Ministrja për Punët e Jashtme dhe Europën, Elisa Spiropali, gjatë vizitës së saj në Hagë, është takuar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali shprehet se i ka shprehur Hashim Thaçit mbështetjen e Ministrisë së Jashtme dhe të qeverisë shqiptare Hashim Thaçit.

Po ashtu Spiropali deklaron se vendimi i Gjykatës Speciale, duhet të japë vendimin e drejtë për ish-drejtuesit e UÇK-së, pasi sipas saj, nuk mund të njolloset lufta e drejtë.

“Në paraburgimin e Gjykatës Speciale këtu në Hagë, takova presidentin Hashim Thaçi dhe përmes i tij, i dërgova të falat e mia, por edhe të qeverisë shqiptare dhe popullit shqiptar, edhe tre luftëtarëve të tjerë, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit.

Më vjen mirë që e gjeta presidentin Thaçi në një gjendje të mirë, i ndiqte zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri, sigurisht për të parë dy vendet tona sa më mirë. I shpreha mbështetjen e Ministrisë së Jashtme, të kryeministrit Rama për një proces të rregullt dhe të dretë, i cili në fund të prodhojë drejtësi historike dhe jo padrejtësi historike. Ne urojmë shumë që ky vendim i pjekurisë shtetërore të Kosovës, për të votuar Gjykatën Speciale, të mos kthehet në të kundërtën e vetë, por të respektojë të drejtat ligjore. Ne urojmë që besimi që kanë shqiptarët kundrejt drejtësisë ndërkombëtare të jetë i përligjur deri në fund. Është me rëndësi që ta theksoj sërish që populli i Kosovës, djem dhe vajza u ngritën për të mbrojtur njerëzit e tyre dhe jetën në atë vend dhe kurrsesi për të agresuar një vend tjetër. Dhe kjo luftë për liri nuk mund të njolloset, kjo luftë për ekzistencë nuk mund të përbaltet, dhe këto dy procese duhet të ndahen shumë qartë në mënyrë që e vërteta historike, drejtësia dhe sakrificat e një populli të tërë, të mos shkelen me këmbë”, tha Spiropali.

Ndërkohë më herët, Spiropali u prit në takim ditën e sotme në Hagë nga Ministri i Jashtëm holandez David van Weel. Takimi ka pasur fokusin partneritetin dhe mbështetjen e Holandës në rrugën e integrimit të shpejtë europian të Shqipërisë, ndërsa dy ministrat nënshkruan një deklaratë të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dhe partneritetin europian.

Në postimin e saj në Facebook, Spiropali thekson se qasja e Holandës për zgjerimin e BE-së bazuar mbi meritën, përkon me mbështetjen konstruktive të vendit mik për agjendën europianizuese të Shqipërisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:54
Hagë/ Takimi me homologun holandez, Spiropali: Holanda mbështetëse e palëkundur e integrimit të Shqipërisë! Në Nëntor grupkapitulli i fundit

1762185471_elisaspiropali.JPG

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali është pritur ditën e sotme në Hagë nga Ministri i Jashtëm holandez David van Weel.

Takimi ka pasur fokusin partneritetin dhe mbështetjen e Holandës në rrugën e integrimit të shpejtë europian të Shqipërisë, ndërsa dy ministrat nënshkruan një deklaratë të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dhe partneritetin europian.

Deklarata e firmosur synon fuqizimin e mëtejshëm të partneritetit në fushën e integrimit europian, sigurisë dhe ekonomisë.

Ministrja falenderoi homologun holandez për rekomandimin pozitiv që qeveria e tij ka dërguar në parlamentin holandez për çeljen brenda Nëntorit të grupkapitullit 5.

Në postimin e saj në Facebook, Spiropali thekson se qasja e Holandës për zgjerimin e BE-së bazuar mbi meritën, përkon me mbështetjen konstruktive të vendit mik për agjendën europianizuese të Shqipërisë.

Ndërsa ministri holandez theksoi se vendi i tij do të vijojë mbështetjen për fuqizimin e kapaciteteve institucionale në rrugën e transformimit dhe fuqizimit demokratik të vendit.

Postimi i plotë:

Hagë - Kënaqësi të takohem me Ministrin e Jashtëm David van Weel, të cilin e falenderova për rekomandimin pozitiv që qeveria e tij ka dërguar në parlamentin holandez për çeljen brenda Nëntorit të grupkapitullit 5, i cili përmbyll hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Qasja e Holandës për zgjerimin e BE-së bazuar mbi meritën, përkon me mbështetjen konstruktive të vendit mik për agjendën europianizuese të Shqipërisë.

Si dy aleatë të NATO-s, Tirana dhe Haga do të jenë qendra të bashkëpunimit dhe shkëmbimit për përgatitjen e Samitit të NATO-s që do të mbahet në vendin tonë në 2027.