TIRANË -  Debate të ashpra në grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Kryetari Basha dhe ish-kandidati për kryetar Olldashi janë përplasur sot për emërimin e Genc Pollos në krye të Komisionit parlamentar të Medias.

Megjithatë, në përfundim, demokratët caktua emrat e tre komisioneve parlamentare, që do të drejtojnë, kryesimi i të cilave i takon opozitës. Ata janë: Genc Pollo - kryetar i Komisionit të Medias; Albana Vokshi - kryetare e Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale; Majlinda Bregu - kryetare e Komisionit të Integrimit.

Burime të sigurta brenda mbledhjes, që u zhvillua me dyer të mbyllura, konfirmuan për "A1Report!" se debati mes Olldashit e Bashës është bërë për caktimin e emrave që do të drejtojnë komisionet parlamentare.

Kryetari i demokratëve Basha ka emëruar Genc Pollon në krye të Komisionit të Medias, ndërkohë që Olldashi ka qenë kundër . “Në komisionin e medias duhet Mesila Doda”- mësohet të ketë thënë Olldashi.

Në përfundim të mbledhjes, kryetari i Grupit të PD-së, Edi Paloka, i pyetur nëse pati debate në mbledhjen me dyer të mbyllura, u përgjigj:  “Në çdo diskutim ka debate; po të mos ketë debate çfarë demokracie është”

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, nga ana e tij nuk u përgjigj pyetjeve të gazetarëve për debatet brenda PD-së, por vazhdoi akuzat ndaj maxhorancës në qeveri. “Qeveria e re e ka nisur punën duke u karakterizuar nga një mungesë e thellë transparence. Qëndrimet e PD në vazhdimësi do të jenë konstruktive. PD do të asistojë me te gjitha format legjitime të gjithë ata që preken nga revanshi dhe fryma antiinstitucionale."- tha Basha.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)