Berisha, pasi ka takuar disa prej të ftuarve, ka hipur në makinë dhe ka përshkuar gjatësinë prej 2,5 km të tunelit, i cili kalon përmes malit të Kërrabës dhe është pjesë e autostradës Tiranë-Elbasan. Ai ka akuzuar liderin e opozitës Edi Rama, se "vetën shan dhe mallkon", se "u rrit si zvarranik bunkeresh, unë si zog mali dhe ja ku jam; vazhdoj të fluturoj, ndaj dhe ju ftoj të ecim përpara, për të tjera projekte".
BERISHA: TUNELI, NJË ËNDËRR, KRYEVEPËR INXHINIERIKE
"Përshëndetjet e mia më të përzemërta, urimet më vëllazërore për këtë ditë, që do të mbetet në memorien tonë, si një ditë e krenarisë sonë individuale, kombëtare, sepse ne sot më 16 qershor të vitit 2013 bëjmë të vërtetë, realizojmë një ëndërr tonën, një ëndërr por jo vetëm të gjeneratës sonë, por të gjeneratave të tëra, që ëndërronin që një ditë Elbasani, ky qytet i shpirtit dhe zemrës mbarë të shqiptarëve, ky qytet djep i dijes dhe shkollimit të tyre të bashkohej me Tiranë nëpërmjet një tuneli", tha në fillim të fjalës së tij, kryeministri Sali Berisha.
Ai shtoi se "emocionet sot janë të mëdha sa vetë rruga; ato nuk kanë të përshkruar, por njëkohësisht kënaqësia është shumë e madhe, sepse sot më 16 qershor vendi që vetëm 6 vite më parë kishte rrjetin rrugor më të shkatërruar dhe më të prapambetur jo në Europë dhe shumë më gjerë po çan mallet, po ndërton tunele, kryevepra inxhinierike, po krijon realitete të reja gjeografike dhe ekonomike e sociale".
BERISHA: FALENDERIME KOMPANISË "AKTOR"
"Siç e do rregulli, një falenderim shumë të përzemërt kompanisë “Aktor”, presidentit Dhimitër, që me ato fjalë shqip dëshmoi dashurinë, respektin e madh, përkushtimin ndaj zhvillimit të Shqipërisë, forcën që e bëri të çojë Kërrabën në kohë rekord dhe të vendosë në këtë tunel një kryevepër inxhinierike të kohës së sotme".
BERISHA: QYTETET QË PËRFITOJNË NGA RRUGA
"Tuneli dhë autostrada sjellin Elbasanin pranë Tiranës dhe e bëjnë qytetin më të afërt, por Librazhdi, Gramshi dhe Dumreja do jenë në Tiranë për 30-40 minuta. Pogradeci, Korça, Bilishti në Tiranë për 1 orë më shpejt. Por tuneli është segmenti krenar dhe i pavdekshëm i segmentit të Korridorit 8, që do të sjellë flukse të mëdha të tregut, energjisë dhe të gjitha llojeve, nga Lindja Perëndimi, port i të cilit në Ballkan është Shqipëria", tha Berisha.
"Është segmenti më i rëndësishëm i Korridorit të Jugut, që do sjellë Beratin, Tepelenën në një kohë rekord në Tiranë. Është i jashtëzakonshëm në zhvillimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve", ka theksuar Berisha.
BERISHA: MIRËNJOHJE BANKËS ISLAMIKE DHE ABU DABIT
"Një financim i Bankës Islamike për Zhvillim, fondit të Abu Dabit dhe fondeve të tjera. Mirënjohjen më të thellë, mirënjohje punëtorëve teknikëve, inxhinierëve që vepruan 24 orë, që t’ua bëjnë shqiptarëve dhuratë në kohën më të shkurtër siç ua bënë", tha Berisha.
BERISHA: TUNELI, MONUMENT I MODELIT TONË
"Tuneli është monument madhështor i një modeli, që ka si qëllim përmirësimin e jetës së shqiptarëve kudo që jeni. Siç bashkon Tiranën me Elbasanin, ky tunel do bashkojë shqiptarët modeli ynë i punësimit, shkollimit, rritjes së rrogave, punësimit, mirëqenies, integrimit në BE. Është rasti të ftoj qytetarët, të bashkohemi në përpjekjen tonë për Elbasanin e zhvilluar, për Shqipërinë e zhvilluar, që djersa jonë e ballit të japë më shumë fitime, mirëqenie për çdo qytetar të Elbasanit dhe Shqipërisë", tha Berisha.
Ai ka përmendur projekte të mëdha si Kaskada e Devollit, qindra hidrocentrale, projekti Tap, "për të ecur me shpejtësi drejt cilësisë". "Ftojmë çdo shqiptar, që të shohë modelin tjetër të dëshpërmit, zhgënjimit, pesimizmit, mbjelljes së zisë dhe vrerit kudo. Ky model i fabrikuar nga njerëz pa ide, nga njerëz të ndryrë në autobusin mavi, kërkon që rrugët, shkollat, ujësjellësat, shtëpitë e reja t’i mohojë, t’i fusë në thesin e Koços dhe bashkë me Koçon në autobusin mavi. Inagurimi i sotshëm është një fjalë e dhënë, e mbajtur para jush qytetarë të Elbasanit", tha Berisha.
BERISHA: RAMA ZVARRANIK BUNKERËSH, UNË ZOG MALI
"Alternativa tjetër ka vetëm një argument; e ka kapur sindroma e moshës sime. Duke pasur vite rinie pa rini, shoku i autobusit ka ardhur te të 50-t me ide boshe në kokën e tij, meqë nuk kap dot vizionin tonë, rrugët dhe autostradat, shkollat dhe integrimin europian. Gërmon dhe gërmon dhe nxjerr ide të shkuara, për t’ua servirur shqiptarëve; mashtrime dhe mallkime të pavlera. Kjo nuk është përgjegjësia ime. Ai u rrit zvarranik bunkerash, unë u rrita zog malesh dhe ja ku jam; vazhdoj të fluturoj, ndaj dhe ju ftoj të ecim përpara. 7 ditë na ndajnë nga fitorja e merituar, fitorja është në dorën tuaj. Të bëjmë gjithçka, që këto 7 ditë ta zmadhojmë, ta rrisim, ta bëjmë fitoren më të madhe në gjithë historinë tonë", i ka thënë Berisha liderit të opozitës, Edi Rama.
BASHA: BERISHA PO E THA, E BËN
Fjalën hyrëse të përurimit të tunelit e mbajti kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha. "Elbasani, kjo qendër e rëndësishme kulturore, e traditës, tani është në hyrje të qytetit. Jam i lumtur shumëfish si qytetar i Tiranës dhe përfaqësues i zgjedhur i Elbasanit", u shpreh Berisha.
Ai shtoi se "kur Sali Berisha thotë do ta bëjmë rrugën, tunelin, rruga dhe tuneli bëhet". Sipas Bashës, "jemi në një mrekulli mahnitëse të infrastrukturës, që afron qytetarët dhe lidhemi më shumë me njëri-tjetrin dhe sa herë lidhemi me njëri-tjetrin, arkitekti është Sali Berisha".
"Nuk është rastësi, por është lidershipi për çdo qytetar. Sot ofrohet për Tiranën një fuqi më shumë, një fuqi blerëse, për zhvillim. Ata që nuk e votuan dhe u përpoqën ta pengojnë u shprehën të turpëruar se ky nuk është zhvillim dhe duan të na kthejnë pas. Ne do ecim përpara, se ne jemi alternativa e duhur".
TURKU: TANI ELBASANI, EPIQENDËR KRYQËZIMESH
"Nuk mund të fsheh emocionet. U fol vite më parë për një rrugë shumë të shkurtër Elbasan-Tiranë. 4 vjet më parë, Lulzim Basha drejtoi ekipin fitues dhe premtoi se do ta çajmë Kërrabën më dysh. Por sot shoh dritën tej e tej tunelit. Kjo rrugë së shumti i takon Elbasanit. Ishte si një ndalesë e rrugës Egnatia. Kur Egnatia humbi funksionin Elbasani mbeti i izoluar. Tani Elbasani kthehet në epiqendrën e kryqëzimit të rrugëve nga një skaj i vendit në një skaj tjetër. Ky projekt u ndërtua edhe prej shumë punëtorëve nga Elbasani", u shpreh Ardian Turku, ish-ministër i Kulturës.
TË DHËNAT TEKNIKE
Autostrada e re do të jetë e gjatë rreth 27 kilometra, nga 54 kilometra që është aktualisht ky segment, është me 4 korsi, me 7 mbikalime, 21 vijadukte, 4 nënkalime.
Autostrada përbëhet nga tre segmente: Segmenti I (Sauk -Tuneli i Krrabës gjatësia 13 km) Segmenti II (Tuneli i Krrabës, gjatësia 2.5 km), Segmenti III (Tuneli i Krrabës – Elbasan, gjatësia 11.5 km). Tuneli me gjatësi 2,5 kilometra do të anashkalojë rrugën ekzistuese në Qafën e Kërrabës, e cila është ndërtuar fillimisht gjatë Luftës së Parë Botërore nga ushtria austro-hungareze.
Tuneli i Autostradës u ndërtua në një kohë rekord prej 13 muajsh. Punimet për ndërtimin e tij nisën në muajin maj të vitit 2011 dhe pas afro 9 muajsh filluan edhe dy kontratat e tjera të segmenteve rrugore para dhe pas tunelit. Shpejtësia e lëvizjes në të është përllogaritur të jetë deri në 120 km/orë. Tani kjo rrugë kursen 40 minuta kohë krahasuar me rrugën e mëparshme.
Ajo është rrugë kryesore drejt kryeqytetit për qytetarët e rretheve Elbasan, Librazhd, Korçë, Pogradec, Kolonjë. Ajo gjithashtu është pjesa e parë e Boshtit të Jugut. (Cërrik, Belsh, Kuçovë, Berat, Tepelenë, Gjirokastër, Delvinë, Sarandë)
Me ndërtimin e saj skajet ekstreme jugore apo lindore të Shqipërisë do të arrijnë në Tiranë për më pak se 2 orë me përfundimin e segmenteve, që vijnë pas autostradës së re.
KOSTOJA E AUTOSTRADËS
I gjithë projekti ka kushtuar rreth 400 milionë dollarë. Qeveria shqiptare ka nënshkruar kontrata për kredi prej rreth 300 milionë dollarësh me disa financues arabë dhe me interes prej afërsisht 5 për qind në vit. Vetëm interesat e këtyre kredive do t’iu kushtojnë taksapaguesve shqiptarë rreth 15 milionë dollarë në vit.
Autostrada Tiranë-Elbasan shkurton mesatarisht 40 minuta kohën që duhet për të shkuar nga Tirana në Elbasan. Investimi më i rëndësishëm i rrugës është tuneli i Kërrabës. Kjo rrugë është e ndarë në tri lote, nga të cilat: loti i parë fillon nga Unaza e Madhe deri në kilometrin e 13-të, loti i dytë është tuneli, dhe loti i tretë është nga dalja e tunelit në qytetin e Elbasanit.
Ndërtimi i tunelit në autostradën Tiranë-Elbasan, filloi në 29 prill të viti 2011. Autostrada Tiranë-Elbasan përbën pas Rrugës së Kombit, veprën e dytë më të madhe publike në Shqipëri.
(Foto: Berisha ne ceremonine e hapjes se tunelit te Krrabes)
Redaksia online
(sg/mag/shqiptarja.com)