"Do të veprojmë në ndërtim të institucioneve së shpejti", deklaroi sot Ramush Haradinaj, i nominuar për kryeministër të Kosovës nga koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma pas një takimi sot, ku ishin edhe përfaqësuesit e VV-së.

"Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të jashtëzakonshme, ka shumicë parlamentare për të ndërtuar institucionet", u shpreh lideri i AAK-së duke shtuar se PDK le të organizojë zgjedhje për vete nëse dëshiron.

Po ashtu, Ismet Beqiri nga LDK tha se nuk ekziston asnjë instancë që mund t'i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme pa shumicën parlamentare. "Zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë zgjidhje. Zgjidhja është në parlament", tha ai.

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nisi në 17 korrik dhe u ndërpre, vazhdoi për pak minuta në 18 shtator dhe sërish u ndërpre, ndërsa vazhdimi tjetër ende nuk është ftuar zyrtarisht, por pritet të jetë javën e ardhshme në 2 tetor. /ATSH/