Pagat për Forcat e Armatosura do të rriten çdo vit, tha kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në ceremoninë e inaugurimit të qendrës së re të Inovacionit, Sigurisë e Mbrojtjes.
“Për herë të parë në trendin historik pagat e Forcave tona të Armatosura rriten çdo vit, sikundër e kemi premtuar dhe do të rriten përsëri këtë vit në mënyrë përsëri të ndjeshme, sepse qëllimi ynë nuk është thjeshtë, dhe kjo është një pjesë e tij pa diskutim që ne të kemi një trupë ushtarake të financuar dhe të paguar individualisht për çdo efektiv të saj në mesataren e vendeve NATO-s, gjë që jemi duke e synuar çdo vit dhe praktikisht sot, ndryshe nga jo shumë vite më parë, ne kemi një ushtri që në aspektin e pagave është në nivelin A të rajonit”, u shpreh Rama.
Kjo, vijoi Rama, është një mbështetje për atë që duam të kemi nesër.
“Dhe patjetër që duke parë këtë bërthamë kaq premtuese, vjen natyrshëm edhe nevoja për të rritur motivimin financiar të studentëve të Akademisë së Mbrojtjes, për të rritur motivimin financiar të nxënësve që e shikojnë mundësinë e një perspektivë në Forcat tona të Armatosura, dhe për më tepër për të gjithë ata studentë, qofshin në sistemin e mbrojtës, apo qofshin në sistemin e përgjithshëm universitar, që kanë diçka për t’i dhënë këtij vendi në këtë aspekt dhe që do t’i referohen kësaj qendre inovacioni së bashku me Agjencinë e Inovacionit të Ekselencës që do të jetë pranë saj, ne natyrshëm duhet të marrim masat tona edhe për motivimin financiar të tyre dhe nëse për ushtrinë në tërësi ky është një investim, për çka ushtria i garanton vendit në të përditshmen e vet për këtë pjesë të sistemit që ka të bëjë me inovacionin, ky është një investim, i cili do të mjaftonte një nga shumë e shumë përpjekjet që do të bëhen këtu për të pasur një sukses përtej kufijve të Shqipërisë për të mbuluar të gjithë shpenzimet tona”, u shpreh Kryeministri.
“E them këtë jo për të qeshur, por për të buzëqeshur dhe nga ana tjetër unë e di që ministri nuk është nga Gjirokastra, është nga Korça, por nuk është se janë shumë larg me njëra-tjetrën Korça me Gjirokastrën kur vjen puna te nikoqirllëku në raport me financat dhe patjetër që do ta sigurojë anën e ministrisë dhe të shtetit që të gjithë ata që do të marrin këto motivimet financiare të jenë në një kontratë që në rast të një suksesi të pritshëm dhe të befasishëm të mos largohen duke i marrë të gjitha për vete”, përfundoi Rama.
Lajmi kryesor: