TIRANE - “Jam penduar!” Janë këto fjalët e shqiptuara në Gjykatën e Tiranës sot nga Viktor Gushi, i akuzuar për mbi 16 krime, ndër të cila dy vrasje dhe shumë grabitje. “Nuk mendoja se do të arrija deri këtu”, ka thënë Gushi. “Asnjëherë nuk jam nisur për të vrarë”, deklaroi ndërsa shtoi se qëllimi i tij ishin vetëm lekët.

Gjatë seancës (foto) ai pohoi se grabitja më e madhe që kishte realizuar ishte një shumë prej 9000 eurosh. “Jam përpjekur për një jetë më të mirë”.

Gjykata e Tiranës vendosi për të masën e sigurisë me burg pa afat. Gjatë seancës Gushi ndihmohej nga avokatja Vjollca Pustina ndërsa prokurore e çështjes është zonja Linda Ziguri.

AKUZA: KONTROLL PSIQIK
Viktor Gushi, është kthyer tashmë në një "specie" studimi nga policia dhe prokuroria, pasi përgjatë dy intervistave të mara, ai ka treguar detaje të tjera, rreth grabitjeve që ka kryer. Duke qënë se përmend data të ndryshme dhe tregon veprime konkrete që ka bërë në teren, dje prokuroria e Tiranës ka urdhëruar policinë ti verë në dispozision rreth 30 dosjet e ngjarjeve, që janë pohuar nga i arrestuari.

Sipas burime të akuzës së kryeqytet kjo bëhet me qëllim për të mbledhur sa më shumë prova si dhe për të parë sinqeritetin e dëshmisë së dhënë në polici nga Viktor Gushi. Veç të tjerash,janë sekuestruar dhe katër bluza, me të cilat rezulton se ka qënë i veshur në 4 grabitje bankash.

Ndërkohë që përgjatë ditës së djeshme, autorit të vrasjes së arkëtares Leonora Kaloci dhe argjendarit Rrapo Sinanaj i janë marë kampione gjaku dhe urine, për ti bërë analizat nga ku do të mësohet nëse ai është përdorues droge ose jo. Gjithashtu në kuadër të hetimeve intensive rreth kësaj çështje, prokuroria ka urdhëruar që grabitësi serial ti nënshtrohet një ekspertize psikologjike, për të parë nëse ai vuan mënderisht dhe nëse është i ndërgjegjshëm për veprimet agresive që kryen.

E PREMTJA E FATIT
Viktor Gushi ka rrëfyer se grabiste të premteve, sepse sipas tij kjo ishte dita e tij me fat. I mjaftonin vetëm 3 minuta, për të mbushur qesen me para, ndërkohë që ai person që nuk bindej përballej me plumbat 7.62 që dilnin nga pistoleta e tij tip "TT". Ai rrëfen se grabitjen e parë të një banke në Tiranë e ka bërë tek Zogu i Zi. "Unë i studioja bankat, planifikoja çdo moment, nuk duhet të qëndroja më shumë se tre minuta në bankë. Gjithashtu llogarisja edhe rrugët nga do kaloja në mënyrë që kur policia të ishte në vendngjarje unë isha tepër larg dhe i paidentifikuar. Pas kësaj shkoja në banesën që kisha marrë me qera dhe më vonë ulesha në një lokal dhe dëgjoja lajmet që tregonin për ngjarjen në fjalë. Që kur erdha në Shqipëri, pas kthimit nga Greqia ku u dënova me pesë vjet, jam dënuar dy herë nga gjykata. Njëherë për një vjedhje në një fabrikë ku punoja, më kallzoi vetë pronari, por ndenja fare pak në qeli. E po kështu njëherë u dënova për aksident, por nuk u dënova nga gjykata"-ka rrëfyer Viktor Gushi. Pyetjes së njërit prej oficerëve se pse i qëllonte punonjësit ku hynte për të grabitur, ai është përgjigjur se kushdo që i bënte rezistencë apo tentonte të njoftonte policinë, ai e kishte ndarë mendjen ta qëllonte.

Por arkëtaret e postës pse e qëllove?
E qëllova sepse ajo po vonohej dhe po më ikte tre minutëshi i kohës për të grabitur.

Po gruan tek posta e ujësjellësit tek Shkolla e Baletit?
E qëllova sepse ajo më ofendoi, i futa pistoletën në gojë, por pastaj mora vesh nga lajmet që kishte shpëtuar.

Po për ngjarjen e vrasjes së pronarit te argjendarise, Rrapo Sinanaj?
E kisha studiuar edhe atë grabitje. Si do largohesha, ku do ishte policia kur unë të ikja në këmbë, pra si gjithmonë i kisha studiuar. Hyra në argjendari, i thashë atij mos bëj zhurmë dhe bindu se nuk të bëj gjë po u binde, por ai filloi të bërtiste. Ca njerëz nga farmacia po shikonin. E qëllova dhe dola ne derë. Ai filloi sërisht të bërtiste. Atëherë u ktheva dhe e vrava. E qëllova edhe dy herë të tjera.

Nuk të erdhi keq për atë kosovarin e shkretë që arrestuam më pas, pasi ai ishte i pafajshëm?
Më erdhi por unë e dija që do lirohej sepse nuk kishte asnjë provë.

Na thuaj për ngjarjen e fundit, çfarë kishe planifikuar dhe a kishe menduar se do të përfundonte kështu?
Në fakt kisha bërë plan të grabisja një bankë në rrugën e Elbasanit, por pasi e studiova mirë vura re qe ata po vendosnin kamera. Ndryshova plan. Fillova studjoja bankën NBG. Gjëja e parë që shikoja ishte si qëndronin rojet. Nëse ata qëndronin ulur e kisha më të lehtë. Studjova rrugën nga do hyja dhe nga do dilja. Piva kafen në mëngjes dhe atë ditë sërisht nisa studimin. Hyra në bankë i thashë asaj mos bëj asnjë rezistencë ma mbush qesen. Ajo filloi të vonohej. I thashë dëgjo se je pas këtij banakut prej dërrase unë të vras kështu që mos u vono. Në atë moment u afrua roja, unë kujtoja se ai do më qëllonte, qëllova arkëtaren dhe pastaj rojen.

S'të erdhi keq?
Më erdhi keq. Por edhe unë rrezikoja t'më vriste policia nëse më kapte aty. Shkova në banesë. U lava dhe sërisht pashë lajmet në televizion. Te nesërmen pashë identikitin. Kur pashë identikitin mendova kaq ishte. Por isha i qetë. Dola për të lozur dhe siç duket dikush më pa.

Po familja jote e dinte që t'i grabisje?
Jo askush. Unë jetoj vetëm. Kam qenë i martuar për katër vjet dhe me ish gruan kam jetuar në Greqi, u ndamë dhe s'kam fëmijë. Unë nuk e di ku ndodhet ajo.

Çfarë bëje kur nuk grabisje?
Unë jam klient i rregullt i kazino Tajvanit dhe kazino Rozafës. Kam edhe karta me vlerë disa mijë euro që shkoja lozja. Kam patur fat në kazino.

(eq/im/shqiptarja.com)