Hapen korridoret ajrore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë

Hapen korridoret ajrore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë

Korridoret ajrore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë

U hapën sot (24 janar 2024) korridoret ajrore për fluturime komerciale ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë që zvogëlojnë kohën e udhëtimit për 8-12 minuta.

Hapja e korridoreve ajrore u krye pas një procesi të gjatë diskutimesh të drejtuara nga NATO-ja e cila ka përgjegjësinë për sigurinë ajrore mbi Kosovën. 
Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të saj, ishte arritur në vitin 2020.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ceremonisë me rastin e hapjes së korridoreve tha se ky është një hap që e çon Kosovën më afër normalizimit të hapësirës së saj të poshtme ajrore.

 

“Duke shkurtuar trajektoren e fluturimeve për dhe nga Kosova, koha e udhëtimit ulët për 8 – 12 minuta. Reduktimi i kohës së fluturimit përkthehet në ulje të konsiderueshme të konsumit të karburantit, duke minimizuar kështu emetimin e dioksidit të karbonit. Kjo është në përputhje me angazhimin tonë për qëndrueshmërinë mjedisore dhe me luftën globale kundër ndryshimeve klimatike”, tha kryeministri Kurti.

Me korridoret e reja ajrore, krahas përfitimeve mjedisore dhe infrastrukturore, Kurti beson se  përfitues do të edhe mërgata me rritjen e mundësive për çmime më të përballueshme të biletave dhe për destinacione të reja për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”.

Qeveria e Kosovës ka investuar 34 milionë euro për projektin e zgjatjes së pistës që përfshin ngritjen e sistemit instrumental të aterimit dhe sistemeve të radiokomunikimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. 

Nga ky investim fluturimet për Prishtinë mund të aterojnë edhe në kushtet të cilat janë me dukshmëri më të ulët, dhe duke qenë që Aeroporti i Prishtinës shërben edhe si aeroport alternativ për aeroportet e rajonit në rastet kur ato e kanë të pamundur që të operojnë në kushtet e dukshmërisë së zvogëluar, rrjedhimisht kjo ndikon edhe në rritjen e numrit të udhëtarëve tek ne, tha me tej Kurti.

Ceremonia u mbajt në ambientet e Agjencisë së Sherbimeve te Navigimit Ajror.

NATO-ja tha në një njoftim se hapja e korridoreve të reja ajrore do të lehtësojë fluturimet për dhe nga Prishtina dhe “ky zhvillim është rezultat i përpjekjeve që janë bërë në kuadër të një procesi të drejtuar nga NATO-ja, i cili ka për synim normalizimin e aviacionit civil në Ballkanin Perëndimor”.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se hapja e rrugëve të reja ajrore për Kosovën u arrit pas një pune ekipore 15-mujore me autoritetet e Kosovës, Shqipërisë, por edhe me ndihmën e misionit të NATO-s në Kosovë. Sipas tij, për shkak të rrugës më të gjatë të fluturimeve, avionët kanë shpenzuar më shumë karburante duke ndotur mjedisin.

Ambasadori gjerman tha se do të vazhdojnë përpjekjet që të hapen edhe korridoret ajrore që e lidhin Kosovën me Malin e Zi.

Në prill të vitit të kaluar ish kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nënshkruan një marrëveshje për trafikun ajror, për t’i hapur rrugën përdorimit të korridoreve ajrore mes Kosovës dhe Malit të Zi, për aviacionin civil.

Që nga përfundimi i luftës fluturimet nga dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë realizuar vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri Kurti shfaqi besimin se gjatë këtij viti të zbatohet hapja e korridoreve me Malin e Zi, një zhvillim shtesë në normalizimin e trafikut ajror në rajon

Të pranishëm ishin edhe Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Petrit Malaj, Ambasador i Shqipërisë; Jörn Rohde, Ambasador i Gjermanisë;  George Schnetzer, Ambasador i Austrisë; Samir Bllacaku, Drejtor i Agjencisë së Shërbimeve të Aviacionit Ajror. Si dhe zëvendësambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe të Zvicrës.

K.M/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase