Në 1 dhe 2 nëntor, në orën 11:00, në teatrin “Migjeni” në Shkodër mbahet edicioni i nëntë i festivalit “Luleborë”. Festivali sjell përpara publikut artëdashës krijimet e reja muzikore që ndjekin traditën e këngës së autorit të lëvruar në qytetin e Shkodrës. Gjithashtu, ky aktivitet ka si qëllim emancipimin e këngës së trashëguar, duke e sjellë atë në kohë përmes teknikave moderne të aranxhimit dhe produksionit bashkëkohor.
“Kosovo Albania Theatre Shoëcase” vijon në 1 nëntor me disa aktivitete. Në orën 10:00 – 11:30 në “ArTurbina (400)” do të mbahet një diskutim publik: Eurodrami – rrjeti evropian për dramën në përkthim. Në 11:30 – 13:00 do të flitet për rijetëzimin e tregut ndërkombëtar të teatrove. Në orën 15:00-16:30 në qendrën kulturore “Tulla” do të mbahet një performancë teatrore, për të vijuar më pas me dy shfaqje të tjera. Në orën 18:00 me pjesën “Koncert” në Teatrin Eksperimental dhe në orën 21:00 me performancën “Vassa Zheleznova” në ArTurbina.
“Moneybee” titullohet ekspozita e çelur në galerinë “Zeta” nga Redina Qose dhe Miriam Schmid. Ekspozita e çelur në 30 tetor do të vijojë të qëndrojë e çelur deri në 10 nëntor.
Shfaqja “Grerëza” do të vijë në skenën e teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër në 1, 2 dhe 3 nëntor në orën 19:00. Me regji nga Eraldo Malaj, interpretojnë aktorët Ina Zoto dhe Asiana Koka.
“Verë dhe histori” vijnë bashkë në një festival tre-ditor në Berat, nga 31 tetori deri në 2 nëntor. Të interesuarit mund të shijojnë verë, kulinari, muzikë të mirë dhe të njohin tradita dhe histori në aktivitetin që do të mbahet çdo ditë nga ora 16:00-19:30 në bulevardin “Republika” të qytetit.