Saranda do të ketë shumë shpejt parkimin e parë publik në qytet. “Qendra e Mirëpritjes”, një hapësirë multifunksionale moderne, që do të hapet brenda muajit maj për të pritur sezonin turistik dhe që bashkon infrastrukturën moderne dhe standardet europiane me traditën e mikpritjes shqiptare.

Gjatë një inspektimi në terren,  zv/kryeministrja Albana Koçiu, e shoqëruar nga kryetari i bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, pa nga afër godinën e re ku ka 100 vende parkimi publik, dedikuar autobusëve dhe makinave private, duke e cilësuar si “portën e parë të mikpritjes” në qytetin bregdetar dhe një nga investimet më të rëndësishme për të..

Sipas saj, projekti është realizuar nga qeveria shqiptare, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Sarandë, me mbështetjen e Bankës Botërore.

“Kjo është porta e parë e mikpritjes në Sarandë. Është një nga investimet më të bukura që ka bërë qeveria, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Sarandë. Është projekt i Bankës Botërore. Një investim në një pronë publike që lidhet me parkimin e vizitorëve dhe turistëve. Brenda majit do të hapet për të pritur sezonin turistik”, deklaroi Koçiu.

Projekti nuk është konceptuar vetëm si parkim, por si një qendër shërbimesh për turistët dhe vizitorët. Hapësira përfshin bar, restorant dhe ambiente multifunksionale, duke synuar një menaxhim më të mirë të fluksit turistik në qytet.

“Është trajtuar jo vetëm si një vend parkimi, por ndërkohë ofron edhe bare, restorante, ofron poste akomodimi për të kaluar kohën deri në momentin që vjen orari i linjës së autobusit. Pra, një qendër multifunksionale, e cila garanton që të kemi një shërbim korrekt për vizitorët edhe turistët duke i ofruar mundësinë e një parkimi të sigurt, që për hir të vërtetës ka qenë problematikë në qytetin e Sarandës", tha më tej Koçiu.

Sipas saj, vendndodhja është strategjike dhe do të ndihmojë në orientimin e turistëve drejt destinacioneve të ndryshme të Sarandës. Godina moderne shtrihet në një sipërfaqe prej 8000 metrash katrorë dhe përfshin edhe poste karikimi për makina elektrike. Ajo është ndërtuar në tre kate me një kat nëntokë parkimi.

“Godina i ofron të gjithë atyre që udhëtojnë me mjetet e transportit, jo vetëm komoditetet e nevojshme, por ndërkohë pastaj edhe gjithë infrastrukturën lehtësuese sa i përket bareve dhe restoranteve. Është në fakt një nga nënprojektet e projektit të madh që ka të bëjë me infrastrukturën dhe urbanizimin e turizmit në qytetin e Sarandës”, shtoi Koçiu.

Koçiu theksoi se ky projekt është pjesë e planit të madh të urbanizimit të Sarandës, ndërsa nënvizoi se zhvillimi i turizmit duhet të jetë i qëndrueshëm dhe jo kaotik.

“Ky është një nga nënprojektet e projektit të madh të urbanizimit të Sarandës. Saranda është një nga xhevahirët e kurorrës së turimit shqiptar, ndaj duhet të sigurojmë infrastrukturën e nevojshme por të garantojmë që të mos kemi një zhvillim kaotik të turizmit por të qëndrueshëm. ”, u shpreh ajo.