Hana, ikja e të mirit

Hana, ikja e të mirit
Njëri prej përfaqësuesve më të njohur të akuzës shqiptare dha dje shpirt në një klinikë të Bergamos në Itali, pas një muaji lëngate. Xhevat Hana nga mbrëmë është një “armik” më pak në listën e tyre që nuk e donin nëpër këmbë dhe që në të gjallë të tij e kishin shtyrë deri në zgrip traumash morale, profesionale dhe shpirtërore. Por për shumë është një mik me M të madhe, që tregon se i miri prandaj qëllohet, sepse nuk mund të jetë kurrë i keq. Rasti i ish-prokurorit Xhevat Hana është një ilustrim i pastër i asaj se çfarë nëpunësi kërkon shteti aktual. Ai ishte prokurori i duhur, nëse kjo që është në pushtet do të ishte vërtet, “qeveria e duarve të pastra” siç kishte premtuar në 2005, kur erdhi në krye të qeverisjes së shqiptarëve. Sepse ai u mor me ato dosje të mëdha dhe përvëluese, hetimi dhe zbardhja e të cilave, do të kishin nderuar dhe bërë dinjitoze, çdo qeveri, nëse ajo do të ishte e duhura. Por jo. Para se të transferohej nga Prokuroria e përgjithshme në fund të vitit 2007, i ndjeri Hana ishte përfaqësuesi i akuzës shqiptare për dosjen korruptive të rrugës Durrës-Kukës, për një korrupsion që mendohet të shkojë në të paktën 220 milionë euro. Tranferimi i tij dhe më pas mbyllja e dosjes nga Prokuroria e përgjithshme, tregoi vullnetin e munguar të organit të Akuzës për të bërë shembull zyrtarët e lartë që përfliteshin në korrupsion, atë që sot të huajt e ngrejnë me shqetësim dhe që është kthyer në modën e qeveritarëve, “kultura e mosndëshkimit”. Hana ishte përfaqësuesi edhe i dosjes tjetër përvëluese, që djeg ende falangat e vjetra të rregjimit të shkuar të Berishës, atëherë president. Rrëmbimi, torturimi dhe zhdukja pa gjurmë e Remzi Hoxhës, implikon direkt shërbimin sekret të viteve ‘90, që asokohe kishte lidhje të shkurtër me kreun e shtetit, sot kryeministër. Se çfarë u bë më këta të akuzuar e tregon historia: dikush ka vdekur me sëmundje të rëndë, njëri është arratisur për në Kinë, tjetri është në një post të lartë të administratës shtetërore shqiptare, ndërsa mbrojtësi i paepur i apelit të familjarëve të Hoxhës, prej dje nuk është më midis nesh.Ata që nuk donin Xhevat Hanën si njerin e ligjit dhe të drejtësisë prej mbrëmë janë të qetë në krimet e tyre. Ata që e donin do të vijojnë ta duan, edhe pse në mungesë fizike. Dhe duhet ta duan më shumë, sepse ikja e këtyre njerëzve e bën edhe më të trishtueshme shoqërinë shqiptare, ku hë për hë duket se fiton më i keqi.

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin