Pak ditë para hapjes zyrtare, punimet në Unazën e Re të Tiranës janë drejt përfundimit. Vijëzimi është i vetmi detaj që pritet të mbyllet, ndërsa punime të tjera po zhvillohen edhe në rrugët dytësore, mbikalimet dhe nënkalimet përreth.
 
Zhbllokimi i trafikut, lehtësia në lëvizje dhe ana estetike, janë disa nga mendimet e qytetarëve të dhënë për Report Tv rreth projektit të Unazës së Re.
 
"Unaza e re do shërbejë shumë, është e shumë e nevojshme se zhbllokohet trafiku, tani do jemi më të lirshëm, duhet të ishte bërë më përpara. Është bërë për bukuri, na shërben shumë, binte shi dhe ishte baltë lagështire, për bukuri e kanë bërë. Për bukuri e kanë bërë, e vlerësoj shumë , kemi dalë në drite mbas 20 vitesh”, shprehen banorët pranë unazës së re.
 
Ndërsa të tjerë banorë sugjerojnë që parametrat e sigurisë duhen rritur veçanërisht në zonat më të populluara.
 
"Unazën e kanë bërë shumë bukur, shqetësimi jonë është se ne kemi shakllë që dalim tek makina dhe aty nuk ka mbrojtëse, mund të dalin fëmija dhe ta shtypë makina. Duhet një kënd lojrash, ska kënd lojrash fare, fëmijët luajnë nëpr shkallët e pallatit, zihen banorët se bëjnë zhurmë", bëjnë apel banorët.
 
Unaza e Madhe nga Shkolla Teknologjike deri tek Kopshti Zoologjik ka përfunduar thuajse e gjitha dhe do të hapet këtë fundjave. Unaza e Re e Tiranës ka nisur të projektohet që prej vitit 2010 dhe pritet të krijojë lehtësi në qarkullimin e automjeteve në kryeqytet. Projekti fillestar është ripunuar dhe vlera e tij nga afro 600 mln lekë ka shkuar në 1 mld e 600 mln.

[gallery]23775[/gallery] 
Redaksia Online
Er.K/Shqiptarja.com