Kopjo macet
Mësoni të bëni streçing (shtriquni si macja) kur zgjoheni nga gjumi. Rrit qarkullimin e gjakut dhe lehtëson dhimbjet e mesit dhe të kurrizit
Mos harroni të hani mëngjes!
Studimet tregojnë se të hani mëngjes është një nga zakonet më të mira që mund të keni, madje edhe për ata që janë duke të zierë.u munduar të bjenë nga pasha. Ata që nuk e konsumojnë mëngjesin si vakt kanë tendencë të shtojnë në peshë. Një mëngjes i mirë dhe i shëndetshëm përfshin lëng frutash, drithëra me shumë fibra, qumësht ose kos, tost dhe një vezë të zierë.
Kujdes furçën e dhëmbëve!
Shumë njerëz nuk dinë se si lahen mirë dhëmbët. Larja në mënyrën e gabuar, shpesh shkakton po aq dëmtime sa moslarja e tyre. Shumë prej nesh, nuk e zgjasin larjen aq sa duhet, nuk i shplajnë siç duhet dhe nuk shkojnë rregullisht te dentisti. Duhet të lani hapsirën midis dhëmbëve, hapsirën midis dhëmbëve dhe mishrave të tyre, gjuhën, qiellzën dhe gjithë ky proces duhet të zgjasë të paktën 2 minuta! Nuk ju duhet një furçë e 'komplikuar' e përthyer çuditshëm etj, ju mjafton një furçë e thjeshtë me qime të shpeshta dhe të buta të cilën ta ndrroni çdo muaj.
'Neuroaerobi' për mendjen!
Po, po, bëjini trurit fiskulturë. Disa hulumtues Amerikanë e përdorin termin 'neuroaerobi' për veprime që aktivizojnë rrugët biokimike të trurit dhe ndihmojnë në krijimin e rrugëve të reja. Praktikisht, disa veprime të tilla mund të jenë, larja e dhëmbëve me dorën tjetër (atë që nuk përdorni zakonisht), të shkuarit në punë nga një rrugë tjetër dhe jo nëpërmjet asqj që ndiqni zakonisht, zgjidhini rrobat duke i seleksionuar jo vetëm duke i parë, por edhe duke i prekur. Njerëzit me shkathtësi mendore kanë më pak rrezik për sëmundje mendore të lidhura me moshën.
Qelbu ere…
Mos u trembni! Bëhet fjalë për hudhrën, qepët, preshin të cilët përmbajnë substanca shumë të shëndetshme! Një studimi i Child's Health Institute në Cape Town doli në përfundimin se konsumimi i hudhrës së gjallë i ndihmonte fëmijët të luftonin disa infeksione të rënda. Nxehtësia i shkatërron këto veti kështuqë era e keqe është një sakrificë e vogël para të mirave për shëndetin.
Larg stresit…duke ngrënë
Evitojeni çdo luhatje apo rënie të sasisë së sheqerit në gjak, pasi shton stresin. Mos e lini veten tju'gërryejë stomaku' nga uria sidomos nëse jeni të stresuar pasi ky i fundit do rritet. Hani vakte të rregullta dhe mbani me vete fruta. Çajrat ju ndihmojnë gjithashtu për të ulur nervozizmin. Konsumimi i karbohidrateve të parafinuara, bananeve, arrave nxit formimin e serotoninës, hormon tjetër i kënaqësisë.
Ngarkohuni me vitaminë C!
Na nevojitet të paktën 90mg vitamin C çdo ditë dhe mënyra më e mirë për këtë është të hamë të paktën 5 fruta ose perime në ditë.
Acidi folik
Duhet të merret rregullisht nga nënat shtatzëna dhe persona me imunitet të ulur. Acidi folik parandalon sëmundje si spina bifida në foshnjët e palindura dhe luan rol të rëndësishëm në parandalimin e kancerit. Gjendet në perime me gjethe jeshile, fruta dhe në mëlçi..
Vitamina A dhe beta karoteni
Rrisin imunitetin në luftën kundër sëmundjeve. Gjithashtu ndihmon në procesin shërues të fruthit. Burimi më i mirë i vitaminës A janë veshkat, mëlçia, bulmeti, perimet jeshile dhe të verdha, mango etj.
Ujë, ujë, ujë
Mos pini pije 'energjike' apo ujë të pasuruar me vitamina, aq më tepër nëse jeni duke bërë aktivitet fizik. Mos ju ndani ujit 100% natyral!
Pyesni në fis….
Po pra, pyesni lart e poshtë në familje për shëndetin e tyre, për hallat, tezet, xhajat…. e mamit dhe të babit, gjyshërit tuaj, stërgjyshërit. Pyesni si janë me shëndet, a kanë vuajtur nga ndonjë sëmundje, nëse keni persona në fis që kanë vdekur, pyesni për shkaqet. Shumë sëmundje janë gjenetikisht të transmetueshme, madje edhe tumoret kanë një përqindje transmetimi gjenetik dhe sa më herët dhe më shumë të dini, aq më mirë! Kujtesë: 25% e fëmijëve të të alkolizuarve bëhen alkolistë në të ardhmen!
Bëni vëtë-kontroll
Vajza dhe gra, bëni ekzaminim vetjak të gjinjve. Kontrolloni për ndryshime të ngjyrës, madhësisë, formës apo pranisë së ndonjë mase. Koha më e mirë për të kontrolluar gjirin është në javën e parë pas menstruacioneve.
Fushata kundër kancerit…
Bëni një PAP test çdo vit, mund tju kujtojë dita kombëtare e kancerit të qafës së mitrës. Nuk është shumë e këndshme për tu bërë, por është jetësore. Kanceri i qafës së mitrës vret rreth 200.000 gra në vit, por shansi për ti mbijetuar është afër 100% nëse kapet herët. Bëj kujdes sidomos nëse ke filluar raportet seksuale në moshë të re, ke pasur shumë partnerë seksualë dhe je duhanpirëse.
Kuptojini hormonet
Studime të fundit kanë treguar që përdorimi i terapisë zëvendësuese hormonale për një kohë të shkurtër (më pak se 5 vjet) nuk është i lidhur me rritje të riskut për kancer gjiri, por përdorimi për më tepër se 10 vjet mund të ketë risk. Gjithsesi kanceri i gjirit kapet më herët në gratë që përdorin terapi hormonale zëvendësuese pasi këto të fundit janë më të kujdesshme sepse e dinë për rrezikun që mund tu kanoset.
Largoji teshtimat
Ka më tepër se 240 alergjenë, disa të rrallë disa shumë të shpeshtë. Nëse jeni nga ata personat që teshtijnë shumë kollaj nga poleni: mbyllini dritaret e makinës kur jeni në timon dhe evitojeni daljen nga ora 5' deri në 10' të mëngjesit, është koha kur sasia e polenit në ajër është në nivele të larta. Në fundjavë evitoni malin dhe shkoni në det, rreziku për polen është minimal!
Sportet që janë miq të astmës:
Sipas ekspertëve, noti është sporti i duhur për asmatikët, por edhe çiklizmi, peshkimi, ecja janë po ashtu të këshillueshëm. Kuriozitet: 11% e skuadrës olimpike të SHBA ishin astmatikë dhe midis tyre u fituan 41 medalje.
Plakja me aromë
Qëndrojini larg kremërave nxirës me aromë portokalli apo arre kokosi etj. nëse doni që lëkura juaj të qëndrojë e re. Këto kremëra përmbajnë psoralen i cili nxit procesin e plakjes.
(Shkrimi u botua në suplementin ALMEDICUS)
(Gre.M/Shqiptarja.com)