Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të godasin pozicionet ushtarake dhe logjistike në bastionet e ISIS-it në Siri, deklaroi sot sekretari i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Chuck Hagel.

"Sulmet ajrore amerikane në Siri do të kryhen kundër qendrave ushtarake dhe logjistike të ISIS-it, ashtu si edhe kundër gjithë infrastrukturës nën kontrollin e xhihadistëve", saktësoi kreu amerikan i mbrojtjes.
"Megjithatë, kjo nuk nënkupton se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bashkëpunojnë me regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad", shtoi Hagel. "Deri tani kemi kryer mbi 160 sulme ajrore kundër ISIS-it në Irak", tha ai.

"Uashingtoni është i gatshëm të zgjerojë rolin e tij për këshilltarë në Irak", tha nga ana e tij shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali Martin Dempsey./ATSH/