1762185471_elisaspiropali.JPG

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali është pritur ditën e sotme në Hagë nga Ministri i Jashtëm holandez David van Weel.

Takimi ka pasur fokusin partneritetin dhe mbështetjen e Holandës në rrugën e integrimit të shpejtë europian të Shqipërisë, ndërsa dy ministrat nënshkruan një deklaratë të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dhe partneritetin europian.

Deklarata e firmosur synon fuqizimin e mëtejshëm të partneritetit në fushën e integrimit europian, sigurisë dhe ekonomisë.

Ministrja falenderoi homologun holandez për rekomandimin pozitiv që qeveria e tij ka dërguar në parlamentin holandez për çeljen brenda Nëntorit të grupkapitullit 5.

Në postimin e saj në Facebook, Spiropali thekson se qasja e Holandës për zgjerimin e BE-së bazuar mbi meritën, përkon me mbështetjen konstruktive të vendit mik për agjendën europianizuese të Shqipërisë.

Ndërsa ministri holandez theksoi se vendi i tij do të vijojë mbështetjen për fuqizimin e kapaciteteve institucionale në rrugën e transformimit dhe fuqizimit demokratik të vendit.

Postimi i plotë:

Hagë - Kënaqësi të takohem me Ministrin e Jashtëm David van Weel, të cilin e falenderova për rekomandimin pozitiv që qeveria e tij ka dërguar në parlamentin holandez për çeljen brenda Nëntorit të grupkapitullit 5, i cili përmbyll hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Qasja e Holandës për zgjerimin e BE-së bazuar mbi meritën, përkon me mbështetjen konstruktive të vendit mik për agjendën europianizuese të Shqipërisë.

Si dy aleatë të NATO-s, Tirana dhe Haga do të jenë qendra të bashkëpunimit dhe shkëmbimit për përgatitjen e Samitit të NATO-s që do të mbahet në vendin tonë në 2027.


Lajmi kryesor:

Spiropali takohet me Thaçin në Hagë: I shpreha mbështetjen e qeverisë shqiptare! Gjykata Speciale të japë drejtësi