TIRANE- Opozita ankohet për taksat që do të paguaj me paketën e re fiskale të propozuar nga qeveria. Pas prezantimit të sistemit të ri fiskal nga ana e Ministrit të Financave, Shkëlqim Cani në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend, deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu e cila ishte pjesë e kësaj tryeze, filloi që të ankohej në mbledhjen e grupit të PD-së për taksat që ajo do të paguaj pas miratimit të paketës së re fiskale. Kësisoj deputetët e demokrat ankohen për paketën fiskale pasi ajo i rëndon xhepat e tyre.

Ankesa
Pak çaste se të fillonte mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, deputetja Majlinda Bregu së bashku me ish-ministrin e Ekonomisë, Florion Mima dhe ish-kryetarin e grupi parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, po diskutonin rreth taksave që do të paguanin ata nga implementimi i sistemit progresiv të tatimit. Konkretisht ish-ministria e Integrimit, Majlinda Bregu po i kërkonte shpjegime Florion Mimës lidhur me shumën e taksave që ajo do të pagunate në muaj. Në këtë moment, deputeti Astrit Patozi e pyeti Bregun se përse i duhej kjo e dhënë duke e pyetur nëse ishte e ftuar në ndonjë debat televiziv.

Por përgjigja e Bregut ishte për tjetër gjë duke shprehur se “Jo mo ta di se sa lekë do të çoj në shtëpi se më bërtet burri”. Menjëherë pas këtij pohimi, demokrati tjetër, Florion Mima, si ekspert i fushës ekonomike filloi që të pyeste Bregun lidhur me pagesën e saj mujore, por duke harruar se të dy kanë të njëjtën rrogë pasi që të dy janë deputet të Kuvendit të Shqipërisë. Pas kësaj, Mima filloi që ta sqaronte Ish-ministren e Integrimit mbi taksat e saj mujore me implementimin e sistemit progresiv të tatimeve. Por ajo që bie në sy duket se është se deputetët e Partisë Demokratike paskan më shumë problem xhepat e tyre se sa xhepat e qytetarëve, ashtu siç deklarojnë vazhdimisht në medeia.

Berisha mbledh deputetët
Një gjë tjetër që ra në sy në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlametar të Partisë Demokratike ishte fakti se numri i prezencës së deputetëve ishte maksimal. Kjo gjë duket se ndodh sa herë që në mbledhje grupi shkon ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha, pasi në dy mbledhjet e shkuara të grupit të demokratëve kur nuk ka qenë Berisha, edhe numri i deputetëve ishte tepër i pakët.

Konkretisht që pas mbledhejs së grupit të PD-së ku u bë edhe përkujtimi i Sokol Olldashit, rreth dy javë më parë, Sali Berisha nuk mori më pjesë në mbledhjet e grupit duke i neglizhuar ato për aktivitete të tjera politike që ai zhvilloi në zyrën e tij. Kjo gjë solli edhe uljen e interesit për deputetët e tjerë të PD-së për të qenë pjesëmarrës në mbledhjet që organizonte kryetari Lulzim Basha. Por me rikthimin e Berishës në ambientet e selisë së Partisë Demokratike, ra në sy edhe prezanca e madhe e deputetëve të PD-së të nga të cilët vetëm Edmon Spahou mungoi për shkak se ka thyer këmbën në aksidentin rrugorë të një muaji më parë.

Batutat Bregu-Patozi-Mima
Bregu-Mimës: Sa do të tatohemi? Hyjmë tek 1 milion e 300 mijë lekshi edhe ne?
Patozi: Pse ke ndonjë debat sot, ndonëj deklaratë?
Bregu-Patozit: Jo mo ta di se sa lekë do të çoj në shtëpi se më bërtet burri.
Mima: Sa e ke rrogën ti?
Bregu: Aq sa e ke edhe ti.
Mima: Një milion e gjyësm e kam unë.
Bregu: Aq edhe unë. Sa do të taksohemi?
 
Shkrimi u publikua sot (17.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)