Guvernatori, LSI: Të zgjidhet me
konsensus president-mazhorancë

Guvernatori, LSI: Të zgjidhet me<br />konsensus president-mazhorancë
TIRANE - Me rreth 31 kandidatura për postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, dita e dielë shënon dhe përfundimin e afatit për karriken e kreut të Bankës, proces i celur nga kreu i shtetit. Tashmë pritet që sipas ligjit Nishani t’i propozojë disa emra Kuvendit, për zgjedhjen e Guvernatorit. 

Por, pas disa zërave në median e shkruar se Presidenti Bujar Nishani ka refuzuar emrin e argjentinasit Mario Blejer të propozuar nga kryeministri Rama për postin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili është shprehur sot se zgjedhja e Guvernatorit duhet të jetë e shpejtë, kushtetuese dhe me mirëkuptim. 

“Qëllimi i LSI është dhe mbetet një dhe vetëm një. Zgjidhja e çështjes së Guvernatorit si një problem i hapur për zgjidhje. Të jetë një zgjidhje kushtetuese, me mirëkuptim dhe e shpejtë. Të gjitha modalitetet e tjera që hyjnë brenda këtyre kornizave kushtetuese ligjore janë të mirëpritura përsa kohë do ti plotësojnë këto parime themelore”, tha Vasili ne nje konference per mediat, duke iu pergjgjigjur pyetjes se gazetares te A1 REPORT, Joniada Koçi.

Sipas ligjit për zgjedhjen e guvernatorit është Presidenti Republikës ai që propozon emrin e guvernatorit ndërsa Kuvendi më tej  e miraton. Në këtë kuadër takimet e Nishanit me Kryeministrin Rama kanë qenë të shpeshta për të pasur një kandidaturë konsensuale. Qoftë Kryeministri apo Presidenti i kanë shprehur hapur bindjet e tyre, Rama ka kërkuar që guvernatori të jetë mundësisht një personalitet i huaj, ndërsa Nishani është shprehur  që Shqipëria ka mjaft persona të aftë për të mbajtur këtë post.

Nga ana tjetër, gara për anëtarët e Këshillit Mbikqyrës, e përfunduar më 30 shtator, është iniciuar nga Kryeministri rreth dy javë më parë, teksa deri më tani janë mbledhur rreth 150 kandidatë për anëtarë të bordit drejtues së bankës. Sipas ligjit 5 anëtarë propozohen nga Kuvendi, 3 nga Këshilli Ministrave dhe një nga vetë anëtarët e Këshillit Mbikqyrës.

Vasili: Duhet "paqe" politike si për 'Nënë Terezën'...I kemi krijuar hapesirat opozites, t'i shfrytezoje
Bojkoti parlamentar i opozitës prej më shumë se dy muajsh ishte në qendër të diskutimeve të Asamblesë të Këshillit të Europës ku në formën e një “note” ndaj Shqipërisë, u kërkua rikthimi i klimës së konsensusit në politikën vendase.
 
Në një konferencë nga selia e LSI, nënkryetari i kësaj force politike, Petrit Vasili, si pjese e delegacionit shqiptar, përcolli për mediat shqiptare qëndrimet e mbajtura në Asamble. Ai theksoi se mazhoranca i ka krijuar të gjithë hapësirat dhe se i mbetet opozitës t’i shfrytëzojë ato duke iu rikthyer veprimtarisë parlamentare.
 
“Të gjitha qëndrimet ishin të unifikuara për një rishikim të këtij vendimi si një veprim i pranueshëm për të vazhduar jetën normale politike. Ne në diskutimet tona, konfirmuam që mazhoranca ka të njëjtin vullnet e bindje që bashkëjetesa me opozitën është dimensioni normali i demokracisë që ne po ndërtojmë. Mazhoranca ka krijuar të gjitha hapësirat e kërkuara nga opozita, rivlerësimi i tyre sigurisht është me vend, opozita duhet t’i përdorë këto kërkesa. Atë që morëm për sheshin “Nënë Tereza” si një mesazh të madh gjatë vizitës së Papës, nuk ka asnjë arsye që të mos rikthehet një klimë konsensusi, duke dëshmuar që i kemi premisat për të ndërtuar një politikë me një klimë më të qetë”, -u shpreh Vasili.

Gjithashtu, Vasili tha konsensusi nuk duhet parë brenda rrethit të ngrushtë të interesave të krerëve politike, por si faktor kyç për arritjen e reformave drejt integrimit evropian të vendit tonë.
 
“Mendoj që opozita dhe mazhoranca bashkë, ka detyrën të rishikojmë konsensusin si një përgjigje të madhe që duhet dhënë sa më parë që nuk kënaq krerët e partive politike, por shpejton ritmin e reformave që kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me fatet e qytetarëve shqiptarë”, theksoi Vasili. 

Tirana zyrtare përfaqësohej në këtë Asamble nga Petrit Vasili, Valentina Leskaj dhe deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.

PDF - Fjala e plotë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili‏

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e Egli Progës në Pogradec, arrestohen 3 dëshmitarët! Ishin detyrim paraqitje, Gjykata ndryshoi masën

Vrasja e Egli Progës në Pogradec, arrestohen 3 dëshmitarët! Ishin detyrim paraqitje, Gjykata ndryshoi masën