Guvernatori Sejko: Përmirësimi kuadrit ligjor, nevojë për menaxhimin e situatave të vështira financiare

/ATSH/-Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën Këshilluese të Sektorit Financiar (FinSAC) të Bankës Botërore, organizoi në Tiranë, takimin me temë "Diskutim mbi implementimin e standardeve të Direktivës për rimëkëmbjen dhe zgjidhjen e bankave".
Në njoftimin për shtyp, BSH-ja  bëri të ditur të enjten se, takimi u organizua në kuadër të proçesit të rishikimit të kuadrit ligjor ekzistues me qëllim përmirësimin e tij në drejtim të përafrimit sa më të shpejtë dhe në mënyrë të përshtatshme me standardet e Direktivës 2014/59 të Bashkimit Evropian, për rimëkëmbjen dhe zgjidhjen e bankave në vështirësi.
Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues nga Banka e Shqipërisë, nga Banka Botërore, Komisioni Evropian, sektori bankar, Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe shoqatat e kursim-kreditit.
Në fjalën e hapjes, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko theksoi se nga vlerësimet e kryera nga vetë Banka e Shqipërisë, si edhe nga rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë, gjykohet e nevojshme të kryhen përmirësime në kuadrin ligjor ekzistues me qëllim që t'u mundësojë autoriteteve në tërësi instrumentet e nevojshme ligjore për menaxhimin e situatave të vështirësive në sektorin financiar në mënyrë eficiente për shoqërinë.
Gjatë fjalës së tij, Guvernatori bëri me dije për të pranishmit vendimin e marrë së fundmi nga Autoriteti Bankar Evropian (European Banking Authority - EBA) që konfirmon përmbushjen e të gjitha standardeve nga ana e Bankës së Shqipërisë për t'u përfshirë në listën e autoriteteve mbikëqyrëse të vendeve firmëtare të Memorandumit të Bashkëpunimit me EBA-n. Ky Memorandum hap rrugën e integrimit të Bankës së Shqipërisë në strukturat mbikëqyrëse të Bashkimit Evropian duke kontribuar në rritjen e mëtejshme të autoritetit ndërkombëtar të saj.
Në përmbyllje të takimit, Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, theksoi se ky takim shënon fillimin e punës për hartimin e kuadrit ligjor për trajtimin dhe zgjidhjen e institucioneve financiare, një proces i cili do të përfshijë në diskutime të gjitha grupet e interesit, në mënyrë që ligji i ri të maksimizojë interesin publik.
Informacion mbi FinSAC
Qendra Këshilluese e Sektorit Financiar (FinSAC) është themeluar nga Banka Botërore dhe ka për qëllim të ofrojë asistencë teknike, për çështje të rregullimit dhe të mbikëqyrjes së sektorit financiar, për bankat qendrore dhe rregullatorët financiarë në Evropë dhe në Azinë Qendrore.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Zyrtarë të Ambasadës së SHBA takohen me kreun e AMP, Sulejmani: Mirënjohje për mbështetjen e dhënë