3-0 miqësoren kundër Bosnje-Hercegovinës. Në stadiumin e Newcastle pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa në të dytën realizuan Plamer, Alexander-Arnold dhe Harry Kane. Në këtë miqësore trajneri i ‘tre luanëve’ Garreth Southgate zbriti me një formacion të ndryshuar dhe shumë lojtarë që nuk priteshin të ishin titullarë.
Kroacia, kundërshtari i Shqipërisë në grupin e ferrit në Evropian, fitoi lehtësisht 3-0 kundër Maqedonisë së Veriut. Pjesën e parë e vulosi mesfushori i Wolsburg Lavro Majer i cili realizoi dopietë. Fillimisht me një goditje dënimi. Në pjesën e dytë vendosi vulën e tij mesfushori i Rijekës Pasaliç.