Hadërgjonaj rrëfehet për anglezët: Futbollistët e Kosovës ecnin nëpër male për ti shpëtuar luftës

Hadërgjonaj rrëfehet për anglezët: Futbollistët e Kosovës ecnin nëpër male për ti shpëtuar luftës

Florent Hadergjonaj ishte një nga lojtarët më të mirë për Kosovën në fitoren mbreslënëse 2-1 kundër Çekisë, ç’ka i dha mundësinë ‘daradanëve’ të mbanin përkohësisht vendin e parë në Grupin A, para se Anglia ta merrte atë në mbrëmjen e së shtunës.

Tanimë të martën do të luhet përballja direkte mes Anglisë dhe Kosovës dhe për këtë mediat britanike, konkretisht ‘Daily Mail’, i ka marrë një intervistë Hadërgjonajt, i cili mbi të tjera ka treguar edhe për vështirësitë e luftës me Serbinë që disa prej futbollistëve të Kosovës kanë përjetuar.

“Kur ulemi bisedojmë të gjithë lojtarët, nuk flasim vetëm për futbollin. Ne flasim edhe për kohën e luftës në vendin tonë, ata që nuk kanë qenë pjesë e saj dëgjojnë të tjerët që kanë qenë. Dëgjojmë nga shokët e skuadrës se ata ecnin nëpër male për të shpëtuar nga lufta, kur ata ishin fëmijë. Nuk kishin as ushqim asgjë, thjesht ecnin për 2 ose 3 ditë duke dëgjuar të shtënat e armëve rreth tyre. Është emocionuese, pasi ti e kupton me çfarë janë përballur familja dhe kushërinjtë e tu,”- tha fillimisht mbrojtësi i majtë.

Më pas Hadërgjonaj ka shtuar: “Kombëtarja mund të tregojë fytyrën më të mirë të vendit tonë. Lojtarët tanë kanë lindur në vende të ndryshme, por të gjithë bashkohemi dhe tregojmë përformanca të mira. Dashuria për futbollin është e çmendur, teksa kur mundëm Bullgarinë, qindra tifozë qëndruan në aeroport deri në orën 3 të mëngjesit për të na përshëndetur dhe përgëzuar. Nëse ne shkojmë diku për të ngrënë ata nuk na lënë të paguajmë. Unë nuk mund ta imagjinoj dot se çfarë do të ndodhte, nëse ne kualifikohemi në Euro2020.”

Hadërgjonaj nuk u ndal këtu, por tregoi edhe për vështirësitë e luftës që ka përjetuar familja e tij. “Ishte e vështirë për prindërit e mi. Pjesa tjetër e familjes sonë po luftonte për jetën e tyre dhe ne nuk mund të bënim asgjë pasi ishim larguar drejt Zvicrës. Babai im ka kushërinj që ishin në luftë dhe u vranë. Kur kthehem në Kosovë tani, vizitoj të afërm, gra pa burrat e tyre dhe fëmijë dhe pa baballarët. Ndihem me fat që kam qenë në Zvicër. Ky shtet më dha gjithçka dhe më lejoi të bëhesha futbollist.”

Hadërgjonaj me tej foli për arsyen që e bëri të zgjidhte Kosovën, pasi më parë ka qenë pjesë e Zvicrës. “Ishte e vështirë për të vendosur. Zvicra u dha prindërve të mi një jetë më të mirë por unë gjithashtu kisha një familje që luftoi për një vend që tani po rritet. Në fund, bëra atë që ndjeja përbrenda. Unë fola me ndershmëri me Federatën e Futbollit të Zvicrës dhe jam mirënjohës që ata e kuptuan dhe nuk e bënë më të vështirë për mua.”

Në fund komenti për sfidën e 10 shtatorit përballë Anglisë. “Anglia ka lojtarë të shkëlqyeshëm. Ata duken të rrezikshëm nga TV, por dua t’iu them se është akoma më e vështirë kundër tyre në fushën e lojës. Kosovarët do të vijnë nga çdo vend në këtë ndeshje, për të na mbështetur.”

Ne.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës