Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, në Lezhë u hap për herë të parë Muzeu Arkeologjik, një hapësirë e re kulturore që sjell për publikun pasurinë historike dhe arkeologjike të kësaj zone ndër shekuj.

I vendosur pranë kalasë së qytetit, në ambientet e muzeut janë ekspozuar materiale dhe objekte arkeologjike të zbuluara në Lezhë, që i përkasin periudhës nga prehistoria e deri në mesjetë, duke dëshmuar vazhdimësinë historike dhe rëndësinë që ka pasur qyteti ndër vite.

“Këtu janë gjithsej 268 objekte. Pjesa më e madhe e tyre i përkasin shekullit të kaluar”, tha Paulin Zefi, përgjegjës i trashëgimisë kulturore Lezhë.

Në ceremoninë e hapjes së muzeut ishte i pranishëm edhe Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, së bashku me kryetarin e Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, të cilët vlerësuan investimet në trashëgiminë kulturore si një mënyrë për të energjizuar potencialet turistike të zonës dhe për të rritur interesin e vizitorëve vendas e të huaj.

"Është një nga ngjarjet më të rëndësishme sepse ne sot po përurojmë një muze. Dhe kjo është një frymëzim për trashëgimininë kulturore të Lezhës”, tha Ndreu.

“Vetë historia e këtyre gjetjeve tregon ka gjurmë që janë shumë të rëndësishme që t’i ekspozojmë. Jemi shumë krenarë për këtë, por edhe për ata që e vizitojnë të njohin indetitetin tonë”, tha Gonxhja.

Muzeu Arkeologjik i Lezhës është financuar nga Bashkimi Evropian përmes projektit ndërkufitar Shqipëri-Kosovë dhe është muzeu i dytë i hapur në qytet pas atij Etnografik, i ngritur disa vite më parë