TIRANE-Kryetari i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se Edi Rama sot prishi në esencë duke zhvlerësuar dhe hedhur në erë marrëveshjen për reformën zgjedhore që u arrit në datë 5 qershor pas deklaratës se është për hapjen e listave dhe rrjedhimisht ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Për liderin demokrat, frika e Edi Ramës buron te koalicioni opozitar. Pika dytë e marrëveshjes së 5 qershorit, vijoi më tej Lulzim Basha, e përjashton ndryshimin e njëanshëm të sistemit. Kryedemokrati theksoi se listat e hapura bëhen me ndryshime në Kodin Zgjedhor, por Rama do të ndërhyjë në Kushtetutë për të hequr koalicionet.

"Njeriu më i tmerruar nga zgjedhjet e ardhshme. Tmerri dhe ankthi i Ramës për humbjen e pushtetit ka kohë që manifestohet me gjuhën dhe veprimet e tij, por sot ka arritur një majë papërgjegjshmërie që nuk e ka pasur as Ramiz Alia në ditët e fundit. Sot Edi Rama në esencë ka prishur marrëveshjen e 5 qershorit, që u investuan forcat politike me dakordësinë e 14 janarit dhe ndërmjetësimin e SHBA-BE-së dhe Britanisë së Madhe. Në këtë marrëveshje ishte miratimi me konsensus i reformës zgjedhore.  Ky ndryshim i njëanshëm e zhvlerëson marrëveshjen e 5 qershorit. 

Pika dytë e marrëveshjes së 5 qershorit përjashton ndryshimin e njëanshëm të sistemit. Çështja kryesore sot është se Edi Rama hodhi në erë marrëveshjen e 5 qershorit, është një investim i SHBA-BE-së dhe Britanisë së Madhe. Marrëveshja e 5 qershorit ishte emëruesi i përbashkët për të krijuar kushtet për normalitet zgjedhor. Prishja e kësaj marrëveshje dhe kërkesa e paprecedent për të ndryshuar kushtetutën për të hequr koalicionet, se prandaj e do ai, se listat i hap pa ndryshuar kushtetutën. Pragu në fakt dihet se sa më i ulët favorizon partitë e vogla. Thirrja ime është të reflektojë, ndryshe do të jetë përgjegjësi i vetëm" tha Basha.

Lulzim Basha bëri një deklaratë të fortë duke zbuluar sipas tij një propozim që i kishte ardhur nga Edi Rama. Lideri demokrat tha, se kryeministri i kishte dërguar ndërmjetës me propozimin që të hiqnin koalicionet dhe në 2021, ai, pra Basha të ishte në krye të qeverisë, dhe Edi Rama President. "Për një muaj e gjysmë Edi Rama ka dërguar ndërmjetësit e tij pothuajse cdo ditë me të njëjtin mesazh 'Ti kryeministër, unë president, vetëm të heqim koalicionet'" tha ai''. Por në këtë pikë lideri demokrat ishte kontradiktor, sepse fillimisht tha se këtë ofertë Edi Rama ia kishte bërë për një muaj e gjysmë cdo ditë me ndërmjetës, por kur u pyet nga gazetarët se kur ka ndodhur tha se "Bëhet fjalë për tani, për periudhën mars-prill-maj", që janë tre muaj. E mënjehershme ishte përgjigja e kryeministrit Edi Rama që e mohoi, ndërsa sa i përket koalicioneve tha se nuk e pengon askush Lulzim Bashën që të bëjë koalicion me LSI-në.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:46
'Unë president, ti kryeministër'! Rama i përgjigjet Bashës: Jo! S'e bëj dot Lulin KM, e vendos populli

Kryeministri ka reaguar pas deklaratës së liderit të PD-së se i kishte propozuar me ndërmjetës që ai, pra Lulzim Basha të ishte kryeministri i ardhshëm, ndërsa Edi Rama të ngjiste shkallët e Presidencës në këmbim të ndalimit të koalicioneve parazgjedhore.  

"Listat e hapura do fuskan kriminelët në parlament sipas LB e unë dashkam të bëhem President me LB kryeministër,se paskam frikë nga humbja. Në fakt jo, unë e di popullin më të mençur se veten prandaj dua të hapen listat,e s'e bëj dot Lulin KM se s'jam Populli që e vendos këtë!

Sa për koalicionin me SHPK e LSI siç e quan LB,as e ndalon hapja e listave që ta bëjë, as e detyroj dot unë që ta zhbëjë! Prandaj Lul merre me qetësi këtë proces ku more gjithë çfarë deshe,e lëri sharjet e kërcënimet,sepse koha e ka treguar që të çojnë vetëm nga humbja në humbje" shkruan Rama.

Ora 15:31
Basha këshilla Ramës: Qetësohu, askush nuk është i përjetshëm në pushtet

Në fund të konferencës për mediat, Lulzim Basha kishte një këshillë për rivalin e tij politik duke i kërkuar që të pranojë rotacionin e butë. "Sa nuk është vonë të marrë masat e nevojshme për t'u qetësuar, askush nuk është i përjetshëm në pushtet, askush nuk e ndal dot rotacionin. Edi Rama ti thërrasë përgjegjësisë si kryeministër, qytetar dhe prind dhe të lejojë rotacionin ose të përballe me pasojat e një vendimi ndryshe, por as Shqipëria dhe as shqiptarët nuk do të jenë peng i frikës së Edi Ramës.

Lufta kundër korrupsioni nuk ka të bëjë vetëm me vjedhjen e këtyre 7 viteve por standardin që duhet të vendosim. Jam i vendosur të bëjë gjithçka nesër dhe me ekipin tim kemi krijuar instrumentet e duhur ligjor t'i japim fund pandëshkueshmërisë. Nga PD janë marrë të gjitha hapat për ta nxjerrë reformën në drejtësi nga amullia që e ka futur Rama dhe të nxjerrim në atë reformë që votuam të gjithë në 2016".

Ora 15:26
6 deputetë të opozitës pro 'Zgjedhores'/ Basha: E vlerësoj qëndrimin, por s'janë tanët

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha vlerësoi qëndrimin e gjashtë deputetëve të opozitës parlamentare dje, që u shprehën se do të votojnë pro draftit të 5 qershorit. "Asnjë nga personat që zunë vendet e opozitës nuk përfaqëson asnjë parti të koalicionit opozitar, por vlerësoj qëndrimet e tyre të shprehura dje, si një shërbim ndaj interesit publik dhe zbërthim të qartë të çmendurisë së Edi Ramës" tha Basha.

Ora 15:25
Lëvizja e Ramës, Basha: Ndërkombëtarët janë thellësisht të shqetësuar

Lulzim Basha u shpreh në konferencën për mediat se nga komunikimet që ka pasur ditën e sotme, ndërkombëtarët janë të shqetësuar për lëvizjen e kryeministrit Edi Rama për të hapur listat dhe ndaluar koalicionet parazgjedhore. "Ndërkombëtarët janë thellësisht të shqetësuar për këtë zhvillim të papritur" tha ai.

Ora 15:23
Çfarë do të bëjë nëse Edi Rama hap listat dhe ndalon koalicionet? Ja si përgjigjet Basha

Lulzim Basha nuk pranoi që ti jepte një përgjigje pyetjes se cfarë do të bëjë nëse Edi Rama i shkon deri në fund nismës për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve. "Sot jam para jush për t'u bërë të qartë shqiptarëve dhe partnerëve se do të jemi bashkë me ata në një përpjekje për të shmangur këtë marrëzi, që synon që të fundosë vendin.

Sot jam këtu për t'iu thënë se interesi i një njeriu për pushtet dhe frika nga zgjedhjet e lira nuk do ta mbajë peng Shqipërinë. Meqë jemi përpara një akti përpara një njeri që ka vendosur interesin personal mbi PS-në, është shkatërrimtare për PS-në. Sa herë individë të tillë kanë marrë vendime të tilla janë përballuar me pasoja të dhimbshme për vendin. Kjo është fazë e fundit e degjenerimit mendor dhe politik" tha ai.

Ora 15:04
Basha: Rama kërkon që t'i ndalojë pasi ka frikë nga koalicioni opozitar

Lulzim Basha u shpreh sot se Edi Rama nxori zbuluar se halli i tij është frika nga koalicioni opozitar parazgjedhor, prandaj kërkon t'i ndalojë. 'Diskutimi i sotëm nuk është për listat e hapura, por koalicionet parazgjedhore, që kanë qenë përherë një realitet i pluralizmit politik, e drejta për të bashkëpunuar në konkurrimin politik. Ky është halli i vërtetë i Edi Ramës, sot ranë edhe dorezat dhe maskat. Shqetësimi i Edi Ramës është një, koalicioni opozitar. Maska ra se deri tani ishte vendosur si alibi për këtë kërkesë një grup njerëzish që nuk përfaqësojnë asnjë, që këtu në këtë sallë nënshkruan heqjen dorë nga mandati dhe më pas u blenë me para të thata dhe leje ndërtimi.

Ata janë mall i blerë nga Edi Rama, u përdorën mish për top. Ishin këta që propozuan heqjen e koalicioneve, ndërkohë që këta janë të interesuar për koalicionet apo për pragun, nuk ka budalla se Edi Rama do listat e hapura, ai është i tmerruar. Problemi në Shqipëri nuk është sistemi, jo shpata, por krahu. Me cdo lloj sistemi problemi është bashkëpunimi i krimit me politikën, pa zgjidhur këtë cdo sistem do të dështojë. Një sistem me lista të hapura sakohë që nuk shkëputet lidhja e politikë me krimin nuk përbën garanci për shqiptarët. Nëse Edi Rama do të kishte interes për të diskutuar për listat e hapura nuk do ta linte pazar të fund-korrikut. Vendimi për sistemin u takon shqiptarëve me referendum" tha ai.

Ora 15:03
Basha: Rama më ka dërguar ndërmjetës me këtë propozim; "Unë kryeministër, ai president"

Lulzim Basha bëri sot një deklaratë të fortë duke zbuluar sipas tij një propozim që i kishte ardhur nga Edi Rama. Lideri demokrat tha, se kryeministri i kishte dërguar për një muaj ndërmjetës me propozimin që të hiqnin koalicionet dhe në 2021, ai, pra Basha të ishte në krye të qeverisë, dhe Edi Rama President.

"Marrëveshja e 5 qershorit është e qartë, nuk ka konsensus për ndryshimin e sistemit, jo sepse nuk deshëm ne, por Rama. Vetëm një budalla mund të besojë atë që Rama tha, se aspektet e Kodit kanë nevojë për konsensusin e opozitës, për kushtetutën jo. A ka budalla që e beson këtë.

Nëse Edi Rama është lista të hapura nuk ka nevojë për lista të hapura nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese sepse është në kod, ai i do ndryshimet në kushtetutë për ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Për një muaj e gjysmë Edi Rama ka dërguar ndërmjetësit e tij pothuajse cdo ditë me të njëjtin mesazh 'Ti kryeministër, unë president, vetëm të heqim koalicionet" tha Basha.

Por kur ka ndodhur ky ndërmjetësim? "Bëhet fjalë për tani, për periudhën mars-prill-maj. Po të kishte pasur përgjigje tjetër nga unë sot nuk do të shikonit një njeri të tmerruar nga zgjedhjet e ardhshme".

Por cili do të ishte pozicioni i Ilir Metës në këtë pazar, që Basha thotë se i është ofruar? "Sa i përket cështjes së pazarit, është një pyetje hipotetike, se pazar kërkoi, por pazar nuk mori dhe nuk do të marrë kurrë" tha Basha.