Haga i dha pafajësinë,Haradinaj
në Prishtinë: Me ju, fitore të reja

Haga i dha pafajësinë,Haradinaj <br />në Prishtinë: Me ju, fitore të reja
HAGE - Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj për herë të dytë shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Hagës ndaj akuzave për krime lufte, një vendim që tregon se Lufta Çlirimtare e Kosovës ishte e drejtë. Këshilli Organizues për pritjen e zotit Haradinaj ka bërë të ditur se ai arrin në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës në orën 17:00 me një fluturim të veçantë nga Holanda, informon media kosovare Radia Evropa e Lirë.

Scroll down for english version

Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, shpalli të pafajshëm dhe liroi nga akuzat edhe ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-komandantët Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj. Që prej 21 korrikut të vitit 2010, pas vendimit të Gjykatës së Hagës, Haradinaj së bashku me ta u rigjykuan pjesërisht nën akuzën për “trajtim mizor, torturim dhe vrasje të të burgosurve” në atë që quhej kampi ushtarak i Jabllanicës më 1998”. Gjykata tha se nuk kanë qenë të besueshme dëshmitë që vërtetojnë se Haradinaj ka pasur dijeni për krime e tortura në kampin e Jabllanicës. “Gjykata ju shpall të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës të ngritura ndaj jush. Gjykata urdhëron që ju të liroheni nga qendra e paraburgimit e kësaj gjykate sapo të plotësohen të gjitha procedurat dhe formalitetet e paraburgumit"- tha gjyqtari Bakone Justice Moloto.

Gjyqtari tha se nuk pa prova që Haradinaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij të kenë marrë pjesë në plane kriminale për keqtrajtimin e serbëve. “Përkundrazi provat përcaktojnë se kur flitet pë keqtrajtim ndaj personave, Haradinaj ka kërkuar që gjëra të tilla të mos ndodhnin pasi dëmtohet kauza”- tha gjyqtari kryesues Bakone Justice Moloto

Gjyqtarët thanë sot se serbë etnikë dhe shqiptarë u keqtrajtuan në kampet e kontrolluara nga UÇK, por nuk është zbuluar asnjë provë që Haradinaj të ketë lidhje me këto incidente. Madje në një rast gjyqtari Moloto tha se Haradinaj kishte ofruar “ushqim dhe strehim një të burgosuri të arratisur para se ai të kthehej në familjen e tij."

HARADINAJ MBERRIN NE PRISHTINE
17:20 Ka mbërritur në Prishtinë me një avion të veçantë Ramush Haradinaj, së bashku me dy ish-luftëtarët e tjerë Lahi Brahimajn dhe Idriz Balajn. Udhëtimi dhe mikëpritja është organizuar nga Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. Haradinaj është pritur nga bashkëshorja e tij, Kryeministri Thaçi, zëvendëskryeminstri Behxhet Pacolli, në një ceremoni me protokoll shtetëtor në aeroportin "Adem Jashari" të Prishtinës. Haradinaj është takuar me familjarët dhe njerëzit e shumtë që kanë dalë për ta pritur në aeroport.

Në konferencën e përbashkët për shtyp Kryeministri Thaçi pasi i shprehu mirëseardhjen, Hamush Haradinaj dhe dy ish-luftëtarëve të UÇK-së theksoi se më këtë vendim lidhet fakti se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe është rikonfirmuar besimi në drejtësi.

ramushi ne aeroport, prishtine
(Në foto Ramush Haradinaj sapo zbriti nga avioni në Prishtinë)

“Mirëseerdhe në Kosovën e Pavarur Hamush Haradinaj. Sot për shtetin e Kosovës, për qytetarët e saj, për vetë zotin Haradinaj dhe për familjen e Haradinaj është një lajm i gëzuar. Një lajm që lidhet drejtpërdrejt me luftën e pastër dhe të drejtë të UÇK-së.
Sot u rikonfirmua besimi ynë në drejtësi, u lehtësua durimi i zotit Haradinaj, drejtësia e tij dhe bashkëudhëtarëve të UCK. Pafajësia e zotit Haradinaj është plotësim i gjithë asaj feste madhështore për 28 nëntorin, ditën e pavarësisë.
Në emrin tim personal dhe të gjithë miqve të Kosovës ju dëshiroj mirëseardhjen në Kosovë dhe punë të mbarë në jetën aktive të politikës dhe në aktivitete të tjera. Përshëndes edhe familjen tuaj dhe të gjithë bashkëluftëtarët. Jam i bindur se sot çdo familje shqiptare ndan gëzimin me ju”, u shpreh Kryeministri Hashim Thaçi.

ramushi ne prishtine
(Në foto Ramush Haradinaj gjatë pritjes në aeroportin e Prishtinës)

Ndërkohë që nga ana e tij në fjalën e shkurtër përshëndetëse u shpreh se sot me vendimin e saj drejtësia kombëtare konfirmoi se lufta e UÇK-ka qenë e drejtë.

“I nderuar zoti Kryeminstër Thaçi, qytetarë dhe të pranishëm shpreh falenderimin tim për pritjen e sotme dhe kujdesin që me bëhet mua. Në një proces të gjatë jam gëzuar për arritjet, jam mërzitur për sfidat dhe vështirësitë. Sot jam gëzuar se drejtësia kombëtarë ka konfirmuar se lufta jonë ka qenë e pastër dhe e drejtë. Do t’i kalojmë së bashku sfidat që na presin. Unë ju siguroj se do të punoj me ju për sfidat dhe fitoret e reja. Do punoj me ju që të ecim në rrugën tonë drejt së ardhmes. Përshëndes dhe gardën. Faleminderit zoti Kryeministër”, u shpreh Haradinaj.

HARADINAJ NE OREN 19:00 DO FLASE NE SHESHIN "NENE TEREZA"
Ora 16:45 RTK informon se në orën 19:00 Ramush Haradinaj pritet t''ui adresohet qytetarëve në Sheshin “Nënë Tereza”.

KRASNIQI: DREJTESIA VONON, POR NUK HARRON
Ora 15:00 “Vendimi i sotëm i Tribunalit të Hagës, me të cilin shpallen të pafajshëm Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj, rikonfirmon pastërtinë e luftës, që kanë bërë këta luftëtarë dhe shokët e tyre”, thuhet në deklaratën për media të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Krasniqi theksoi se “u dëshmua se drejtësia mund të vonoj, por vjen përfundimisht”.

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Hagës, sipas Jakup Krasniqit, padyshim është ngjarje e rëndësishme në jetën personale të ish-të akuzuarve, të familjeve dhe miqve të tyre, por mbi të gjitha, përbën një akt madhor me të cilin, për të disatën herë rrëzohen akuzat e pabaza kundër drejtësisë dhe pastërtisë së Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Me këtë vendim, drejtësia ndërkombëtare dëshmoi profesionalizmin e saj, kredibilitetin dhe besueshmërinë e lartë që gëzon”, tha Krasniqi, për të shtuar se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë çlirimtare dhe sipas zakoneve e rregullave ndërkombëtare të luftës, prandaj nuk mund të inkriminohet nga asnjë gjykatë”. Krasniqi ka shprehur bindjen e plotë se edhe në rastet e tjera të luftëtarëve të lirisë, duke përfshirë edhe këtë të fundit me Fatmir Limaj, drejtësia do të fitojë, duke shpallur pafajësinë e tyre dhe drejtësinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

HARADINAJ NE OREN 17:00 NE PRISHTINE

Ora 14: 59
Këshilli Organizues për pritjen e zotit Haradinaj ka bërë të ditur se ai arrin në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës në orën 17:00, me një fluturim të veçantë nga Holanda, informon REL.

DEL PONTE: HETIMI I HARADINAJT ISHTE I VESHTIRE

Ora 14: 52
Ish-kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla Del Ponte, ka deklaruar se nuk është e befasuar me vendimin e sotëm për lirimin e Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt, por me faktin se ka qenë vështirë të mblidhen dëshmi të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës. “Hetimi i Ramush Haradinajt ka qenë i vështirë. Nuk kishte bashkëpunim me Kosovën, kështu që ka qenë shumë e vështirë të mblidhen dëshmitë e mjaftueshme për të ngritur aktakuzën”, i ka thënë Del Ponte agjencisë serbe të lajmeve Tanjug. Sipas saj edhe kur janë mbledhur dëshmitë, dëshmitarët i ndryshonin deklaratat e tyre. Për këtë arsye Prokuroria kishte iniciuar rast të ri, por edhe kësaj radhe kishin hasur në problemet e njëjta. Ajo nuk ka komentuar, por ka qeshur me kërkesën e avokatit të Haradinajt, Ben Emerson që t’i kërkoi falje publike të akuzuarve dhe popullit të Kosovës.

VETËVENDOSJE: VENDIMI, DESHMI E LUFTES TONE TE DREJTE
Ora 14:10
Lëvizja Vetëvendosje përshëndet lirimin e Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj nga akuzat në Gjykatën e Hagës.
"Vendimi për pafajësinë e Komandantit dhe ish-luftëtarëve të UÇK-së është edhe njëherë dëshmi se lufta jonë ka qenë e drejtë, me dinjitet dhe çlirimtare. Me këtë rast, përpjekjet për ta zhvendosur dhe transformuar qëllimin e luftës për çlirim nga Serbia u hodhën poshtë si të pavërteta e të pavlefshme", thuhet në njoftimin për mediat të VV-së.

AAK: KTHIMI I HARADINAJT DO TE SJELLE ZHVILLIME POZITIVE
Ora 14:00
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pritur me festë vendimin e Gjykatës së Hagës për lirimin e liderit të saj Ramush Haradinaj.
Nënkryetari i parë i AAK-së, Blerim Shala tha se kthimi i Haradinajt do të sjellë zhvillime pozitive dhe dinamike politike në vend. Sipas tij, skena politike e Kosovës ka ndjerë mungesën e ish-kryeministrit Haradinaj. Shala nuk e ka përjashtuar as mundësinë e përfshirjes së AAK-së në qeverinë aktuale, siç tha ai, për t’i ndihmuar dhe çuar përpara proceset në interest ë Kosovës, siç janë angazhimet për rend e ligj në veri, dialogu me Beogradin si dhe aspektet e politikës së jashtme që nënkuptojnë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. AAK është subjekti më i përfolur për përafrimin e saj me qeverinë Thaçi, kurse nënkryetari i saj Blerim Shala, është emëruar nga presidentja Atifete Jahjaga në postin e koordinatorit të Kosovës për bisedimet me Serbinë.

AVOKATI:DEL PONTE T'I KERKOJE TE FALUR HARADINAJT

Ora 13:32
Avokati mbrojtës i Haradinajt, Ben Emmerson deklaroi se “më në fund, Gjykata e Hagës vendosi drejtësi ndaj Ramush Haradinajt dhe popullit të Kosovës”. Emmerson bëri të ditur se Haradinaj kthehet sonte duke përcjellur porosinë e tij, se ai së shpejti “do të rimarrë pozitën e tij si lider politik i vendit, për të udhëhequr qeverinë që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës. Është koha për pajtim”, citohet të ketë thënë Haradinaj. Ndërkohë, Emmerson ka kërkuar edhe nga ish prokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte që “t’i kërkojë falje zotit Haradinaj dhe të gjithë kosovarëve për gabimet e rënda të gjykimit të saj në këtë rast”, thuhet në deklaratë, informon RTK.

JAHJAGA MIREPRET VENDIMIN

Ora 13: 20 Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në ish-Jugosllavi që të shpallë të pafajshëm ish-kryeministrin e Kosovës dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ramush Haradinajn.
Në një komunikatë për shtyp, presidentja e vendit e ka cilësuar vendimin e sotëm si ”një dëshmi se lufta jonë e drejtë dhe prijësit e luftës tonë çlirimtare nuk janë fajtorë për krimet që u janë mveshur”.
Presidentja e Kosovës përgëzoi qytetarët e Kosovës ”për bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës në përpjekje për të kërkuar drejtësi për krimet e luftës të kryera në Kosovë dhe durimin e tyre gjatë kësaj periudhe”

AAK: HARADINAJ VJEN SOT NE PRISHTINE
Ora 11:20 
Gazeta Express shkruan se Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj do te priten me protokoll shtetëror në Prishtinë, rreth orës 18:00. Kjo gazetë citon zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri. Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi i tha Radio Kosovës se vendimi i Gjykatës së Hagës për lirimin e Ramush Hardinajt, Lah Brahimajt dhe Idriz Balajt është lajm i gëzuar dhe mirë pritur pas festës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

THAÇI: LIRIMI I HARADINAJT TREGON SE LUFTA E UÇK-SË ISHTE E DREJTË
Ora 11:00 
Kryeministri Hashim Thaçi e mirëpriti vendimin e Gjykatës së Hagës për lirimin e luftëtarëve të lirisë dhe konsideron atë si një vendim të drejtë.
”Ky vendim është dëshmia më e fortë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë për liri dhe nuk ka kryer krime për të cilat jemi akuzuar padrejtësisht. Ky proces i stërzgjatur i Gjykatës së Hagës kundër Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt ka qenë shumë i dhimbshëm për t’u përballuar jo vetëm për ata dhe për familjet e tyre, por ka qenë shumë i vështirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe shtetin tonë. Fatmirësisht, durimi ynë dhe besimi që kishim në drejtësinë ndërkombëtare sot u shpërblye me vendimin e drejtë dhe të merituar”, thuhet në komunikatën për media.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës uron ish-kryeministrin Ramush Haradinajn, Idriz Balajn dhe Lah Ibrahimajn për lirimin e tyre dhe kthimin në familjet e tyre, kthimin në vendin e tyre për të cilin kanë dhënë aq shumë. Po ashtu, Thaçi uron të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë fitore të shumë pritur dhe fton qytetarët që të festojnë këtë moment me dinjitet dhe krenari.
Më tej në komunikatë thuhet se kryeministri Thaçi rithekson se lufta jonë për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe e shenjtë, ndërsa kjo u vërtetua nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës sot, dhe do të dëshmohet përsëri me rastin e Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij.

FESTIME NE PRISHTINE
Ora 09:30 Qindra qytetarë po festojnë në shesh lirimin e Haradinajt. Ata kanë ndjekur në shesh seancën gjyqësore nëpërmjet ekraneve të mëdha. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se Haradinajt do i organizohet një pritje madhështore.
festimet ne prishtine
(Foto, festimet në sheshin "Nënë Tereza" në Prishtinë)

RIGJYKIMI I HARADINAJT
Në vitin 2008, Haradinaj dhe Balaj, i njohur dhe me emrin "Shqiponja e Zezë"  u liruan nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa i akuzuari i tretë, Brahimaj, u dënua me gjashtë vjet heqje lirie për “trajtim mizor dhe torturim” të të burgosurve të UÇK-së.

Vendimi për tu shpallur i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, u mor më 3 prill 2008, ndërsa më 21 korrik 2010 Haga mori vendimin që rastin Haradinaj ta rikthejë pjesërisht në gjykim. Rigjykimi, erdhi si kërkesë e prokurorisë së Gjykatës së Hagës për t’i dëgjuar dëshmitë shtesë të dy dëshmitarëve “të rëndësishëm”.

Partia e Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, informoi në mëngjes se do të transmetonte drejtpërdrejt shpalljen e vendimit të sotëm, përmes ekraneve gjigante të vendosura në Prishtinë, Gjakovë, Deçan, Pejë etj. Haradinaj në fundin e vitit 2004 ishte zgjedhur kryeministër i Kosovës, por ai dha dorëheqje nga ky post në fillim të marsit 2005 dhe vullnetarisht shkoi në Gjykatën e Hagës.
ramush haradinaj
(Foto nga seanca në Hagë)

Pavarësisht mosangazhimit të tij politik gjatë kohës sa zhvillohej rigjykimi i pjesshëm, Haradinaj ka mbetur kryetar i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, drejtimin e së cilës pritet ta vazhdojë pas kthimit në Prishtinë. Vendimi i Gjykatës së Hagës në rastin Haradinaj e të tjerët vjen rreth dy javë pasi kjo gjykatë hodhi poshtë vendimin e Shkallës së Parë për dy ish-gjeneralët kroat, Ante Gotovina dhe Mladen Markaç. Sipas vendimit në fjalë, të dy gjeneralët ishin dënuar me 24 dhe 18 vite heqje lirie për shkak të bashkëpunimit gjatë operacionit “Stuhia” të kryer në verën e vitit 1995 në Krajinë të Kroacisë.


ENGLISH VERSION
---------------------------------------------------
Former Kosovo prime minister Ramush Haradinaj was acquitted of crimes against humanity in a retrial on Thursday, a decision that could stir tensions between Serbia and its former province and clear the path for his return to mainstream politics.

The judges ruled that there was no evidence that Haradinaj, then a commander of the Kosovo Liberation Army (KLA), and two accomplices had taken part in a criminal plan to drive ethnic Serbs out of the province by mistreating them.

"On the contrary, the evidence establishes that, when he heard about the mistreatment of individuals, Haradinaj said no such thing should happen because this is damaging of our cause," the presiding judge, Bakone Justice Moloto, said.

Haradinaj was first acquitted in 2008, but appeal judges ordered a partial retrial, saying the prosecution should have been given more time to make its case.

Redaksia Online
(sg/eç/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Del fotoja e mikut të biznesmenit që vdiq det, u arrestua sot! Do i vendosnin tritol anijes 'Finikas Lines', ishin konkurentë në linjën Sarandë-Korfuz

Del fotoja e mikut të biznesmenit që vdiq det, u arrestua sot! Do i vendosnin tritol anijes 'Finikas Lines', ishin konkurentë në linjën Sarandë-Korfuz