TIRANE- Përfaqësues të shoqatave të mjedisit, shkencëtarë e qytetarë të thjeshtë janë mbledhur sot për të hartuar një letër pozicionimi me 15 pika drejtuar qeverisë dhe njësive vendore . Kjo letër ka në thelb kërkesën për ushtrimin e kontrolleve për zbatimin e ligjit të miratuar që në vitin 2003 për materialet e ndërtimit të cilët duhet të përmbajnë element që ruajnë energjinë. Sipas ambientalistit Sazan Guri nëse do të zbatohen të gjithë këto elementë humbjet e energjisë do të jenë shumë herë më të vogla.

“Ka dhe ligj për këto gjëra. Merre me mend që kur ka filluar përpjekja për t'i bërë pallatet tona të termoizoluara, ndërkohë që në 2003 e sot që duhet të ishte ligji në zbatim janë dhënë vendime dhe pallate, bile gjëma apo bëma e pallateve pikërisht nga 2003 e këtej është bërë ku pallatet tona nuk kanë qendra parkingu, qendër antenash, qendër të termoizoluar, qendër eficence energjie. Janë pallate të bëra si në vitet ku bota ishte në fatosërinë e saj”, u shpreh Sazan Guri.
 
Ajo që ambientalistët kërkojnë nëpërmjet letër-rezolutës është që institucionet nëpërmjet ushtrimit të kontrolleve të detyrojë ndërtuesit që ndërtimet të jenë të termoizoluara përpara se ata të bëjnë dorëzimin e tyre. Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues të ministrisë së mjedisit dhe të bashkisë.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)