Grykëderdhja e lumit të Shalës në liqenin e Komanit është kthyer në një nga destinacionet më tërheqëse të Alpeve Shqiptare. Lumi i Shalës buron nga Thethi, izoluar nga majat e larta, rrjedha e vrullshme e ujit ngjyrë smerald ofron një panoramë të rrallë.

Për të mbërritur në lumin e Shalës udhëtojmë për afro një orë me varkë nga liqeni i Komanit drejt Parkut të Blinit ose ndryshe grykëderdhja e lumit të Shalës.

Sportet ujore, shëtitjet me kalë, ngjitja në shtigjet malore janë vetëm disa prej atraksioneve që mund të gjeni në këtë luginë, ku vera është e freskët dhe e magjishme.

Ky bum turistësh në dy vitet e fundit i ka nxitur vendasit e përfshirë në industrinë e turizmit të kërkojnë mundësi zhvillimi, siç është ky zip line.

Por ka edhe disa problematika sa i përket infrastrukturës që adresohen për Bashkinë e Vaut të Dejës dhe KESH-in.

Pas disa orësh shëtitje në ujërat e kthjellëta, plazh në zhavorrin lumor dhe një dreke në qetësinë e natyrës marrim rrugën e kthimit për në Koman duke u përshëndetur me këtë grup të folkut që ia shton bukurinë udhëtimit në Alpe.