Harabelat u fluturofshin sipër varreve

Harabelat u fluturofshin sipër varreve
Zemra mal të bëhet tek i shikon në këtë fotografi këta diva, këta vigana, këta titana, këta heronj, këta dëshmorë, këta martirë, këta therorë, këta fenera, këta kandila që nuk kursyen asgjë për ndriçimin si të mendjes dhe të shpirtit të Kombit në kohët më të errëta dhe më të koklavitura. Ishin këta ata që natën e bënë ditë, muzgun ag dhe agun muzg.

Ishin këta skllevër të përunjur të idealizmës që nuk u vajti kurrë mendja për asnjë përfitim material, këta që lekut i thanë ik se s'të shohim dot me sy, që fitimit i thanë shporru se s'ke punë me ne, që pasurimit i thanë sikter se na ndot, që nepotizmit i thanë thyej qafën na ler të pastër, që meritokracisë i thanë bujrum ta ndërtojmë Shqipërinë së bashku, që neveritën rehatinë dhe dhjamosjen mikroborgjeze në të mirë të dinamizmit proletar, që nuk e kanë idenë se çfarë janë llogaritë bankare, bixhozi me paret e vjedhura, shpërdorimi apo në përgjithësi manovrat lukrative.

shkrimi per media

Duke parë këtë foto monumentale, që s'është foto por kryevepër, dhe duke kqyrur këta njerëz, që s'janë njerëz por mbinjerëz, hutohet dhe s'di ç'të bëjë i mjeri njeri. Ngre sytë nga qielli për këtë Fat që Zoti ua zbriti shqiptarëve nga lart, shtrëngon grushtat, dhe derdh lotë. Kur Atdheu përpëlitej dhe e vërteta rënkonte, ishin pikërisht këta Profetë dhe këta kollosë, ishte ky nektar njerëzor, ishte kjo kremë e Kombit që diti t'ja kapte fillin dhe ta çdridhte lëmshin.

Edhe pse në këtë foto duken si teptilë, dikujt mund t'i duken edhe si morracakë, ishin këta dhe askush tjetër, ata tigra dhe ata luanë që s'pipëtinë kurrë një fjalë të keqe dhe as pseudonimet kurrë nuk ja gjetën dhe nuk ja përfolën njëri-tjetrit, se për shpifje dhe trillime as që bëhet fjalë, por vetëm ulën kokat, dhe me vetmohim të pashoq grusht bashkuar e sup më sup si në këtë foto, vetëm me penë e kallamar e letër të bardhë arritën tu bëjnë ballë situatave nga më të vështirat dhe arritën ta bëjnë zap dhe ta shpartallojnë një herë e përgjithmonë armikun.

J'a arritën këtij qëllimi të lartë dhe shumë të vyer duke punuar pa u lodhur dhe pa u ndalur në gjurmët e shembujve më të ndritur të Historisë sonë qysh nga mjegullat e kohës e deri në ditët tona, qysh nga Pellazgët, Ilirët, Skënderbeu, e deri tek Lazarati.

Ishin këta dhe kurrkush tjetër ata të cilëve nuk u vajti kurrë mendja për korridore të errëta, për kulisa të nëndheshme, për pjesmarrje nëpër borde të dyshmita ku e vetmja gjë që duhet bërë është të heshtësh për çfarë do dëgjosh e do shohësh, për udhëtime të shtrenjta qefi, për Benza, Toyota, shtëpira dhe vila të reja qoftë në mal apo bregdet apo edhe "jashtë shtetit", si dhe për dallavere të ndyra dhe tendera aq të fëlliqura sa s'i rrok mendja.

Ishin dhe janë këta, ky grusht idealistësh mëmëdhetarë që me plot të drejtë e mbajnë dhe do ta mbajnë kokën lart si dje dhe sot, si nesër e deri në përjetësi. Hallall u qoftë përderisa sakrifica e tyre nuk ishte më pak se sublime, përderisa pasuritë, si ato materiale edhe ato shpirtërore, si ato të shpallurat dhe ato të fshehtat, i tretën të gjitha nëpër llogore mediatike për të mirën e tashme dhe të ardhme të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

E ç'të thuash tjetër për këtë foto të fundbotëshme e këtë rracë vetflijuesish vizionarë, veçse; Paqe të sikletëshme pionerëve tanë në botën e amshueme. Zoti i ruajtë. Det j'u bëfshin lotët e shelgjeve. Harabelat u fluturofshin sipër varreve.

Shkrimi është botuar në gazetën "MAPO", në 23 shtator 2013

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit