Administrata e Berlinit është përballur me një sulm të madh kibernetik, ku një grup hakerësh pretendon se ka vjedhur 5.7 terabajt të dhëna dhe tani kërkon rreth 2 milionë euro për të mos i nxjerrë ato në shitje ose publikuar në internet.
Sipas autoriteteve gjermane, pas sulmit qëndron grupi "Rhysida", i cili ka nxjerrë të dhënat në ankand në "dark web". Çmimi fillestar është vendosur 30 bitcoin, ose rreth 2 milionë euro, ndërsa ankandi mbyllet të premten.
Mes të dhënave që pretendohet se janë vjedhur ka edhe informacione personale sensitive. Autoritetet paralajmërojnë se, nëse nuk blihen, ato mund të rishiten ose të publikohen.
Sulmi ndaj sistemit kompjuterik të administratës së qytetit ndodhi mes 7 dhe 12 gushtit, ndërsa rasti u bë publik më 14 gusht.
Zëdhënësja e Berlinit tha se "Rhysida" konsiderohet një grup shumë profesional dhe është lidhur me sulme të tjera kibernetike në Evropë, Gjermani dhe SHBA. Deri tani nuk ka prova që e lidhin grupin me Rusinë apo shtetin rus, por kjo mundësi nuk përjashtohet nga autoritetet.
Kryetari i Bashkisë së Berlinit, Kai Wegner, deklaroi se qyteti nuk do t'u nënshtrohet kërkesave të hakerëve.







Komente
Komento