Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi kanë nisur një axhendë intensive diplomatike me parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian përpara shqyrtimit të rekomandimit të Komisionit Europian për fillimin e negociatave për anëtarësim mes BE dhe Shqipërisë në Qershor. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla thotë se mbizotëron fryma pozitive në mbështetje të zgjerimit.
"Mbizotëron fryma pozitive në mbështetje të zgjerimit dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim mes BE-së dhe Shqipërisë e Maqedonisë. Ky ishte mesazhi gjatë ditës së parë të Samitit të Presidentëve të Parlamenteve Europiane. Nesër miratohet deklarata e Konferencës. Parlamentet kanë një rol të rëndësishëm në shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit Europian për fillimin e negociatave. Në disa vende anëtare si Gjermania apo Holanda konsultimi i qeverisë me parlamentin është i detyrueshëm, përpara sesa të shprehen në Këshillin Europian" thotë ai.
Qershorin e kaluar negociatat u shtynë për shkak të skepticizmit tre vendeve, ndërsa pritet drita jeshile këtë vit pas dy muajsh. Ruçi dhe Balla zhvilluan disa takime gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së që u zhvillua në Vjenë.