Një grup hakerësh serbë i titulluar ‘Serbian Hackers Kim’, përmes një video të publikuar në Twitter, pretendojnë se ia kanë thyer llogarinë kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, shkruan Gazeta Express.

Siç shihet në video, ata në profilin e Veselit kanë shkruar një status “Kosova është Serbi”, dhe një foto me të njëjtin mesazh e kanë vendosur në profilin e Veselit.

Sipas njoftimin që kanë lëshuar, thonë që pas 120 sekondave ‘Twitter’ e ka ndalur operacionin e tyre, megjithatë ata thonë që kanë arritur të regjistrojnë gjithçka.

“Mbrëmë e kemi thyer llogarinë e të ashtuquajturit kryetar i Kuvendit të Kosovës, ose më mirë të thuhet të ish-kreut të Shërbimit të Inteligjencës. Megjithatë pas 120 sekondave Twitter ka ndalur operacionin tonë, por ne kemi arritur që ta regjistrojmë”, thuhet në njoftimin e këtij grupi hakerësh.

E duket se ky sulm i tyre ka ardhur pas taksës së vendosur nga Qeveria e Republikës së Kosovës ndaj produkteve me origjinë nga Serbia, pasi që edhe në fotografinë e vendosur në profilin e Kadri Veselit shkruhet që “Hakerët serbë e kanë vizituar këtë profil 100 %”.

Gazeta Express për këtë ka kontaktuar edhe stafin e kryetarit të Kuvendit. Në një përgjigje për Express, këshilltari i Kadri Veselit, Valmir Kaliqi, ka thënë se faqja e kryetarit të Kuvendit nuk ka pasur asnjë problem.

"Faqja zyrtare e kryetarit nuk ka pasur asnjë problem", ka thënë ai. Express