Kryeministri Edi Rama do të mbledhë të shtunën, më 21 nëntor, Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë, me fokus përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, ku beteja kryesore pritet të zhvillohet për Bashkinë e kryeqytetit.

Mbledhja do të mbahet në orën 11:00, në ambientet e “Xibrakut”, vetëm një javë pas Asamblesë Kombëtare të PS-së në Gjirin e Lalzit.

Në takimin e 14 nëntorit, socialistët diskutuan organizimin e strukturave të partisë dhe përgatitjet për fushatën zgjedhore, me vëmendje të veçantë te Tirana.

Gjatë asaj mbledhjeje, Rama kërkoi mobilizimin e strukturave socialiste, ndërsa sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, prezantoi ndryshimet organizative në parti.

Në kuadër të këtyre ndryshimeve, Ervin Demo dhe Albana Koçiu u caktuan në drejtimin organizativ të socialistëve të Tiranës.

Mbledhja e së shtunës vjen në një kohë kur PS po përgatitet për zgjedhjet vendore të 9 majit, ndërsa situata në Bashkinë e Tiranës dhe marrëdhëniet mes kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj mbeten në qendër të vëmendjes politike.