Spanjë: Policia heton letra-bomba dërguar ambasadës ukrainase dhe kompanisë së prodhimit të armëve

Spanjë: Policia heton letra-bomba dërguar ambasadës ukrainase dhe kompanisë së prodhimit të armëve

Policia në Spanjë po shqyrton një lidhje të mundshme midis dy letrave-bomba dërguar ambasadorit ukrainas në Madrid dhe një kompanie armësh që prodhon raketahedhës që i janë dhuruar Kievit, konfirmoi policia në një deklaratë të mërkurën.

Në incidentin e parë, një oficer i ambasadës së Ukrainës në Madrid u lëndua kur hapi një letër-bombë drejtuar ambasadorit. Kievi urdhëroi rritjen e masave të sigurisë në të gjitha përfaqësitë jashtë vendit.

Letra, e cila mbërriti me postë të rregullt dhe nuk u skanua, i shkaktoi "një plagë shumë të vogël" në gisht kur oficeri e hapi atë në oborrin e ambasadës, tha Mercedes Gonzalez, një zyrtare e qeverisë spanjolle, për televizionin Telemadrid.

Ambasadori Serhii Pohoreltsev i tha faqes ukrainase të lajmeve European Pravda se paketa e dyshimtë drejtuar atij i ishte dorëzuar komandantit të ambasadës, një anëtar i personelit ukrainas.

"Paketa përmbante një kuti, e cila ngjalli dyshime tek komandanti i cili vendosi ta nxirrte jashtë - pa njerëz përreth - dhe ta hapte," citohet të ketë thënë ambasadori Pohoreltsev.

"Pasi hapi kutinë dhe dëgjoi një klikim, ai e hodhi dhe më pas dëgjoi shpërthimin. Pavarësisht se nuk e kishte në dote kutinë në momentin e shpërthimit, komandantit iu lënduan duart dhe pësoi një tronditje."

Orë më vonë, një kompani armësh në Zaragoza, në verilindje të Spanjës, mori një paketë të ngjashme, konfirmoi policia.

Përfaqësuesja e qeverisë në Zaragoza, Rosa Serrano, tha në një intervistë me stacionin SER se dy zarfet dukej se kishin të njëjtin dërgues, pasi e njëjta adresë e-mail ishte shkruar në anën e pasme të të dyve. Zonja Serrano tha se pakot vinin nga Ukraina dhe kjo e alarmoi kompaninë e armëve, e cila thirri policinë.

Kompania e armëve është Instalaza, prodhuesi i raketës C90 që Spanja i dhuron Ukrainës.

Pas incidentit të parë, Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba urdhëroi të gjitha ambasadat e Kievit jashtë vendit që "urgjentisht" të forcojnë sigurinë dhe i kërkoi Spanjës të hetojë sulmin, tha një zëdhënës i ministrisë.

Qeveria ukrainase nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment në lidhje me incidentin e dytë.

Ambasadori Pohoreltsev i tha TVE-së më vonë se ai po punonte si zakonisht në ambasadë "i pa frikësuar".

"Ne kemi udhëzime nga ministria në Ukrainë që duke pasur parasysh situatën të jemi të përgatitur për çdo lloj incidenti, çdo lloj aktiviteti rus jashtë vendit," tha ai.

Gjykata e Lartë e Spanjës ka hapur një hetim për sulmin si një rast i mundshëm terrorizmi, tha një burim gjyqësor./ VOA

 

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura