Sikur të mos mjaftonte kërkesa e një dite më parë për dënimin, deklaratat përmbyllëse të akuzës në Hagë në ditën e dytë ishin njësoj tronditëse. Prokuroi Matt Halling në përmbledhjen përfundimtare të akuzës u kap me dëshmitë e zyrtarëve të lartë në gjyqin ndaj Thaçit dhe ish krerëve të tjerë të UÇK.

Sipas tij, Ish-zv.ndihmës sekretari amerikan i shtetit dhe ish-gjenerali i lartë i Natos Wesley Clark ishin gënjyer nga Thaçi dhe të tjerët dhe nuk ishin në dijeni të asaj që ndodhte në terren tha prokurori Halling teksa i paraqiste trupit gjykues argumentet përse të akuzuarit duhet të shpallen fajtor për krime lufte, kundër njerëzimit.

“Ata nuk e dinin se ai [Thaçi] mund të bënte emërime ushtarake...Ajo që nuk kuptojnë James Rubin, Wesley Clark dhe ndërkombëtarë të tjerë është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet se si funksiononte UÇK-ja. Veçanërisht Rubin dhe Clark treguan se nuk kishin asnjë interes për të kuptuar çfarë ndodhte në realitet dhe besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë dhe nuk u përballën me atë çka po dëgjon tashmë ky trup gjykues”.

Ish-zyrtari i lartë amerikan James Rubin dhe ish Gjenerali Wesley Clark në dëshmitë e tyre thanë se Thaçi nuk kishte kompetenca të pakufizuara dhe e përshkruan atë si një zyrtar pa autoritet mbi UÇK.

Në një deklaratë diskredituese ndaj dëshmitarëve të mbrojtjes prokurori Halling madje tha se James Rubin dhe Wesley Clark nuk ishin të interesuar të kuptonin realitetin e kohës kur pretendohet se Thaçi e të tjerët kanë kryer krimet.

“Veçanërisht Rubin dhe Clark treguan se nuk kishin asnjë interes për të kuptuar çfarë ndodhte në realitet dhe besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë dhe nuk u përballën me atë çka po dëgjon tashmë ky trup gjykues”, tha ai.

Halling vijoi pas argumentimeve të akuzave për Thaçin edhe me ato për Veselin Krasniqin dhe Selimin të cilët gjithashtu i bëri pjesë aktive të masakrave të kryera në periudhën 1998-1999.

Edhe për Veselin, Prokuroria pretendon se ai ka qenë figurë shumë e rëndësishme në emërimin e komandantëve. Sipas saj, Veseli ka qenë pjesë e vendimit për të përzgjedhur persona që të mbikëqyrin operacionin e torturës.

Ndërsa për Selimim deklarohet se ka kontribuuar "qëllimit të përbashkët kriminal" dhe përmendet sërish se ai ka rrahur një të ndaluar me një tub plastik, si dhe ka kryer "krime tjera".

“Një dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar tregon se si Selimi i tha atij, ‘do t’i vras me duart e mia të gjithë ata që janë me [Ibrahim] Rugovën’”

Në fund të deklaratës përmbyllëse të akuzës, foli Simon Laws, mbrojtës i viktimave, sipas të cilit shumë prej viktimave të dhunës, kanë qenë mbështetës të UÇK dhe se akuza nuk ka qëllim të denigrojë atë.

Kryeprokurorja Kimberly Uest, kërkoi të hënën si përfaqësuese e akuzës 180 vite burg për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Ata sipas akuzës duhet të dënohen me nga 45 vite burg secili.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm. Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Pas përmbylljes së deklaratave, do të kenë mundësinë të flasin avokatët mbrojtës dhe më pas çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:35
OVL-UÇK reagon pas deklaratave të Prokurorisë në Hagë: Proces i njëanshëm, po injorohen krimet e Serbisë!

Foto ilustruese

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, OVL-UÇK, kanë shprehur shqetësim të fortë për mënyrën se si Prokuroria në Hagë ka folur për UÇK-në në fjalët e saj përmbyllëse.Sipas OVL-UÇK-së, përdorimi i termit “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” për udhëheqjen e UÇK-së është i papranueshëm dhe përbën përpjekje për ta paraqitur luftën çlirimtare si kriminale.

“OVL UÇK shpreh shqetësim të thellë dhe kundërshtim të fuqishëm ndaj përmbajtjes dhe gjuhës së përdorur në fjalët përmbyllëse të Prokurorisë në Dhomat e Specializuara në Hagë. Pretendimet e paraqitura, përfshirë etiketimin e udhëheqjes së UÇK-së si pjesë e një “Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale”, përbëjnë një tentativë të papranueshme për kriminalizimin e luftës sonë çlirimtare dhe për rishkrimin e historisë së rezistencës së drejtë të popullit të Kosovës"thuhet në deklaratë.

Në reagim thuhet se UÇK-ja ka qenë ushtri çlirimtare, e krijuar për mbijetesë dhe liri, e mbështetur nga populli i Kosovës dhe e njohur si palë legjitime në luftë.

"UÇK-ja ishte dhe mbetet ushtri çlirimtare, e lindur nga nevoja për mbijetesë dhe liri, e mbështetur nga populli dhe e njohur nga bashkësia ndërkombëtare si palë legjitime në luftën kundër regjimit gjenocidal serb. OVL UÇK riafirmon bindjen se kjo gjykatë po zhvillon një proces selektiv dhe të njëanshëm, duke injoruar krimet shtetërore të Serbisë dhe duke u fokusuar padrejtësisht mbi drejtuesit e luftës çlirimtare. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të vërtetën historike, dinjitetin e luftës sonë dhe figurën e bashkëluftëtarëve tanë. Drejtësia e vërtetë nuk ndërtohet mbi shtrembërim faktesh, por mbi të vërtetën e plotë”, përfundon deklarata

Ora 14:24
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Konjufca: Do të dalin të pafajshëm!

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosja në Kosovë, Glauk Konjufca, deklaroi të martën se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë do të shpallen të pafajshëm. Sipas tij, UÇK-ja ka qenë një ushtri çlirimtare dhe se populli i Kosovës ka paguar çmim të lartë gjatë luftës.

“Gjithë ato personalitete që ishin në krye të luftës nuk kane qenë aty për krime, nuk kanë bërë krime. Kanë qenë në krye të një ushtrie e cila është çlirimtare, e cila ka dhënë dëshmorët e saj. Kushdo që dëshiron me ndryshu këtë të vërtetë, kushdo që mundohet me goditë atë, unë mendoj që do të humbë. Dhe shpresoj e uroj që të gjithë ata që po gjykohen në Hagë do të dalin të pafajshëm. . Do të jem aty në ditën përfundimtare, kam aplikuar për me qenë aty dhe do ta përfaqësoj shtetin e Kosovës në atë proces. Unë pres që ky proces, këto akuza me dështu. Janë të paqëndrueshme, janë shpifje, janë gënjeshtra të cilat e ofendojnë në palcë luftën tonë çlirimtare. Dhe pikërisht sepse do të dështojnë, unë mendoj që pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, zoti Thaçi, zoti Krasniqi, zoti Veseli, zoti Rexhep Selimi, do të dalin të pafajshëm”, tha ai.

Ai shtoi se, pavarësisht përplasjeve politike ndër vite mes partive në Kosovë, nuk ka pasur kurrë ndarje rreth luftës dhe UÇK-së.

Për UÇK-në jemi bashkë. Unë mendoj që askush nuk mundet me na nda e me na përça për luftën tonë çlirimtare” u shpreh ai. 

Ora 10:29
Gjyqi në Hagë/ Prokuroria: Thaçi i ka gënjyer disa herë ndërkombëtarët

1769440769_hashimthaci.jpg

Në fjalën e saj, Prokuroria po pretendon se Thaçi i ka gënjyer disa herë ndërkombëtarët, andaj deklaratat e këtyre të fundit duhet të merren me rezervë lidhur me UÇK-në, komandën e organizatës dhe rolin e ish-eprorëve në të.

“Ata nuk e dinin se ai [Thaçi] mund të bënte emërime ushtarake...Ajo që nuk kuptojnë James Rubin, Wesley Clark dhe ndërkombëtarë të tjerë është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet se si funksiononte UÇK-ja. Veçanërisht Rubin dhe Clark treguan se nuk kishin asnjë interes për të kuptuar çfarë ndodhte në realitet dhe besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë dhe nuk u përballën me atë çka po dëgjon tashmë ky trup gjykues”.