Hapet thirrja për Bienalen e
Mesdheut,kurohet nga Driant Zeneli

Hapet thirrja për Bienalen e<br />Mesdheut,kurohet nga Driant Zeneli
BJCEM dhe Ministria e Kulturës njoftojnë hapjen e aplikimeve për Mediterranea 18, Bienalja e Artistëve të rinj të Mesdheut dhe Europës, një ngjarje multidisiplinare ndërkombëtare, e cila për herë të parë zhvillohet në Shqipëri mes Durrësit dhe Tiranës nga 4 maj deri më 9 maj 2017. Kjo Bienale sjell së bashku rreth 230 artistë nga Mesdheu dhe Europa.

Me një histori që nis qysh nga viti 1985, Bienalja mbahet çdo dy vjet në qytete të ndryshme në zonën e Mesdheut, ndërsa në qendër të saj janë artistët dhe krijuesit e rinj.

Thirrja është e hapur për të gjithë krijuesit - artistët vizualë, regjisorë, shkrimtarë, artistë, muzikantë dhe dizajn nga mosha 18 deri në 34 vjeç (të lindur nga 1 janari 1982). Nuk ka tarifa për dorëzimin e materialeve dhe thirrja është e hapur për të gjithë, pa dallim gjinie, feje, dallime sociale apo bindje politike. Megjithatë, artistët që kanë marrë pjesë në më shumë se një edicion të mëparshëm nuk mund të aplikojnë. Prioritet do t'u jepet të gjithë artistëve që nuk kanë qenë kurrë pjesë e Bienales.

Artistët e përzgjedhur do të qëndrojnë në Tiranë dhe Durrës nga data 4 maj deri më 9 maj 2017. Gjatë këtyre ditëve veprat dhe punët e tyre do të shfaqen në vende të veçanta të dy qyteteve, ndërsa ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 28 maj 2017.

Afati i fundit për aplikim është data 15 janar 2017 (mesnatë sipas orës-kohës italiane CEST). Vetëm për aplikantët nga Turqia afati i fundit i aplikimit është data 30 dhjetor 2016.

Emrat e artistëve të përzgjedhur do të publikohen në faqen e internetit të Bjcem.

Rrjeti BJCEM dhe Ministria e Kulturës shpallin lançimin e Bienales e 18-të së Mesdheut për Artistët e Rinj, një event internacional dhe multidisiplinar, që do të zhvillohet në Tiranë dhe Durrës, nga 4 deri më 9 Maj 2017. Ekspozitat do të jenë të hapura për publikun deri më 28 Maj 2017. Bienalja do të sjell sëbashku në Shqipëri rreth 230 artistë nga vendet Euro-Mesdhetare.

Thirrja është e hapur për të gjithë krijuesit e artit pamor, filmit, shkrimtarë, performues, muzikantë dhe dizajnues nga mosha 18 deri në 34 (lindur nga 1 Janari 1982). Nuk ka tarifa për aplikimin.

Drejtori artistik i Bienales është Driant Zeneli, i cili ka zhvilluar temën kryesore duke u nisur nga koncepti i ‘’shtëpisë’’ dhe bazuar në katër elementë:

• Historia, duke synuar memorizimin e historive personale, qofshin këto të ngulitura në kujtesë ose të harruara gjatë kohës.

• Konflikti, si gjendje njerëzore ndaj hapësirës fizike ku ne bashkëjetojmë.

• Ëndrra si projektim i shtëpisë, si e drejta themelore e njeriut për të qenë i lirë të zgjedhë dhe të dëshirojë shtëpinë e tij fizike apo imagjinare.

• Dështimi, elementi që qëndron mes përpjekjeve dhe pamundësisë duke u tjetërsuar gjatë rrugës në kërkim të shtëpisë së ëndrrave.

Kuratorët e Bienales janë: Jonida Turani, Maja Ciric, Maria Rosa Sossai , Eroll Bilibani, Ema Andrea dhe Tulla Center.

Funksioni i ‘’shtëpisë’’vendoset në diskutim, ndërsa zhvillimi i teknologjisë dhe rritja e ndërlikimit të strukturave politike, sociale dhe ekonomike kanë zbuluar kufijtë që për një farë kohe kanë qenë të padukshëm nga bota dhe sot risjellin diskutime lidhur me këto të fundit, por edhe për atë çka ‘‘shtëpia’’ është dhe si mund të bëhet. Kjo periudhë post-humanizmi kulturor e ka vendosur artin përballë sfidës së re e të të ripërkufizuarit se çfarë vlere ka sot dhe ku gjendet “shtëpia jonë”, përse dhe si mund të kemi nevojë për të.

Në këtë rast, arti e sheh ‘’shtëpinë’’ si proces më shumë sesa si mesazh, i përbërë nga miliona pjesë, ku asgjë nuk humbet dhe as nuk gjendet, por i nënshtrohet një tjetërsimi të vazhdueshëm.

Bienalja e mesdheut shërben si një platformë ku artistët dalin jashtë rutinës së tyre dhe i bashkohen një dialogu ndërkulturor mes ‘’shtëpive’’- qoftë ato fizike, virtuale, shpirtërore apo imagjinare.

Mediterranea 18 e kthen shtëpinë në një ‘‘britmë’’ e cila zhytet në ujërat e Mesdheut dhe kërkon të sfidojë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Për një herë të vetme, arti shkon përtej kritikës dhe provokimeve, nuk kërkon alternativa të reja, por riciklon për të ripërcaktuar ‘’shtëpinë’’ në gabimet gjatë procesit, në momentet e reflektimit përballë sfidave dhe kohës së pritjes për ri-ndërtim.

BJCEM është një rrjet ndërkombëtar me më shumë se 60 anëtarë dhe partnerë nga Europa, Lindja e Mesme dhe Afrika, dhe në sajë të mbështetjes së tyre, bënë të mundur pjesëmarrjen e artistëve nga territoret që ata përfaqësojnë.

Synimi kryesori i këtij rrjeti ndërkombëtar është krijimi i mundësisë për gjithë artistët e rinj që të mundësojnë lëvizjen, shkëmbimin, mirëkuptimin e ndërsjellë, dialogun ndërkulturor, bashkëpunim dhe trajnimin mes tyre. Shoqata mbështet proceset e tyre të krijimtarisë dhe i vë ata në kontakt me realitetet lokale dhe ndërkombëtare, me qëllim që t’i ndihmojë ata për tu rritur personalisht dhe profesionalisht.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Jahti i Steve Jobs përplaset me jahtin e miliarderit meksikan në Napoli

VIDEO/ Jahti i Steve Jobs përplaset me jahtin e miliarderit meksikan në Napoli