Për të parën herë pas vendimit të Dhomave të Specializuara për Kosovën në Hagë, që dënuan me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, kryeministri Edi Rama është ndalur gjatë për të komentuar këtë çështje.
Gjatë një takimi me shqiptarët në Michigan të SHBA-ve, ku ndodhet për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Rama e cilësoi vendimin e Hagës ndaj 4 ish-krerëve të UÇK-së si një ‘varrosje për së gjalli të tyre’.
Duke theksuar se vendimi i Hagës është një ‘marre ndërkombëtare’, Rama tha se përballë saj qëndron një pafuqi kombëtare nga ana e vendit tonë për të vepruar.
“Si rrallëherë jam përpëlitur si këtë herë për të rreshtuar fjalët e një fjalimi, sepse nuk kisha si e shmangia atë që ndodhi në Hagë para disa ditësh, por nuk gjeja edhe rrugën sesi t’i qasesha atij guri të madh të rëndë, për të cilin fjalët duken të kota si në një mort. Një mort për së gjalli në këtë rast, një varrosje njerëzish të gjallë dhe një pafuqi kombëtare përballë një marreje ndërkombëtare”, tha mes të tjerash Rama.
Më tej kryeministri theksoi se Haga e mori vendimin ‘në emër të popullit shqiptar të Kosovës’, në një kohë që sipas tij, vetë populli nuk është dakord me këtë vendim.
“Ka një fjalë që na e përsërisin shpesh, ‘respektoni vendimin e gjykatës’. Vendimet e gjykatave duhen respektuar dhe nuk diskutojmë këtë, por jo vendimin e gjykatës, por edhe vetë vdekjen në heshtje e pranon vetëm ai që vdes. Problemi në këtë rast nuk është të mos respektosh vendimin e gjykatës, por si ta refuzosh varrosjen për së gjalli të 4 njerëzve në emër të popullit, ku vetë populli nuk e gjen veten në atë vendim të dhënë”, shtoi Rama.
Në përfundim Rama tha se i takonte të zgjedhurve të popullit të Kosovë, pra Qeverisë së Kosovës, për të refuzuar ‘varrosjen për së gjalli’ të 4 ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas shefit të Qeverisë, Shqipëria nuk mund të bëjë asgjë më shumë për vendimin e Hagës, veçse t’i qëndrojë në krah Kosovës.
“Natyrisht që Shqipëria nuk mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës, por të zgjedhurit e popullit të saj do të vendosin ta refuzojnë varrosjen për së gjalli të atyre 4 burrave. Unë besoj se respektimi i detyruar i atij vendimi të gjykatës, nuk e pengon kurrësesi refuzimin e asaj varrosjeje si një fatalitet pa apel”, përfundoi Rama.
Lajmi kryesor:
Rama me shqiptarët në Michigan: Nis zbatimi i Strategjisë së Diasporës 2030! Mesazh Kosovës për verdiktin e Hagës: Refuzoni 'varrosjen për së gjalli' të krerëve të UÇK







