Presidenti Ilir Meta ka folur sot për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Meta deklaroi se vendi duhet të përqendrohet në thellimin e reformave për përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe.
Duke shprehur bindjen se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për çeljen e negociatave, Kreu i Shtetit theksoi se duhen evituar të gjitha polemikat për t’u përqendruar në objektivin e integrimit evropian.
“Të përqendrohemi në thellimin e reformave për përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe. I bindur që i kemi të gjitha mundësitë për çeljen e negociatave. Të evitojmë çdo lloj polemike e të përqendrohemi në objektivin e integrimit evropian”
Ilir Meta, President i Republikës
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate shqiptarja.png)
Presidenti Ilir Meta sot gjatë vizitës në Përrenjas me kryetaren e Bashkisë Miranda Rira
Meta e bëri këtë deklaratë nga qyteti i Përrenjasit, ku ndodhet për një vizitë. Ai është pritur në sheshin kryesor të qytetit nga kryetarja e bashkisë, Miranda Rira, dhe është takuar me dhjetëra banorë. Presidenti mori pjesë në inaugurimin e çerdhes së qytetit të rikonstruktuar me fondet e shtetit të Turqisë, ku i pranishëm ishte dhe ambasadori turk, Ahmet Yoruk. Ky i fundit vlerësoi marrëdhëniet vëllazërore mes dy vendeve.
“Tejet i kënaqur të jem sot në krah të Presidentit Meta, personalitet e mik i madh i Turqisë. Marrëdhëniet midis dy vendeve tona, shume te ngushta e vëllazërore”
Ahmet Yoruk, ambasadori i Turqisë në Tiranë
Pyetje-pergjigjet e Presidentit Meta në Përrenjas
Pyetje: Zoti Meta jemi në prag të negociatave të Bashkimit Evropian, dhe shohim një skepticizëm të vendeve të rëndësishme si Franca dhe Gjermania. Cili është komenti juaj për këtë: sa shanse ka Shqipëria?
Presidenti Meta: Së pari duhet t’i gëzohemi rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian, sepse ky është një hap mjaft i rëndësishëm. Dhe së dyti duhet të përqendrohemi në thellimin e reformave të 5 prioriteteve kyçe, sidomos për të treguar më shumë vullnet dhe rezultate përsa i takon sundimit të ligjit. Jam i bindur se i kemi të gjitha mundësitë që Këshilli të mbështesë plotësisht këtë rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave për Shqipërinë.
Pyetje: Duket se ka një konflikt mes Bashës, Ramës dhe përfaqësuesit të Gjermanisë në lidhje me këtë çështje?
Presidenti Meta: Mendoj se në këto momente është shumë e rëndësishme që të evitojmë çdo lloj polemike dhe të përqendrohemi te demonstrimi i rezultateve në ditët, në javët që vijnë, sepse besoj se kjo do të ishte rruga më e mirë që ky rekomandim i Komisionit të kthehet në mënyrë të sigurt në një vendim pozitiv të vendeve anëtare.
Pyetje: Zoti President, si e vlerësoni ju këtë investim nga qeveria turke për institucionet arsimore, por edhe bashkëpunimin midis dy vendeve?
Presidenti Meta: Si President dua të shpreh mirënjohjen ndaj gjithë këtij angazhimi të jashtëzakonshëm të “TIKA-s” në të gjithë vendin dhe të falenderojmë qeverinë e Turqisë për këtë mbështetje. Dhe së dyti, dua të falënderoj Kryetaren e Bashkisë dhe Ambasadorin turk që pata fatin ta nis ditën kaq bukur sot me këta fëmijë këtu në Bashkinë e Prrenjasit, të cilët janë kaq të lumtur në këtë mjedis të ri tërësisht të transformuar, që u jep krahë ëndrrave të tyre, dhe që njëkohësisht ka krijuar mundësi të reja jo vetëm për fëmijët, por ajo që është shumë e rëndësishme, edhe për nënat e tyre, që edhe ato të jenë më të qeta e më të sigurta.
Kështu që edhe njëherë do të falënderoja Ambasadorin dhe “TIKA-n” për çdo punë të shkëlqyer që kanë bërë!
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)