Hajdarmataj: Neveri për gratë 
deputete që duan t'i bien në sy liderit

Hajdarmataj: Neveri për gratë <br />deputete që duan t'i bien në sy liderit
A pargjykohen gratë e politikës? A e kanë përmbushur ato detyrën e përfaqësimit të gruas së zakonshme shqiptare? Si i pasqyron ato media, si modele apo si subjekt steriotipesh?

Për deputeten e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj, e cila sapo ka hyrë në jetën publike, paragjykimet më të mëdha gjenden brenda vetë politikës. Sipas saj, parlamenti ende dominohet nga burra që jo vetëm vendosin shpesh për të drejtat e grave, por edhe lënë për të dëshiruar në nivelin e edukatës qytetare.

E pyetur nga Shqiptarja.com për steriotipet klishe që përdoren ndaj politikaneve si “burrnesha”, “gra të hekurta”, deputetja tregon se i pret me pozitivet kur thuhen në kontekstin e politikanes serioze, por kur i vijnë si diskriminime gjinore, di si t’ua kthejë fyerjen mbrapsht.

Mimoza Hajdarmataj është jo vetëm një nga politikanet e reja të parlamentit shqiptar, por edhe e para grua deputete e zones së Tropojës që nga fillimet e jetës parlamentare në Shqipëri, zonë për të cilën thotë se e trajton gruan si të barabartë me burrin. Ndaj për Hajdarmatajn, steriotipet e shëmtuara se “tropojanët janë të vrazhdë me gratë”, mbeten të pavërteta.

Çfarë është e neveritshme për deputeten demokrate, janë pikërisht gratë që i imponohen politikës me përpjekjet për t’i rënë në sy liderave. Për të, vetëm gratë e afta në shërbimin publik, meritojnë vëmendjen publike.

Në këtë sfond, si aktiviste e hershme e të drejtave të grave, ajo bën thirrje për përfaqësim më të lartë të grave profesioniste në media dhe vleresimin e grave si modele komplementare përkrah meshkujve, që e çojnë shoqërinë drejt emancipimit.

Zonja Hajdarmataj, si deputete e re e Kuvendit të Shqipërisë, ju kemi parë në dalje të shpeshta publike (deklarata). Si e keni gjetur te pasqyruar ne media, portretin tuaj si grua politikane dhe çfarë feedback-u keni marrë nga daljet publike?
Dalja si deputete në radhën e listës nuk është e rastësishme por është një meritë e vonuar që PD i bën aktivitetit tim të gjatë partiak qënis si anëtare e Levizjës së Dhjetorit. Përpiqem që median elektronike dhe profilet sociale të mos i përdor si qëllim në vetvete,por si urë e domosdoshme komunikimi me komunitetin e zones që përfaqësoj, për transparencë politike dhe për të mbajtur komunikmin e gjallë me miqtë dhe demokratët në tërësi. Mundohem të ruaj ekuilibrat dhe vetëkontrollin,  të cilët janë shumë domethënës në raportin mes një gruaje politikane dhe medias, e më pas me publikun. Vlerësoj shumë rolin tejet aktiv dhe thelbësor të medias në mbështetjen e kauzave të gjithë shoqërisë dhe jo vetëm të politikës. Them se media më ka mbështetur e mirëpritur në mjedisin e saj dhe unë po ashtu i jam mirënjohëse dhe e vlerësoj shumë pushtetin e saj. Një ndër çështjet  që media mbeshtet fort,  promovimi i gruas në politikë e vendimarrje, unë e kam shumë përzemër dhe mundohemi të jemi aleate reciproke.

mimoza hajdarmataj

E keni ndjerë veten ndonjëherë të paragjykuar për angazhimin tuaj publik në politikë? Dhe çfare kostosh ka angazhimi publik për një grua?

Pyetje e gjetur, sepse unë vij nga një zonë ku gruaja shihet dhe trajtohet si e barabartë me të drejta dhe interesa me burrin në një familje. Ndryshe nga stereotipet e shëmtuara që qarkullojnë nga disa gego-fobë se tropojanët janë të vrazhdë me grate, është krejt e kundërta.
 Madje jemi komunitet për t’u marrë model. Në këtë aspekt elektorati burra e gra më vlerësojnë dhe më besojnëmë shumë shqetësimet e tyre.Të paragjykuar e ndiej veten brenda në parlament, pasi niveli i disa deputetëve lë shumë për të dëshiruar nga pikëpamja e civilizimit dhe edukatës qytetare. Nga ana tjetër, ne gratë paragjykojmë fatkeqësisht edhe njëra tjetrën për shkak të xhelozisë dhe ambicjeve të vogla.

Në fillimet tuaja si njeri publik, ju ka ndodhur që media të keqpërdorë imazhin tuaj publik, të  stigmatizojë ose steriotipizojë punën tuaj?

Asnjëherë! Mundohem në maksimum të respektoj publikun dhe rolin e medias.Ruajtja e distancave dhe ftohtësia në gjykim janë standarde kyçe për komunikimin me mediat dhe publikun përmes tyre.

Si e gjykoni shprehjen “gratë politikane jane burrnesha", që shpesh përdoret edhe në media?

E marr me pozitivitet. Diskriminim pozitiv që vetë shoqëria e vlerëson  kur thuhet në sensin e një politikaneje serioze dhe korrekte. Nëse është për diskriminim gjinor, turpi dhe fyerja i kthehet mbrapsht atij që e thotë. Femrat dhe meshkujt nuk kanë pse të përfaqësohen me etiketime  gjinore. I përbuz përdorimet e etiketimeve.Ka politikanë  të përgjegjshëm ose jo, të korruptuar ose të ndershëm, me integritet ose jo. Këto janë tezat të cilave unë u besoj, jo dallimeve gjinore.

mimoza hajdarmataj

E ndieni peshën e kësaj klisheje në median tonë, ambjentin politik apo mes kolegesh?

Absolutisht jo. Sikurse nuk i imponohem politikës dhe medias si një deputete feminile apo koketë.Më pëlqen profili i politikanes me autoritet, qoftëedhe në revista apo lajme soft.

Zakonisht në kohë fushatash shohim politikane që “përleshen” në debate me njëra tjetrën për të mbrojtur idetë e liderave. Mendoni se i shërben kjo promovimit të vlerave të gruas dhe angazhimit të saj në politikë?
Promovimit të vlerave, aftësive të gruas i shërbejnë vetëm gratë me po të tilla standarte. Nëse nuk i ke, nuk mund t'i imponohesh publikut apo zgjedhësve me profil të imponuar apo të sforcuar. Kjo e bën gruan të neveritshme jo vetëm në politikë, por në çdo profesion. Aq më tepër nëse e sheh si mënyrë për t'i rënë në sy shefit, liderit. Gjykimin më të drejtë e afatgjatë e bën vetë publiku.

Sipas jush, grave që hyjnë në politikë u hapet një derëpër të bërë karrierë përmes kontributeve, apo ato thirren vetëm në raste fushatash ose për plotësim te kuotave gjinore?
Unë besoj se ndodh në tërësi varianti i parë por as e para dhe as e dyta më vete, në optiken time.Por sigurisht nuk mungojnë gra që i bëjnë këto role.Një politikane me përvojë përfshin një spektër dhe vijimësi aktivitetesh.Sigurisht që jeta në parti ka uljet dhe ngritjet e veta, sadisfaksione dhe zhgënjime.E rëndësishme është të mos heqësh dorë nga parimet e tua, që mendon se janë të drejta dhe që i shërbejnë dobisë dhe fuqizimit të komunitetit dhe zonës që përfaqëson.

mimoza hajdarmataj

Ju vini nga nje karrierë e gjatë në administratën publike. Sa e vështirë është të dëgjohet zëri i grave në vendimarrje, sidomos në atë lokale?


Unë nuk kam qënë pjesë e vendimarjes së drejtpërdrejtë lokale por kam marrë pjesë në strategjitëlokale, aq sa për të kuptuarse zëri i grave dëgjohet po aq sa ai i burrave nëse ato dëshmojnë aftësi dhe përkushtim në shërbimet administrative. Sigurisht që zbatimi i mendimit dhe sugjerimit të tyre mund të mos jetë i kënaqshëm sepse ato nuk janë ende  50 % me 50% të përfaqesuara.

Pse shohim kaq pak gra profesioniste, artizane, ekonomiste, të kultures, lokalitetit, të kontribuojnë në media? Faji i medias apo i një mendësie kolektive që e sheh gruan si të destinuar vetëm për tu marrë më tema të gatimit, modës, seksit?

Mendoj se ka një ridimensionim të rolit të gruas në media.Pra gratë dhe vajzat shqiptare kanë bërë hov cilësor në profesione dhe daljet e tyre mediatike janëmë të shpeshta. Por mbetet i ulët përfaqësimi i grave eksperte në debatet televizive. Gruaja është e përfaqësuar por jo e mbrojtur me kauzat e saj, me të drejtat dhe përgjegjësite që i takojnë në shoqëri. Përshembull për të drejtat e grave flasin dhe vendosin ende burrat pasi politika, parlamenti, është i dominuar nga burrat. Gjithsesi, ndoshta në media gruaja ka më shumë pushtet, pëderisa statitistikat flasin për një pjesëmarrje të gjerë të vajzave gazetare.

Ju shohim tepër aktive në rrjetet sociale si facebook. Sa ju ka ndihmuar ky medium në angazhimin tuaj politik  (për promovim dhe ndikim te ndjekësit tuaj, sidoemos te gratë)?

Hyn tek pasionet e mia komunikimi në facebook, pasi lidhet edhe me profesionin tim  siinxhiniere. E kam rritur eksperiencën në komunikim veçanërisht për rëndësinë që kanë mediat në politikë dhe vendimarrje.Facebook e perdor për qendrimesh politike, sociale, si deputete, por dhe ne dimensionin human ku shfaq lidhjen time të shenjtë me familjen dhe ish kolegët e profesionit.E shoh edhe si një hapësirë virtuale për të promovuar turizmin malor, sepse Tropoja me Valbonën është një destinacion tejet i veçantë.

Redaksia Online
Gre.M/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Kaosi dhe zjarri para Parlamentit, Kuvendi: Deputetët shkaktarë do paguajnë dëmin, do u mbahen nga paga! Karriget të paguara me taksat e qytetarëve, jo të tyret!

Kaosi dhe zjarri para Parlamentit, Kuvendi: Deputetët shkaktarë do paguajnë dëmin, do u mbahen nga paga! Karriget të paguara me taksat e qytetarëve, jo të tyret!