Guidë për metodat e kontracepsionit

Guidë për metodat e kontracepsionit
Duke pasur kaq shumë mundësi, zgjedhja e një lloji kontracepsioni mund të jetë e vështirë. Të fillojmë me disa pyetje: A është e nevojshme të mbroheni kundër sëmundjeve seksualisht të transmetueshme (SST)? Sa të rëndësishme janë kostoja dhe lehtësia e përdorimit? Vetëm abstinenca është 100% e sigurt, çdo mënyrë tjetër vetëm sa i afrohet kësaj vlere.

NJOHJA E DITËVE FERTILE
I quajtur edhe planifikim familjar natyral, vetëdijësimi mbi ditët fertile do të thotë shmangia e marrëdhënieve seksuale kur gruaja është më tepër fertile. Mënyra më e mirë për të kontrolluar këto ditë është monitorimi i ndryshimeve të mukusit cervikal dhe i temperaturës së trupit. Për të përdorur me korrektesë këtë metodë, është më mirë të stërviteni nga një profesionist i kujdesit shëndetësor.

Pro: Nuk ka nevojë për medikamente, e pakushtueshme.
Kundër: Kufizon kryerjen e marrëdhënieve seksuale spontane, 25% e përdorueseve mbeten shtatzënë.

SPERMICIDË
Spermicidët përmbajnë një lëndë kimike që vret spermën. Këta mund të takohen në formën e shkumës, të një mase xhelatinoze apo kremi, të cilat vendosen brenda vaginës përpara kryerjes së marrëdhënieve seksuale. Disa lloje duhen vendosur 30 minuta përpara. Përdorimi i shpeshtë mund të shkaktojë irritim, duke rritur riskun për infeksione dhe SST. Spermicidët përdoren më shpesh të kombinuara me mënyra të tjera kontracepsioni.

Pro: E lehtë për t’u përdorur, e pakushtueshme.
Kundër: Mund të rrisë riskun për SST, 29% mbetet shtatzënë.

PREZERVATIVËT PËR MESHKUJ
Prezervativi prej lateksi është metoda klasike që përdoret kundër shtatzënisë së padëshiruar. Ai parandalon futjen e spermës në trupin e gruas, duke mbrojtur kundër shtatzanisë dhe SST. Nga çiftet që përdorin vetëm këta prezervativë, në një vit 15% mbetet shtatzënë.

Pro: Gjerësisht të disponueshëm, mbrojnë kundër SST.
Kundër: Janë të efektshëm vetëm nëse përdoren siç duhet çdo herë. Nuk mund të ripërdoren.

PREZERVATIVËT PËR FEMRA
Prezervativi për femra është një xhep i hollë plastik që vesh vaginën nga brenda dhe mund të vendoset deri në 8 orë përpara kryerjes së marrëdhënieve seksuale. Përdorueset përdorin një unazë elastike plastike në skajin e mbyllur për ta drejtuar prezervativin në pozicionin e duhur. Ndonjëherë është më pak efektiv se prezervativi mashkullor.

Pro: Gjerësisht të disponueshëm, disa mbrojnë kundër SST, përcjellin nxehtësinë e trupit më mirë se prezervativi për meshkujt.
Kundër: Mund të jenë të zhurmshëm, 21% e përdorueseve mbeten shtatzënë, nuk mund të ripërdoren. Nuk duhen përdorur të kombinuara me prezervativin për meshkuj për të shmangur çarjet.

DIAFRAGMA
Diafragma është një kubé (gjysmësferë) që vendoset në qafën e mitrës përpara marrdhënieve seksuale. Ajo përdoret e kombinuar me spermicidët. Efektiviteti i saj është i krahasueshëm me atë të prezervativit për meshkuj – 16% e përdorueseve mbetet shtatzënë, duke përfshirë ato që nuk e vendosin siç duhet diafragmën.

Pro: E pakushtueshme (një diafragmë mund të përdoret për rreth 2 vjet).
Kundër: Duhet vendosur nga një mjek, nuk mbron kundër SST. Nuk mund të përdoret gjatë menstruacioneve për shkak të riskut për shfaqjen e sindromës së shokut toksik.

PILULAT KONTRACEPTIVE
Mënyra më e përdorur e kontracepsionit janë pilulat që përmbajnë hormonet estrogjen dhe progestinë për të parandaluar ovulimin. Kur merren sipas skemës, pilulat janë tepër efektive. Rreth 8% e përdorueseve mbeten shtatzënë, duke përfshirë ato që harrojnë të marrin pilulat në kohën e duhur. Ashtu si gjithë kontraceptivët hormonalë, pilulat merren me recetë.

Pro: Menstruacione më të rregullta, më të lehta ose mungojnë, në varësi të llojit të pilulave. Më pak dhimbje abdominale gjatë menstruacioneve.
Kundër: Kostoja (rreth 1500-2000 lekë të reja në muaj), nuk mbrojnë kundër SST. Mund të kenë efekte anësore, duke përfshirë rritjen e ndjeshmërisë së gjoksit, koagulimin e gjakut, rritjen e presionit të gjakut. Disa gra nuk duhet të përdorin pilula kontraceptive.

ADEZIVËT KONTRACEPTIVË (PATCH)
Gratë që e kanë të vështirë të mbajnë mend që duhet të pijnë çdo ditë një pilulë, mund të marrin në konsideratë përdorimin e adezivëve kontraceptivë. Këto vendosen në lëkurë dhe ndryshohen një herë në javë për 3 javë, ndërsa javën e katërt nuk mbahet. Adezivi lëshon të njëjtin lloj hormonesh si dhe pilulat kontraceptive dhe është po aq efektiv.

Pro: Menstruacione më të rregullta, më të lehta dhe me më pak dhimbje. Nuk është e nevojshme të mbahet mend që duhet pirë pilula.
Kundër: Kostoja njëlloj si për pilulat, mund të shkaktojë irritim të lëkurës ose efekte të tjera anësore të ngjashme me ato të pilulave kontraceptive. Nuk mbron kundër SST.

UNAZA VAGINALE
NuvaRing është një unazë e butë plastike që vendoset brenda vaginës. Unaza çliron të njëjtat hormone si pilulat dhe adezivët kontraceptivë dhe është po aq e efektshme. Por, ajo vendoset vetëm njëherë në muaj.

Pro: Menstruacione më të rregullta, më të lehta. Vendoset vetëm njëherë në muaj.
Kundër: Kostoja, mund të shkaktojë irritim vaginal ose efekte të tjera anësore të ngjashme me ato të pilulave dhe adezivëve. Nuk mbron kundër SST.

KONTRACEPSIONI ME INJEKSION
Kontracepsioni me injeksion konsiston në injektimin e hormoneve të cilat mbrojnë kundër shtatzanisë për tre muaj. Për një çift të qëndrueshëm, është akoma më efektive se pilulat kontraceptive pasi vetëm 3% e çifteve mbetet shtatzënë në vit.

Pro: Injektohet vetëm katër herë në vit. Tepër efektive.
Kundër: Kostoja, mund të shkaktojë efekte anësore. Nuk mbron kundër SST.

IMPLANTET KONTRACEPTIVE
Implanti kontraceptiv (Implanon) ka përmasat e një shkrepëseje dhe vendoset nën lëkurë në pjesën e sipërme të krahut. Ai çliron të njëjtat hormone që gjenden në injeksionet, por implanti mbron kundër shtatzanisë për 3 vjet. Shkalla e dështimit është më pak se 1%.

Pro: Vepron për 3 vjet, tepër efektiv.
Kundër: Më i kushtueshëm në fillim, mund të shkaktojë efekte anësorë, duke përfshirë hemorragji të çrregullta. Nuk mbron kundër SST.

IUD (PAJISJA INTRAUTERINE)
IUD do të thotë pajisje intrauterine, një pajisje plastike në formën e shkronjës T, e cila vendoset brenda mitrës nga një mjek. IUD me bakër, ParaGard, funksionon deri në 12 vjet. IUD hormonale, Mirena, duhet ndërruar pas 5 vitesh. Të dy tipat e vështirësojnë fertilizimin e vezës nga sperma. Mbeten shtatzënë më pak se 8 në 1000 gra.

Pro: Mënyrë kontracepsioni afatgjatë.
Kundër: Menstruacione të parregullta dhe më intensive. Më e kushtueshme në fillim, mund të rrëshqasë e të dalë, mund të shkaktojë efekte anësore.

LIGATURA E TUBAVE TË FALLOPIT
Nëse jeni të sigurta se nuk doni të keni fëmijë biologjikë në të ardhmen, mund të jeni gati për një metodë kontracepsioni të përhershme. Metoda tradicionale për femrat quhet ligatura e tubave. Një kirurg i mbyll tubat fallopianë, duke penguar zbritjen e vezës nga vezoret.

Pro: E përhershme, thuajse 100% efektive.
Kundër: Ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, mund të mos jetë e kthyeshme, është e kushtueshme. Nuk mbron kundër SST.

VAZEKTOMIA
Përveç prezervativëve, vazektomia është e vetmja mënyrë kontracepsioni që mund të përdorin meshkujt. Ajo ka të bëjë me mbylljen kirurgjikale të vas deferens: tubat që mbartin spermën nga testikujt, përmes sistemit riprodhues. Kjo mbyllje parandalon daljen e spermës por nuk pengon ejakulimin.

Pro: Mënyrë e përhershme, më e lirë se ligatura e tubave uterinë, pothuajse 100% e sigurt.
Kundër: Ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, nuk është menjëherë efektive, është e pakthyeshme.

PILULA E EMERGJENCËS (OSE PILULA E MËNGJESIT TJETËR)
Kontracepsioni i emergjencës funksionin pas kryerjes së marrëdhënies seksuale për të shmangur shtatzaninë. Ajo mund të përdoret nëse nuk është përdorur një mënyrë kontracepsioni ose në se gruaja dyshon se metoda e kontracepsionit nuk ka funksionuar. Këto pilula përmbajnë një dozë të lartë hormoni të gjendur në shumë pilula kontraceptive. Nuk ka nevojë për recetë për femrat më të mëdha se 17 vjeç. Kjo pilulë (Plan B, Plan B One-Step dhe Next Choice) duhet përdorur brenda 72 orësh.

TËRHEQJA E PENISIT NË MOMENTIN E EJAKULIMIT
Pothuajse 6 në 10 femra amerikane raportojnë se partneri i tyre ka përdorur këtë “metodë”, e cila konsiston në nxjerrjen e penisit nga vagina përpara ejakulimit. Studimet e reja tregojnë se kur kjo kryhet në mënyrë korrekte çdo herë, rreth 4% e praktikuesve mbeten shtatzënë në vit. Por, me përdorimin tipik rreth 18% mbeten shtatzënë.

Pro: Pa kosto, nuk ka nevojë për pajisje apo hormone.
Kundër: E vështirë për t’u kryer siç duhet. Nuk mbron kundër SST.

METODAT MË PAK TË EFEKTSHME
Duke mos përdorur asnjë metodë kontraceptive, 85% e çifteve seksualisht aktive do të mbeten shtatzënë brenda vitit. Edhe metodat më pak të efektshme të kontracepsionit e reduktojnë në mënyrë të konsiderueshme këtë numër.

METODAT MË TË EFEKTSHME
Megjithëse metodat barrierë, si prezervativi ose diafragma, janë mesatarisht efektive në përdorimin tipik, kontraceptivët hormonalë kanë rezultate më të mira për efektivitetin. Gjithashtu, për çiftet që parapëlqejnë të kenë mundësi sa më të ulëta për të mbetur shtatzënë ka disa mundësi të tjera. Dy prej këtyre janë të rikthyeshme: IUD dhe implantet hormonale. Sigurisht, e vetmja metodë kontraceptive 100% e sigurt është abstinenca ndaj marrëdhënieve seksuale.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Ushtria Izraelite godet objektivat e Hezbollahut në të gjithë Liban! E akuzon se fshihet pas sulmit me raketë në Lartësitë e Golanit 

Lufta/ Ushtria Izraelite godet objektivat e Hezbollahut në të gjithë Liban! E akuzon se fshihet pas sulmit me raketë në Lartësitë e Golanit