Halli i Berishës me SHBA, kauza e ndarjes krahinore dhe ‘makthi’ i rikthimit të ’97-tës

Halli i Berishës me SHBA, kauza e ndarjes krahinore dhe ‘makthi’ i rikthimit të ’97-tës

Opozita shqiptare gjendet në një gjendje tepër të vështirë, për shkak të krizës së lidershipit që ka shpërthyer në PD që nga dita kur Sali Berisha u shpall familjarisht “non grata” nga SHBA.

Madje situata u komplikua akoma më tepër më 9 shtator të vitit të kaluar, kur Lulzim Basha përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar. Më shumë se sa përjashtimi, PD pësoi një “tronditje tektonike” nga fakti se Berisha u gjend zbuluar ndaj akuzave të SHBA por dhe përballë drejtësisë shqiptare për korrupsion të cilësuar, minim të demokracisë e presion mbi drejtësinë për të mbrojtur familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij nga ndonjë dënim i mundshëm. Pra mbeti pa “mburojë” politike dhe kjo për të ishte më shumë se gjithçka tjetër!

Këtu shtohet dhe pafuqia proverbiale e Bashës për t’i dalë përballë liderit historik dhe “mentorit” të tij politik Sali Berisha, dhe komunikuar vendimin për ta dëbuar nga PD jo sepse ia kishin kërkuar thjeshtë dhe vetëm SHBA duke e detyruar të marrë këtë “iniciativë personale”, por sepse ishte i bindur për faktin se sa kohë që Berisha do të ishte në PD, kjo parti nuk do të afrohej ndaj pushtetit për të mundur Edi Ramën, dhe se partnerët ndërkombëtarë nuk do i kishin në mbështetje.

Loja e dyfishtë e Bashës, halli personal i Berishës e tërbimi i tij për ‘besëprerjen’ e ‘birit’ politik, u bënë të gjitha bashkë për të sjellë dhe fillimin e fundit të PD si partia më e madhe opozitare.

Nuk është e udhës të ripërmendim sërish përplasjen që shkaktoi në PD ky vendim, që nga nisja e “foltoreve” të Berishës, ngritjen e “amplitudës” së akuzave ndaj njëri tjetrit, duke i nxjerrë të palarat në shesh. Jo se nuk i dinin shqiptarët, por që tashmë ato po “certifikoheshin” zyrtarisht nga ata që ishin brenda PD dhe për më tepër nga dy aktorët kryesorë të drejtimit të kësaj partie për 17 vite me radhë, kur kishin qënë “mish e thua” me njëri tjetrin. Dhe nëse akuzat nganjëherë tejkaloheshin, nga qytetarët shqiptarë të gjitha besohen, pasi po akuzonin ata që kishin qënë brenda PD dhe lidershipi i vetëm i kësaj partie.

Këto përplasje sollën dy Kuvende Kombëtare që shkarkonin dhe përjashtonin njëri tjetrin, dhe intervenimin e dhunshëm të Berishës më 8 janar për pushtimin e selisë së PD, humbjen më 6 mars të PD zyrtare të drejtuar nga Basha përballë “Shtëpisë së Lirisë” së drejtuar nga Berisha, që kishte marrë siglën e LSI të Ilir Metës për të hyrë në garën e zgjedhjeve të pjesshme vendore në 6 bashkitë e mbetura pa kryetar.

Një zhvillim politik që u shoqërua me dorëheqjen e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të PD pasi e nxori kë parti 13% dhe pas grupimit të “Rithemelimit”, risolli praktikisht Berishën në krye të partisë, pushtimin “paqësor” të selisë së PD, marrjen e fuqisë së lidershipit absolut të partisë më të madhe opozitare nga Berisha dhe fillimin e përjashtimeve të kundërshtarëve brenda kësaj partie. Gjithçka nën petkun e ristrukturimit të PD që nga baza e deri në kongresin e 30 prillit që pritet të mbahet, për t’i vënë vulën përfundimtare pushtimit të PD nga Berisha.

Në ndihmë të Berishës erdhi dhe gjykatësi Agron Zhuri, i cili përmes një vendimi i Gjykatës së Tiranës i dorëzoi liderit historik dhe zyrtarisht PD-në, anipse çështja është në Apel, e ka thënë vetë në fund të vendimit gjykatësi se është e drejtë të apelohet vendimi në shkallën më të lartë të gjyqësorit, ndërsa vendimi nuk është reflektuar në Gjykatë, ku figuron ende kryetar i Partisë Demokratike Basha i dorëhequr e rrënuar politikisht pa mbështetës në bazën e PD dhe elektorat.

Në këtë situatë të vështirë për PD-në por dhe për vetë Sali Berishën i cili po sillet si kryetar i “Rithemelimit”, ndonëse me votën e delegatëve të Kuvendit të 11 dhjetorit të vitit të kaluar drejtimin e ka deputeti dhe ish kreu i FRPD Belind Këlliçi, që është zhdukur nga qarkullimi dhe nuk ndihet nëse është në Shqipëri apo jo, po bëhen përpjekje për të dalë nga shtegu i askundit ku kanë hyrë.

Mundësitë janë shumë të kufizuara për Berishën që për momentin është i “ngrirë” si përvetësues i postit të kryetarit të PD për shkak se grupimi i Bashës përmes sekretarit të Përgjithshëm të PD zyrtare e ka ankimuar vendimin e Zhurit në Apel.

Ndërkohë që e rëndon fort situatën politike të Berishës dhe qëndrimi i prerë amerikan se nuk do të ketë asnjë lloj negociimi të vendimit të DASH që e shpalli familjarisht “non grata”, pavarësisht “piruetave” dhe shembujve nga India e largët që u mundua të sjellë dhe përqasë pa sukses vetë ish kryeministri e drejtuesi real i demokratëve, se anulimi i “non gratës” nga SHBA për të dhe mund të ndodhë.

Uashingtoni reagoi qartë ndaj Berishës, sulmeve të tij kundër ambasadores Yuri Kim, teksa dje dhe sot, dy herë në dy ditë u shpreh prerë dhe pa asnjë mëdyshje: S’ka negociim për “non gratat”. Duke ia prerë përfundimisht shpresat Berishës.

Ndaj Sali Berisha paralel me thirrjet për bashkim, madje dhe duke bërë atë që nuk mendohej, tolerimit të kreut të grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj për ta mbajtur brenda “kornizës” së PD si përfaqësues të ish të përndjekurve politikë, me kauzat e tjera që po hedh në treg, po përpiqet të bëhet faktor dhe njeriu i vetëm me të cilin mund të bisedohet në emër të opozitës.

Duke parë se dhe ambasadorët takojnë zyrtarisht vetëm kryetarin në detyrë të PD zyrtare Alibeaj dhe shmangur “pushtuesin” e PD, vetë Berishën nga takimet, duke parë takimet “ilegale” të ish kryetarit Lulzim Basha me bazën e demokratëve në të gjitha rrethet e vendit, gjë që nuk e kishte bërë kur ishte kryetar në kulmin e konfliktit me “babain” e tij politik, Sali Berisha po mundohet të shpikë çdo lloj kauze vetëm për të qënë ai interlokutor për “qetësimin” e situatës.

Tentoi me protestën e shoqërisë civile dhe qytetarëve kundër rritjes së çmimeve të karburantëve dhe produkteve të tjera të shportës për shkak të luftës në Ukrainë, madje duke kërcënuar dhe drejtuesit e protestës se nuk do të merren parasysh thirrjet e tyre që politika të qëndrojë larg këtyre tubimeve. Por një përpjekje e tillë rezultoi e pasuksesshme.

Mbështeti dhe uroi fitoren e liderit autokrat hungarez Viktor Orban, por me sa duket dhe ky po rezulton një dështim, pasi vendet e BE në vend që të uleshin me të, po ndërmarrin hapa të fortë për rikthyer në “binarët” normalë Hungarinë përmes penaliteteve ndaj kryeministrit të saj që fitoi mandatin e radhës.

Ndaj ka gjetur rrugën atë që gjejnë të gjithë autokratët në botë: Promovimin e nacionalizmit përmes sulmeve ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiç pas fitores në zgjedhjet e së dielës, dhe për pasojë dhe sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama nën akuzën se i ka shitur interesat e vendit Serbisë, si dhe nxitjen e konfliktit artificial Veri-Jug e ndarjen krahinore.

Nuk thonë kot se “nacionalizmi, qoftë dhe krahinor, është streha e fundit e maskarenjve”. Sali Berisha i gjendur në hall të madh përballë amerikanëve e vendeve të BE-së, si dhe përballë drejtësisë për të dhënë llogari për zullumet e shumta në këto 30 vite që ka qënë në politikë pas rrëzimit të komunistëve nga pushtetit, po artikulon në mënyrë të vazhdueshme kauzën e ndarjes krahinore në vend, duke akuzuar qeverinë socialiste dhe Ramën, se po bën diskriminin krahinor në zyrat e shtetit dhe në drejtësi.

Duke shfrytëzuar dhe qëmtimin e ndonjë shprehjeje të artikuluar nga ndonjë “copë mishi” në gjyqësor, nuk jemi të sigurtë nëse e ka thënë ose jo gjyqtarja e cila ka qënë kokë e këmbë deri në dhimbje me Berishën familjarisht, deklaratën për një kolege të saj “një maloke më pak”, Berisha tashmë po përgatitet fort për të hedhur në tregun politik shqiptar kauzën e tij më të preferuar atë të ndarjes krahinore dhe për të vënë përballë Veriun me Jugun në betejën e tij politike për t’i thënë SHBA se ai zotëron një pjesë të popullsisë shqiptare dhe se duhet biseduar me të. Ai po përpiqet për të “zgjuar” interesin e partnerëve tanë ndërkombëtarë që të ndërhyjnë, dhe ta konsiderojnë Berishën kreun e njërës palë me të cilin duhet të negocikohet nëse duan qetësi.

Për këtë arsye Berisha përmes një njoftimi zyrtar ka lajmëruar për të premten një protestë masive në rrugën e Kavajës në Tiranë, për të protestuar ndaj asaj që ai e quan diskriminim racor dhe për shkak të prejardhjes.

“Protestë e fuqishme qytetare kundër diskriminimit racor, fetar, krahinor nga zyrtarët banditë të narkoshtetit të Edi Ramës! Sb”, shkruan Berisha në rrjetet sociale një ditë më parë, teksa i ka bashkangjitur këtij citimit dhe një fotografi ku thuhet se protesta është për sistemin e drejtësisë.

Jo se shqiptarët në mënyrë masive mund ta ndjekin në këtë rrugë pa krye që Berisha po përgatit për të bërë “ceremoninë” e rikthimit të radhës në politikën aktive. Por ajo të cilës i frikësohemi më shumë është se ekzistojnë ende mendje të mbyllura që për inat të dikujt, dhe të “copave të mishit” në sistemin e drejtësisë dhe kudo që shfaqen herë pas here, mund të ketë ndjekës që mund të shkaktojnë trazira dhe të risjellin në skenën politike shqiptare “makthin” e tragjedisë së marsit 1997. Ku me investimin e vetë Sali Berishës përmes rekrutimit të njerëzve në Veri të vendit, sulmoi Jugun e rebeluar për shkak të shembjes së piramidave mashtruese dhe humbjes së kursimeve të tyre, që për pak na zhyti në konflikt civil e deri në luftë civile. Por falë shqiuptarëve, nga Veriu e Jugu, dështoi dhe iku me turp.

Luajtja me nacionalizmin e ndarjen krahinore është një lojë e rrezikshme, por Berisha i gjendur në hall të madh përballë partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe drejtësisë, por dhe i pasigurtë nëse do të ketë zyrtarisht drejtimin e PD, ka vendosur ta luajë tashmë zyrtarisht këtë lojë konflikti.

Lajmërimi për këtë protestë në themel të së cilës ka akuzën ndaj mazhorancës për diskriminim krahinor, është një zyrtarizim i kartës së konfliktit civil që po tenton të nxisë Berisha.

Eshtë një qasje e rrezikshme, që tregon dhe njëherë se shqetësimi amerikan i konvertuar në shpalljen e Berishës “non grata” dhe “karantinimin” e tij vetëm në hapësirën e PD, ishte i drejtë, i arsyetuar mirë dhe i ligjshëm. Pasi Berisha nuk është thjeshtë një “gjyle” në këmbët e PD dhe të opozitës, por dhe në rrugën e progresit të Shqipërisë drejt BE dhe strukturave të tjera përbashkuese europiane. SHBA dhe shqiptarët ia dinë limitet Berishës.

Aq më tepër që për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës dhe synimit të Putin për të destabilizuar rajonin, vendet e BE dhe demokracive e tjera janë më të bashkuara se kurrë për të përballuar këtë luftë të paprovokuar. Dhe thirrjet e Berishës për ndarje krahinore tingëllojnë rrezikshëm në këtë situatë që kërkon vetëm unitet të përbotshëm, por dhe paralajmërojnë se mund të realizojnë dëshirën e Putin për një vatër tensioni në Ballkan.

Eshtë një “thikë me dy presa” për të cilën shqiptarët duhet të jenë në unison kundër, madje dhe ata që ndjehen të lënduar nga ndonjë shprehje e pamatur apo dhe e stisur. Nuk është në “tavë” thjeshtë dhe vetëm fati i opozitës që po drejtohet nga personi “non grata” Berisha. Ai është thjeshtë halli i tij personal, që kërkon ta zgjidhë përmes konfliktit që paralajmëron në Shqipëri. Në lojë është fati i Shqipërisë dhe shqiptarëve që duan progres dhe prosperitet. E provuam në kurriz më 1997, kur ishim në prag të integrimit në strukturat euroatlantike, dhe konflikti që për pak u shndërrua në përplasje krahinore e civile, na e largoi dhe për më shumë se dy dekada BE-në.

Ndaj ajo që mund të themi është se thirrjet e Berishës për të mbështetur kauzën e tij të ndarjes krahinore përmes protestës ditën e premte por dhe në vijim, duhet të injorohen dhe të lihen pa përgjigje. Të mendojnë njëherë shqiptarët për fëmijët e tyre, jetën e tyre pasi Berisha hallin e vet financiar e ka zgjidhur për 7 breza në 30 vite “punë” në politikë dhe qeverisjen e vendit.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Asnjë taksë për 10 vite!' Rama fton shqiptarët në Britani të investojnë në malet e Shqipërisë

'Asnjë taksë për 10 vite!' Rama fton shqiptarët në Britani të investojnë në malet e Shqipërisë