TIRANE- Gati tre vite pas protestave të dhunshme të banorëve të Hamallajt në rrethin e Durrësit, kundër prishjes së banesave të tyre, për t’i hapur rrugë një projekti turistik, qeveria shqiptare vendosi miratimin e tij.

Ndërsa në 2010 projekti nuk arriti të zbatohej pas rezistencës së banorëve, dje, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, mbledhja e Këshillit Kombëtar të Territorit, vendosi tu hapë dritën jeshile projekteve të investitorëve që duan të ngrejnë resorte turistike buzë detit Adriatik. "Mbledhja nuk ka sot vetëm energjinë, por miratohen disa vendime me një rëndësi shumë të madhe për zhvillimin e turizmit në brigjet e komunës së Ishmit, e cila përbën dhe një nga komunat më mahnitëse në tërë brigjet e Mesdheut.

Me Kepin e Rodonit, Gjirin e Lalzit dhe në vazhdim, kjo komunë ka territore turistike që kanë tërhequr vëmendje dhe kanë pritur edhe perandorë. Dhe kjo jo në lashtësi, por në shekullin e XIX, Maksimiliani I, i cili u bë më pas perandori i Meksikës, kaloi ditë të tëra në Kepin e Rodonit bashkë me suitën e tij. Natyrisht, më së shumti për gjah, por ai ishte turizmi i kohës"-u shpreh Berisha gjatë prezantimit të projekteve.

KRRTRSH-ja vendosi t'i miratojë të treja projektet, siç është rivlerësim i zonës nënjugore me sipërfaqe 30 ha, pjesë e studimit urbanistik pjesor me sipërfaqe 43.69 ha në fshatin Hamalle, Bashkia Sukth, miratuar me vendimin e KRRTRSH-se nr.15 date 14.07.2009 dhe që shtrihet në qendrën e Gjirit të Lalzit, një fshat turistik me një hotel të një firme të njohur ndërkombëtarë me pesë yje, vila e apartamente të specifikimeve më të larta dhe shërbimeve luksoze.

U miratua edhe Studimi Urbanistik Pjesor për kompleks turistik rezidencial e hotelier sip.9.71 ha brenda studimit urbanistik në zonën turistike të Gjirit të Lalëzit, Komuna Ishëm, me investitor "Dobi Management shpk", që sipas Berishës synon zhvillimin e turizmit elitar, me godina jo më të larta e 5 kate dhe ruajtja e një distance prej 250 metër nga vija e ujit, me vlerë prej afro gjysmë miliardë dollar. U miratua dhe Studimi Urbanistik Pjesor me sip.1.2 ha brenda ristudimit urbanistik në zonën turistike të Gjirit të Lalëzit, Komuna Ishëm si dhe Studimi urbanistik pjesor 7.6 ha, dhe leje sheshi për 3 vila një kat me papafingo brenda ristudimit urbanistik në zonën turistike te Gjirit të Lalëzit, me sip.2812 m2, në fshatin Lalëz, Komuna Ishëm, Qarku Durrës.

(Foto: Perleshjet e banorëve në korrik 2010)

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)