TIRANE- Me lajme tragjike niisi ky gushti i sivjetëm. Duhej të ishin ditë pushimi dhe relaksi por në 7 ditët e para të gushit është dashur të dëgjojnë çdo ditë se diku mund të ketë ndodhur një vrasje, diku tjetër, ndoshta në qytetin, apo në lagjen e tyre, një krim në familje, apo aksident. Brenda 7 ditësh numërohen 15 të vdekur, nga të cilët 8 të vrarë nga dora e dikujt tjetër.

BILANCI I PËRGJAKSHËM
Shqiptarët hynë në muajin gusht ende pa marrë veten nga shokimi që morën nga ngjarja tronditëse e 30 korrikut, kur i ati, Hysen Biba 29 vjeç hodhi foshnjën tre ditëshe nga dritarja e katit të katërt të maternitetit “Koço Gliozheni”.Më 1 gusht gjykata e Tiranës dha masën e arrestit burg për 29 vjeçarin, për të cilin familjarët e tij pretendonin se vuante prej kohësh, dhe po mjekohej, për çrregullimet mendore.

1 GUSHT Po këtë ditë vjen një lajm tronditës në Dukagjin babai vrau vajzën 16 vjeçe dhe më pas vrau veten. Shkaku sipas policisë ishte se vajza nuk donte të qëndronte në mal për të veruar me bagëtitë por donte të jetonte me nënën e saj në një fshat pranë Shkodrës.

2 GUSHT Një ditë më pas, në Tiranë burri, Arben Koxhaj vrau me thikë gruan, Manjola 30 vjeçe. Sipas policisë viktima kishte qenë në gjëndje të dehur.

5 GUSHT  E diel. Në Rrëshen u vranë vëllezërit Petrit dhe Eduard Noka. Në burg si autor i vrasjes është Agustin Mandreaj.

Po më 5 gusht dy punëtorë gjetën vdekjen pasi zuri një masiv dheu, teksa po punonin me eskavator për të hapur një kanal kullues në tokën e njërit prej viktimave. Ngjarja ndodhi pranë komunës Bërzhitë dhe viktimat ishin Islam Lika dhe Kujtim Çakri, nga fshati Lukë në periferi të Tiranës.

6 GUSHT E hënë. Në Poliçan Shpëtim Dervishi roje në kombinatin ushtarak vrau Vladimir Gurin, shefin e Sigurisë dhe më pas vrau veten. Më pas në shenjë hakmarrje, vëllai i Vladimirit, Kristaq Guri i preu kokën me sharrë kufomës. Policia arrestoi autorin një ditë pas krimit.

7 GUSHT - E marte. Më e fundit vrasja për grabitje e ndodhur dje pasdite, në mes të ditës tek ish- fusha e Aviacionit në Tiranë. Dy grabitës adoleshentë në tentativë për t’i marrë varëset vranë me thikë 37 vjeçaren Fatbardha Tafa, ndërsa plagosën motrën e saj Lumturie Gjata. Policia ende nuk ka arrestuar grabitësit ndërsa ka vënë 10 mijë euro shpërblim për kë jep informacion mbi arrestimin e tyre.
AKSIDENTE- 
Nga data 1 gusht deri më dje më 7 gusht janë shënuar 6 aksidente me 2 të vdekur dhe 14 të plagosur