IRAK- Militantët në Irakun verior kanë masakruar dhe vrarë të paktën 80 meshkuj si dhe rrëmbyer disa gra dhe fëmijë të sektit fetar Yazidi, në një fshat pranë malit Sinjar. Lajmi u konfirmua nga një zyrtar i lartë kurd, i cili tha se fshatarët mund të jenë vënë në shënjestër kohë më parë dhe janë vrarë në shenjë hakmarrje për sulmet e mëparshme të SHBA-së kundër ISIS. Luftëtarët dëshmitarë të ngjarjes thanë se burrave iu është kërkuar të kthehen në islam ose të vdesin.
 
Dhuna e udhëhequr nga ISIS ka shtyrë rreth 1.2 milionë pakica fetare të largohen nga shtëpitë e tyre. Ndërkohë kurdët raportojnë se avionët luftarakë amerikanë kanë nisur sulmet në disa pozicione afër digës së Mosulit dhe në disa qytete. Mizoritë e grupit kundër pakicave krishtere kanë tronditur komunitetin ndërkombëtar. Këshilli i Sigurimit të OKB-së vendosi sanksione ndaj ekstremistëve islamikë të ISIS.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)