Hahn letër shqiptarëve: Opozita
bojkotoi qëllimisht zgjedhjet

Përmes një letre drejtuar qytetarëve shqiptarë, komisioneri për Zgjerimin në BE, Johannes Hahn, shpreh shqetësimin e Brukselit lidhur me ngërçin politik në vend. 

Hahn thekson se opozita zgjodhi qëllimisht të bojkotojë zgjedhjet e 18 qershorit, ndërsa thekson se zgjedhjet do të zhvillohen pavarësisht se disa kanë vendosur të mbeten pas. 

Bojkoti i institucioneve për Hahn është një vendim për të cilin ai nuk pajtohet, pasi debati zhvillohet brenda në Parlament. 

"Ishte zgjedhja e qëllimshme e opozitës aktuale për të mos kandiduar në zgjedhje. Unë duhet ta respektoj, por në të njëjtën kohë ta shoh me keqardhje të thellë këtë vendim nga pikëpamja demokratike.

Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje që sigurojnë një ofertë të gjerë politike dhe respektojnë standardet zgjedhore. Megjithatë, procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe nëse disa, vendosin të qëndrojnë mbrapa.

Idetë dhe propozimet politike - pa marrë parasysh nëse ju pëlqen apo jo - të diskutohen brenda institucioneve demokratike, veçanërisht në parlamentin shqiptar. Kjo është theksuar në të gjitha takimet me udhëheqësit politikë të vendit tuaj",
shkruan Hahn. 

"Dënoj thirrjet për të penguar qytetarët të votojnë"
Sipas tij, këto zgjedhje do të zhvillohen pa opozitën, ndërsa dënon thirrjet për të penguar qytetarët të votojnë. 

"Prandaj, le të bëhem i qartë edhe për një gjë: Unë dënoj fuqishëm çdo thirrje për "veprime" që do të dëmtonin të drejtën e çdo qytetari për të votuar.

Këto "veprime" nuk mund të justifikohen dhe nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian",
vijon ai. 

BE, thotë Hahn, si dhe institucionet e tjera si OSBE e ODIHR, do t'i monitorojë zgjedhjet e 18 qershorit, me qëllim respektimin e standardeve ndërkombëtare. 

"Kavaja", Hahn: nuk është një fitore për askënd
Në letrën e tij, Hahn flet edhe për shtyrjen e zgjedhjeve në Kavajë, vendim ky i cili, sipas tij, nuk është fitore për askënd, por humbje për demokracinë.  

"Fakti që zgjedhjet e përgjithshme në Kavajë nuk mund të zhvilloheshin, nuk është një fitore për askënd. Kjo është një humbje e qartë për demokracinë".
 
letra e hahn
letra e hahn
LETRA E PLOTE E HAHN 
"Të dashur qytetarë të Shqipërisë, të dashur miq,

Ju drejtohem sot me një shqetësim të madh.

Gjatë javëve të fundit, janë bërë disa përpjekje për të nxitur dialogun midis partive politike në Shqipëri, nga përfaqësues të BE-së, përfshirë këtu mua vetë dhe nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Ne kemi dëgjuar me kujdes shqetësimet dhe pritshmëritë nga të gjitha palët, duke u përpjekur për krijimin e lehtësirave që do të çonin drejt një zgjidhjeje të krizës së vazhdueshme.

U ofruan një numër opsionesh, me shpresë që partitë dhe udhëheqësit do të vepronin në bazë të përgjegjësive të tyre, për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.

Për fat të keq, nuk kishim të bënim me një rast të tillë. Pra, sot jemi në një situatë ku është vënë në lëvizje procesi zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme më 18 qershor. Zgjedhjet do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e partive kryesore të opozitës.

Ishte zgjedhja e qëllimshme e opozitës aktuale për të mos kandiduar në zgjedhje. Unë duhet ta respektoj, por në të njëjtën kohë ta shoh me keqardhje të thellë këtë vendim nga pikëpamja demokratike. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje që sigurojnë një ofertë të gjerë politike dhe respektojnë standardet zgjedhore. Megjithatë, procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe nëse disa, vendosin të qëndrojnë mbrapa.

Demokracia dhe standardet demokratike nuk do të pengohen duke bojkotuar institucionet dhe zgjedhjet demokratike. Zgjedhjet do të vlerësohen sipas meritave të tyre, bazuar në standardet ndërkombëtare.

Institucioni më kompetent europian për vëzhgimin e zgjedhjeve - ODIHR - kohët e fundit ka nisur aktivitetet e vëzhgimeve të zgjedhjeve në Shqipëri. Ne jo vetëm që e mbështesim fuqishem ODIHR-in – por presim gjithashtu që të gjitha institucionet përkatëse në Shqipëri, të sigurojnë bashkëpunim dhe transparencë të plotë në misionin e tyre, si gjatë javëve para zgjedhjeve, ashtu edhe në vetë ditën e zgjedhjeve. Është në interes të Shqipërisë dhe autoriteteve të saj që OSBE / ODIHR dhe vëzhguesit e tjerë ndërkombëtarë të jenë në gjendje të kryejnë në menyrën më të mirë rolin e tyre vendimtar dhe vlerësimin e zgjedhjeve.

Prandaj, le të jem i qartë edhe për një gjë: Dënoj fuqishëm çdo njoftim që bën thirrje për "veprime" që do të dëmtonin të drejtën e çdo qytetari për të votuar dhe liritë e tjera themelore. Këto "veprime" nuk mund të justifikohen dhe nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Përkundrazi, është një vlerë themelore europiane që idetë dhe propozimet politike - pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo - të diskutohen brenda institucioneve demokratike, veçanërisht në parlamentin shqiptar. Kjo është theksuar në të gjitha takimet me udhëheqësit politikë të vendit tuaj, nga të gjitha anët.

Në lidhje me këtë, më lejoni të them edhe një gjë. Fakti që zgjedhjet në Kavajë nuk mundën të zhvilloheshin nuk është fitore për askënd. Kjo është një humbje e qartë për demokracinë.

Të dashur qytetarë,

Kam besim të plotë se qytetarët e Shqipërisë, do të kërkojnë nga udhëheqësit e tyre politikë të tregojnë përmbajtjen dhe pjekurinë demokratike që pritet në një vend që aspiron të jetë anëtar i BE.

Le të jemi të qartë:

Udhëheqësit do të mbahen përgjegjës nëse përpiqen të shmangin aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë.

Bashkimi Europian do të ndjekë dhe do të monitorojë nga afër procesin zgjedhor. Më tutje, ne do të vazhdojmë t'ju mbështesim në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian".


Edi Rama publikon letrën e ​Hahn: Mesazh i pazakontë
Pas mesazhit të fortë të eurokomisionerit për Zgjerimin në BE, Johhanes Hahn, drejtuar shqiptarëve për situatën politike dhe sjelljen regresive të PD, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama në Facebook.
 
Duke e trajtuar si një mesazh të pazakonshëm, Rama ka publikuar të plotë letrën e komisionerit Hahn.
 
“NJË MESAZH I PAZAKONSHËM NGA KOMISIONERI EUROPIAN JOHANNES HAHN, PËR QYTETARËT SHQIPTARË PA DALLIM🇦🇱🇪🇺", shkruan Rama në Facebook, ndërsa publikon të plotë letrën e eurokomisionerit.  

edi rama mesazhi
(Postimi i Ramës në Facebook)
 

Bregu: Letra më e trishtë, turpi që demokratët s'e meritojnë
Deputetja e PD, Mjalinda Bregu, ka komentuar letrën e komisionerit për Zgjerimin në BE, Johannes Hahn, i cili kritikonte vendimin e opozitës për të bojkotuar zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. 

Përmes një postimi në Facebook, Bregu thotë se letra e Hahn ishte mesazhi më i trishtë që ajo s'do donte të kishte mbërritur kurrë. Sipas saj, kumti i Hahn është për turpin që demokratët nuk e meritojnë, ndërsa shton se Europa i ka rënë kokës PD-së. 

"Ja ku jemi sot! Izolim! Pasi na foli e u përpoq të na bindë me gjuhë diplomatike e dashamirësi demokratike, me oferta e negociatorë, pasi ra në vesh të shurthët e kokëfortësi, Europa sot vendosi të na bjerë kokës. Europa sot e drejtoi gishtin nga PD-ja, por u bën thirrje shqiptarëve (të gjithë demokratëve) të mos bien në të njëjtën humnerë me të!", shkruan Bregu.

​Bregu thekson gjithashtu se PD është sot përballë dilemës shakespeariane të jesh apo të mos jesh. "Ka vetëm një rrugë për të mos e lejuar rëndimin e fatit të shqiptarëve dhe copëtimin vetëshkatërrues të PD –së: kurajo e shpresë e të gjithë demokratëve, për të rindërtuar partinë që sot përballet pamerituar, me dilemën të jesh a të mos jesh!"
, thekson Bregu. 

​Bregu thekson gjithashtu se PD është sot përballë dilemës të jesh apo të mos jesh. 

"Kumti i Hahn për turpin që se meritojnë demokratët! Nuk qaj hallin as të kryetarit të PD -se as të ndokujt tjetër që nuk e ndali dot, këtë shkarje, por të atyre qindra mijëra demokratëve që nuk e donin PD-në rrugëve. Kryetari e deshi PD-në në çadër e jo në Parlament; në mosbindje civile e jo në zgjedhje!
U gëzua nga e ashtuqujtura “fitore e Kavajës”, që veç si e tillë s’duhej festuar asnjëherë.

Sot ne nuk e meritonim këtë! 

Ka vetëm një rrugë për të mos e lejuar rëndimin e fatit të shqiptarëve dhe copëtimin vetëshkatërrues të PD –së: kurajo e shpresë e të gjithë demokratëve, për të rindërtuar partinë që sot përballet pamerituar, me dilemën të jesh a të mos jesh!
", thekson Bregu. 

Gjithashtu për letrën e Hahn, ka reaguar dhe Nard Ndoka, sipas të cilit ai ''nuk e kupton dot realitetin shqiptar'' prandaj ka dërguar një letër të tillë. Nga ana tjetër Nikolla e ka cilësuar si një mesazh të qartë për opozitën. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave