Dy ndërtesa 51-katëshe, me mbi 600 apartamente në veri të Tel Avivit, ku bregdeti mesdhetar rritet në përpjesëtim me çmimet për metër katror. Grupi izraelit pas këtij projekti imobiliar ka zgjedhur si figurë promovuese aktoren dhe sipërmarrësen Gwyneth Paltrow. Ajo, në një reklamë që transmetohet në televizionet lokale i përgjigjet pyetjes së shoferit “New York?” me “Jo, Herzilya”, qyteti (ndër më të shtrenjtët në Izrael) ku do të ndërtohen këto qiejgërvishtës.

Fituesja e një çmimi Oscar është sulmuar në rrjetet sociale nga aktivistë, të cilët kanë vënë në dukje kontrastin mes luksit të shfaqur të projektit dhe kushteve në jug të Libanit nën bombardime, apo atyre të dy milionë palestinezëve në Gaza që jetojnë në tenda, të grumbulluar në gjysmën e territorit ku më parë banonin. Paltroë akuzohet se “mbështet gjenocidin”, dhe në fushatën kundër saj marrin pjesë edhe llogari të menaxhuara nga makineria iraniane e propagandës dixhitale. Në një koment, The Guardian vë në dukje se kompania Melisron, pas projektit, zotëron gjithashtu prona në koloninë Ma’ale Adumim.

Në vitin 2014, aktorja Scarlett Johansson u kritikua pasi u bë fytyra e një grupi izraelit që prodhonte pajisje për përgatitjen e sodës në shtëpi: fabrika ndodhej në Mishor Adumim, një zonë industriale në Bregun Perëndimor e lidhur me vetë vendbanimin e madh. Në atë kohë Johansson shpjegoi se ishte “gjithmonë në favor të bashkëpunimit ekonomik dhe ndërveprimit social midis një Izraeli demokratik dhe Palestinës”. SodaStream punësonte kryesisht punëtorë palestinezë./Corriere