Pas sulmit kibernetik ndaj faqeve të shërbimeve qeveritare online, kryeministri Edi Rama ka përgënjeshtruar lajmin që ka qarkulluar në media se hakerat kanë shkatërruar të dhënat e shtetit shqiptar dhe kërkojnë 30 milionë euro në Bitcoin. Në reagimin e tij në Twitter, Rama bën thirrje që të mos përhapet panik lidhur me pasojat e sulmit kibernetik nga hakerat e një vendi jo mik me Shqipërinë.

Ndër të tjera kryeministri thotë se AKSHI së bashku me një skuadër të specializuar ekspertësh të huaj po punojnë ditë e natë për rimëkëmbjen e plotë të sistemeve. Në përfundim thotë se është e turpshme që të gënjehet publiku me anë të shpifjeve.

“Gjyqet me median për shpifje, përfshirë edhe shpifjet që përhapin panik, nuk janë në praktikën e qeverisë sonë! Prandaj i bëj thirrje publike TCH të ndalë menjëherë valën e shpifjeve dhe përhapjen e panikut lidhur me pasojat e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë!

Lajmet për një gjobë 30 milionë euro nga hakerat apo për shkatërrimin e të dhënave janë krejt të rreme! Qeveria ka informuar aq sa mund të informojë, në ndërkohë që lufta nuk ka mbaruar dhe pas hakerave qëndron një shtet tjetër, jo një bandë dosido digjitale që merret me gjoba!

AKSHI dhe një skuadër e superspecializuar ekspertësh të huaj,po luftojnë natë e ditë për rimëkëmbjen e plotë në kohë rekord të sistemeve pas zmbrapsjes së sulmit.Eshtë e turpshme që të gënjehet publiku në këtë farë feje, cilatdo qofshin motivet e kësaj vale shpifjesh haluçinante!” – shkroi Rama në Twitter.

Në një lajm që po qarkullon në media thuhet se hakerët kanë kërkuar dëmshpërblim 30 milionë euro në Bitcoin pasi kanë bllokuar të dhënat e shtetit shqiptar. Ndër të tjera thuhet se virusi i përdorur fshin dokumentet në çdo institucion dhe numri i kompjuterëve të prekur është shumë i madh, gjë që përgënjeshtrohet tërësisht nga kryeministri Rama.

Kujtojmë se shërbimet publike online dhe faqet qeveritare janë mbyllur përkohësisht për shkak të një sulmi kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë. Burime për Report Tv bënë me dije se ka dyshime që sulmi mund të jetë rus. Kjo vjen pas sanksioneve që ka vendosur Shqipëria ndaj Rusisë dhe qëndrimin që mban për luftën në Ukrainë.