Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një intervistë për të përjavshmen “Monitor”, ka deklaruar se autoritetet financiare të vendit po ndërmarrin një aksion të fuqishëm për të nxitur përdorimin e lekut në transaksione, përballë një përdorimi shumë të gjerë të valutës së huaj, kryesisht euros. Ai ka “dekonspiruar” edhe një aksion konkret, ku përfshihet BSH, ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me përgatitjen e një memorandumi, ku parashikohen masa për dekurajimin e qytetarëve dhe subjekteve në përdorimin e parasë së huaj, në favor të lekut.

Përdorimi në nivel të lartë i monedhës së huaj në transaksionet e sistemit financiar, është një fenomen që quhet “euroizim” apo “dollarizim”, në varësi të monedhës së huaj që mbizotëron. Euroizimi mund të thellohet më tej kur monedha e huaj përdoret si mjet pagese për transaksionet e ndryshme në ekonomi. Nëse nuk merren masa për uljen e tij, euroizimi ka vetinë të çojë në ndryshime strukturore të padëshiruara, ku çmimet në përgjithësi fillojnë dhe indeksohen me monedhën e huaj, thekson guvernatori. Sipas tij, përgjithësisht, përvojat e vendeve të ndryshme lidhur me dollarizimin/euroizimin, tregojnë se ai është një pasojë e periudhave me inflacion të lartë, me zhvlerësime të ndjeshme të monedhës kombëtare në raport me monedhat e huaja, me zhbalancime të natyrës makroekonomike, me kriza financiare e kështu me radhë.

Sejko ve në dukje se një nivel i lartë i euroizimit në sektorin bankar mund të shoqërohet me ulje të efektivitetit të politikës monetare të bankës qendrore dhe me shtimin e rreziqeve për stabilitetin financiar. Më konkretisht, bëhet fjalë për ekspozimin e aktorëve të tregut dhe klientëve të tyre ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.
Në përgjithësi në rang ekonomie, përdorimi i lartë i monedhës së huaj mund të jetë pengesë në përpjekjet e autoriteteve për formalizimin e ekonomisë, zbatimin e politikave fiskale efektive, reformave të nevojshme për transparencën financiare dhe arsye të tjera, thotë kreu i Bankës qendrore shqiptare.

Guvernatori Sejko shprehet më tej se ky është një fenomen kompleks dhe sfidues për t’u trajtuar, ku ndikimi i masave të ndryshme mund të bëhet i prekshëm vetëm në mënyrë graduale dhe në afat të mesëm ose të gjatë. Megjithatë, pavarësisht nga vështirësitë, ai gjykon se “është e nevojshme të reagohet me vendosmëri ndaj këtij fenomeni. Kjo do të ndihmonte në rritjen e rezistencës së ekonomisë shqiptare, kryesisht nëpërmjet uljes së ekspozimit të saj ndaj rreziqeve dhe përmirësimit të efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare të nevojshme për trajtimin e këtyre rreziqeve”.

Ai thotë se, me këtë synim, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kanë nisur tashmë diskutimet për të ndërtuar një qasje strategjike në trajtimin e këtij fenomeni, sipas fushave respektive të kompetencës. “Në këtë drejtim, po përgatitet një Memorandum mirëkuptimi, përmes të cilit autoritetet nënshkruese do të shprehin angazhimin për të vepruar në drejtim të uljes së përdorimit të monedhave të huaja, pra për rritjen e përdorimit të monedhës vendase, në ekonominë shqiptare”.

Si autoritet monetar dhe mbikëqyrës i veprimtarisë bankare, Banka e Shqipërisë është duke punuar për të identifikuar disa masa të cilat do të synojnë të rrisin koston e përdorimit të monedhës së huaj në transaksionet e sektorit bankar, të forcojnë rezistencën e sektorit bankar ndaj stresit të likuiditetit në valutë, dhe të përmirësojnë më tej kërkesat për ndërgjegjësimin e huamarrësve në valutë ndaj rrezikut shoqërues të kursit të këmbimit, ve në dukje ai.
Duke shtuar se, ikur të kemi arritur në një konkluzion përfundimtar rreth këtyre masave, Banka e Shqipërisë do të bëjë kujdes që faza e zbatimit të tyre në banka të jetë graduale.
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com