Për të tetën natë me radhë, mijëra protestues u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” Prishtinë në shenjë proteste ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për 4-ish krerët e UÇK-së.
Me pankartat “Jo në emrin tim”, “Liria ka emër” e flamuj kombëtar dhe të UÇK-së qytetarët kërkuan drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Një prej organizatorëve të protestës, Çlirim Haziri, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës të veprojnë sa më shpejt ndaj kërkesave të protestuesve. Ai kërkoi trajtimin dhe votimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe mbështetje me fonde për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
“Mosveprimi i institucioneve nuk mund të zgjasë pafund. Sepse ne nuk e durojmë padrejtësinë. Populli nuk e duron heshtjen. Pritjes sonë po i vjen fundi. Durimi ynë po përfundon. Nga ky shesh u themi institucioneve: Veproni sa më shpejt! Mos e ngatërroni qetësinë tonë të deritanishme me dobësi”, deklaroi Haziri.
Protesta në kundërshtim të vendimit të Dhomave të Specializuara janë mbajtur disa ditë më parë edhe në New York, Kanada, Zvicër, Gjermani e Austri.
Më 16 shtator Gjykata Speciale në Hagë dënoi me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, ndërsa Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burg për krime lufte.










Komente
Komento